E hënë, 13 Maj, 2024

EVROPIANIZIMI TË FILLOJË NGA PARTITË POLITIKE

  • Partitë duhet të bashkohen rreth kauzave, ideve dhe idealeve konkrete dhe të mos jenë burimi i hiperrealitetit të tyre etnik.
  • Si aktorë kryesorë të sferës politike, të cilët kanë një peshë të madhe në formimin e opinionit publik, është koha që partitë të evropianizohen.

 

Shkruan: Xhelal Neziri

Që nga pavarësia e saj, Republika e Maqedonisë së Veriut ka jetuar në dy realitete të ndryshme, paralele etnike. Flitet vazhdimisht për realitetin e maqedonasve etnik, i cili është i ndryshëm nga ai i shqiptarëve etnikë. Këto universe paralele krijuan një gjendje, e cila i ngjan një autobusi dykatësh, ku çdo komunitet etnik ka një kat dhe ka ndalesa të ndryshme përfundimtare.

Këto realitete sigurisht që nuk janë produkt i shoqërisë në vetvete. Ato ndërtohen qëllimisht nga qendrat politike, por edhe ekonomike të pushtetit. Ato dy universe paralele janë produkt i mediave, të cilat krijuan dy të vërteta për një ngjarje apo fenomen. Për të njëjtën ngjarje u raportua me dipotri etnike. Stereotipet ishin më të rëndësishme se faktet.

Këto media, të cilat ishin nën diktatin e qendrave të lartpërmendura të pushtetit, sigurisht synonin të krijonin dy shoqëri, të cilat jetojnë në dy realitete të ndryshme dhe që kanë dy të vërteta krejtësisht të kundërta. Një shoqëri e tillë e ndarë është, pa dyshim, një parajsë për populistët. Nëse shikojmë prapa dhe analizojmë fushatat parazgjedhore nga kjo distancë kohore, do të shohim se në çfarë deluzionesh kemi jetuar. Të drejtat e disave shiheshin si rrezik për të tjerët. Të drejtat e të dytëve, nga ana tjetër, promovoheshin si goditje apo hakmarrje për të parët.

Një ndarje e tillë shoqërore në baza etnike dihej se ku çon. Drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve, sigurisht që jo. Ajo çoi në një konflikt që ndodhi në vitin 2001. Fjalët ndaluan, arma foli. Arsyeja u la mënjanë, emocionet kishin përparësinë. Përpjekja shkatërruese kishte mbërthyer një pjesë të madhe të shoqërisë.

Ne ishim me fat që gjatë asaj periudhe bashkësia ndërkombëtare filloi ta zgjidhte konfliktin në kohë, para se të kalonte në luftë civile. Duke marrë mësime nga luftërat në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, diplomatët nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini dhe Londra vepruan në mënyrë parandaluese dhe të bashkuar. Kjo qasje dha fryt – në shtator 2001 u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Paqes, e cila i dha fund konfliktit dhe hapi mundësi të reja për paqe dhe zhvillim.

A kemi dëshmuar në këtë periudhë se dimë ta shfrytëzojmë shansin e dytë të dhënë? Unë do të thosha pjesërisht. Edhe pas konfliktit, shteti vazhdoi të funksionojë në bazë të parimeve etnike, jo ideologjike apo civile. Ky organizim dhe veprim politik ishte një ripërsëritje e asaj që kishim para konfliktit. Realisht, si një vend pas konfliktit, nuk pritej ndryshim i shpejtë duke pasur parasysh përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe besimin e lëkundur. Por ishte realiste të pritej që partitë të mos përdorin çështjet (ndër)etnike si mjet për mobilizimin e votuesve.

Unë kam përsëritur për një kohë të gjatë mendimin se nacionalizmi në Maqedoninë e Veriut është një luks i rrezikshëm për partitë politike, të cilin nuk duhet t’ia lejojnë vetes ta kenë. Me të gjitha pengesat dhe mosmarrëveshjet rreth përmbushjes së Marrëveshjes Kornizë, me të gjitha vonesat e mundshme (pjesa më e madhe e marrëveshjes supozohej të përfundonte në vitin 2004), ky dokument edhe sot një histori suksesi për diplomacinë perëndimore dhe vizion i disa të liderëve politikë dhe aktorëve shoqërorë.

A kemi sot një realitet të bazuar në një të vërtetë? Sigurisht që jo. Por ne jemi në rrugë të mirë për ta arritur këtë. Mediat janë pothuajse të lira nga stereotipet për tjetrin dhe partitë politike tani kanë një botëkuptim tjetër ndaj politikës, në masë të madhe të shkarkuar nga paragjykimet etnike. Hapi i parë u ndërmor në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kur LSDM dhe BDI vendosën të garojnë së bashku në disa komuna. Ajo doli të ishte një formulë e suksesshme, e cila vazhdoi më pas në zgjedhjet presidenciale në 2018 dhe zgjedhjet parlamentare në 2020. Në zgjedhjet e fundit vendore kemi pasur dy blloqe politike – pushtetin dhe opozitën. VMRO-DPMNE për herë të parë performoi me koalicion parazgjedhor me partitë e shqiptarëve etnikë – Aleanca e Shqiptarëve dhe Alternativa. Ky moment i ri në politikë vjen si rezultat i procesit të demokratizimit të shtetit përmes instalimit të vlerave evropiane, si: të drejtat e njeriut, dinjiteti, barazia, demokracia dhe shteti ligjor.

Tani që ka nisur procesi i negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE), ky zhvillim demokratik duhet të vazhdojë drejt barazisë së plotë, si një nga vlerat bazë evropiane. Të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë, si në gëzimin e të drejtave poashtu edhe të detyrimeve. Një imazh i tillë imponon në mënyrë të pashmangshme një realitet tjetër politik, i cili shikon përtej llogoreve dhe barrikadave etnike. Partitë duhet të bashkohen rreth kauzave, ideve dhe idealeve konkrete dhe të mos jenë burimi i hiperrealitetit të tyre etnik. Si aktorë kryesorë të sferës politike, të cilët kanë një peshë të madhe në formimin e opinionit publik, është koha që partitë të evropianizohen. Si evropianë, ata do të reflektojnë jo vetëm për elektoratin e tyre, por edhe për publikun e gjerë. Në vend të interesave të ngushta etnike që sjellin vota të lehta, na duhet një vizion dhe koncept evropian që do të jetë i orientuar drejt arritjes së rezultateve konkrete. Sigurisht, për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Të fundit