E shtunë, 27 Korrik, 2024

HESHTJA E MEDIAS SI TREND

Edhe sot, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, mediat vazhdojnë të jenë faktori kryesor i përcaktimit të nivelit të demokracisë në një vend. Ballkani Perëndimor nuk duket mirë në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij.

Shkruan: Xhelal Neziri

Pjesa më e madhe e diktatorëve kanë ardhur në pushtet nëpërmjet demokracisë. Nga Hitleri, Musolini, Stalini, Mao Zetongu, Pinoçeti, Tito, Hoxha, Çaushesku, Zhelevi… e deri te Putini, Llukashenko apo diktatorët e kontinentit afrikan, demokracia është parë e shfrytëzuar vetëm si mjet për të arritur qëllimin përfundimtar. Pra, si një autobus i cili do t’i bartë nga stacioni i demokracisë në atë të diktaturës.

Demokracia është e rëndë për t’u kultivuar. Kërkon pjesëmarrje, debat, mendim ndryshe, zgjedhje dhe vëzhgim nga afër të çdo njeriu që merr përsipër t’i shërbejë interesit të përgjithshëm, apo atij shtetëror. Demokracia nënkupton pushtet në duar të popullit. Për të thjeshtësuar procedurën e vendimmarrjes, populli voton përfaqësuesit e vet duke i autorizuar që të marrin vendime në emër të tij. Veshja me pushtet e personave të zgjedhur nga populli shpesh shkakton një efekt tjetër anësor e të padëshiruar: korrupsionin. Për të parandaluar këtë sëmundje, nevojiten tri gjëra: institucione hetuese efektive, sistem gjyqësor i pavarur dhe media të lira. Në këtë mozaik, mediat e lira luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave demokratike pasi janë vëzhgues të pa kompromis të punës së të gjitha institucioneve, që drejtpërdrejt dhe tërthorazi dalin nga vullneti i popullit i shprehur në zgjedhje të drejtpërdrejta. Por mediat mund të keqpërdoren nga liderë me ambicie diktatoriale për të arritur në stacionin e fundit të tyre. Këtë e bëri edhe Hitleri nëpërmjet ministritë të tij të propagandës, Jozef Gebels, apo edhe Putini me mediat e sponsorizuara dhe kontrolluara nga ai.

Edhe sot, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, mediat vazhdojnë të jenë faktori kryesor i përcaktimit të nivelit të demokracisë në një vend. Ballkani Perëndimor nuk duket mirë në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij. Përveç Maqedonisë e Veriut (36), e cila ka ngritje për dy vende në raport me vitin e kaluar, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor shënojnë regres në sferën e lirisë së mediave. Kosova (75), për shembull, ka një rënie prej 19 vendesh, kurse Shqipëria (99) – prej tri vendesh. Shqipëria është në pozitë madje edhe më të pafavorshme se Serbia, e cila renditet e 98-ta, me një rënie prej shtatë vendesh. Bosnja e Hercegovina pozicionohet e 81-ta, me një regres prej 16 vendesh.

Nëse liria e medias ngushtohet, atëherë ky është simptomi i parë se një shoqëri është e infektuar nga virusi i diktaturës. Faza e parë e sëmundjes, pra ajo e inkubacionit, shfaqet në formë të autokracisë që më pastaj të vazhdojë të ecë me shpejtësi drejt diktaturës. Nëse bie liria e medias atëherë fillon instalimi i frikës nga autoriteti i pushtetmbajtësve. Frika prodhon heshtjen që mundëson marrjen e pushtetit nga populli dhe koncentrimin e tij në duart e një personi apo subjekti politik. Nëse arrihet kjo pikë, atëherë nuk mund të flasim më për demokraci. Zgjedhjet shndërrohen në farsë, vetëm për të përligjur pushtetin absolut, ndërsa vullneti i popullit bëhet krejtësisht i parëndësishëm. Në këtë pikë sot është Rusia, e cila në zgjedhjet e fundit presidenciale, jo vetëm që nuk garantoi kushte korrekte garimi për të gjithë pretendentët, por pamundësoi kandidimin e kundërshtarëve të vërtetë të presidentit aktual Vlladimir Putin, i cili fitoi me afër 90 për qind të votave.

Nëse sot shihet harta e Reporterëve pa Kufij sa i përket lirisë së shtypit, do të shihet se Rusia dhe vendet e Lindjes janë larg vlerave demokratike. Të drejtuar nga autokratë e diktatorë, këto vende janë sinonim i shtypjes, pasigurisë dhe errësirës. Në anën tjetër, kemi vendet skandinave që janë në krye të listës si vende më të lira. Danimarka merret si model i zbatimit të suksesshëm të demokracisë, ku liria e medias është e pacenueshme, korrupsioni është gati papranishëm kurse zhvillimi i vendit – i qëndrueshëm. Në veprën e tij “Political Order and Political Decay”, Frencis Fukujama e quan Danimarkën si vend demokratik ideal dhe kërkon përgjigje se si mund të orientohen vendet jodemokratike kah ky model.

Sidoqoftë, përveç lirisë së mediave, kualiteti i demokracisë determinohet edhe nga kualiteti i arsimit. “Demokracia është aq e mirë sa edhe arsimi që e rrethon”, ka thënë Sokrati i Greqisë antike, e cila llogaritet si djepi i demokracisë. Ndërkohë, presidenti Amerikan Franklin D. Roosevelt (1882-1945) e thotë më qartë: “Demokracia nuk mund të ketë sukses nëse ata votojnë nuk janë të përgatitur të zgjedhin me mençuri. Mbrojtja e vërtetë e demokracisë është arsimi”. Në një botë ku gjithçka shkon online, kur media gjithnjë e më shumë përdoret si armë në luftëra hibride e jo si mjet informimi, reformat që përmirësojnë kualitetin e arsimit tashmë janë imperativ. Edukimi mediatik, por edhe demokratik, është vetëm një segment i një reforme më gjithëpërfshirëse, e cila do ta bëjë arsimin mbrojtës së lirisë së medias, e kështu edhe të demokracisë si sistem qeverisjeje.

 

Të fundit