E diel, 28 Prill, 2024

ÇFARË FSHIHET PAS TENSIONEVE TË FUNDIT NË VERI TË KOSOVËS

  • Me barrikada, me tërheqje të serbëve nga policia dhe nga shërbimet e tjera publike në pjesën veriore të Kosovës, presidenti serb A.Vuçiq synon që këtë pjesë ta shkëpusë nga prezenca e secilit segment të pushtetit të Kosovës dhe ta transformojë atë në një lloj të ‘’Republika Serpskas’’ në Bosnje.
  • Në të njëjtën kohë ai dëshiron që me sjellje dhe veprime të tilla t’i ndihmojë Putinit për të tërhequr vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë.

 

ENKAS PËR KDP Shkruan: AZEM VLLASI

Ndonëse në rrethana radikalisht të ndryshuara, strategjia dhe politika serbe dhe e pushtetit të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve nuk dallon fare nga ajo e kohës së kriminelit të luftës Slobodan Milosheviq. Sikur para 35 vjetëve, përmes propagandës shurdhuese po përhapen gënjeshtra se serbët në Kosovë na qenkan të rrezikuar nga shqiptarët dhe pushteti i Kosovës. Po trumbetohet me të madhe se ata mund t’i shpëtojë dhe mbrojë vetëm Serbia!

Po kjo logjikë dhe po kjo politikë mbizotëronte edhe atëherë. Pasi u shkel dhunshëm autonomia kushtetuse e Kosovës, me politikën e vet okupuese e antishqiptare, Milosheviqi e solli gjendjen deri në luftë në vitin 1998-99. Luftën e humbi dhe Kosova u çlirua. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara aprovoi njëzërit Rezolutën nr.12-44 me të cilën suspendohet tërësisht pushteti institucional i Serbisë (RFJ-së) mbi Kosovën për shkak të krimeve të kryera ndaj shqiptarëve. Kosova u vu nën mbrojtje dhe qeverisje të përkohshme të Kombeve të Bashkuara dhe nën menaxhimin e Këshillit të Sigurimit (Plani gjithpërfshirës i Marti Ahtisarit) dhe më 2008 shpalli pavarësinë shtetërore sikur njësitë e tjera të ish-federatës jugosllave.

Regjimi i sotëm i Serbisë u përpoq që ta kontestojë aktin e pavarësisë edhe para Gjykatës Ndërkombtart ë Drjtësisë. Dhe, nga kjo Gjykatë mori përgjigjje të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombtare e as në kundërshtim me Rezolutën 12-44 të KS të OKB-së. Përkundër kësaj, Serbia vazhdon ta injorojë këtë qëndrim të Gjykatës më të lartë botërore kompetente për çështje të tilla. Pushteti i Beogradit vazhdon me të vjetrën, po çirret se Kosova është pjesë e Serbisë, ‘’shtet i rrejshëm’’. Rezoluten 12-44 të Këshillit të Sigurimit e interpreton sikur ta  kishte konfirmuar sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën edhe pse në atë Rezolutë Serbia nuk përmendet fare.

Pas shpalljes së pavarësisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e autorizoi BE-në, Brukselin, që të ndërmjetësojë dialogun mes Serbisë e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe për zgjidhjen e shumë problemeve që kishin mbetur mes tyre nga koha e para vitit 1999. Nga pala serbe gjithnjë flitet se ky është dialog ‘’për zgjidhjen e problemit të Kosovës’’Thua se Kosova dhe statusi i saj i pazgjidhur qenkan problem pasi Serbia nuk ka rënë dakord. BE-ja dhe SHBA-ja ndërmjetësojnë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe në asnjë moment nuk e kontestojnë statusin e Kosovës si shtet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili vendos për çdo gjë në këtë shtet, i ikë një marrëveshjeje finale ngase e din fare mirë se finalja do të ishte njohje faktike e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë. Serbët e Kosovës, posaçërisht ata në very, Vuçiqi po shfrytëzon dhe keqpërdorë për ngritje të tensioneve. Shkaku nuk është me rëndësi. Një herë statusi i targave të automjeteve në kufi në mes Serbisë e Kosovës, herën tjetër statusi i letërnjoftimeve nga të dyja anët gjatë kalimit të kufirit, tashti zëvendësimi i targave të  serbëve nga ana veriore të registruara në Serbi me ato të Kosovës. Së fundi, u ngritën barrikadat për shkak të arrestimit të dy serbëve nga Mitrovica veriore për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra penale. Sipas Vuçiqit, pushteti i Kosovës nuk guxon të arrestojë asnjë serb të Kosovës pa marrë parasysh se çka bëjnë ata. Para do kohësh, serbët në Veri u tërhoqën nga policia dhe shërbimet tjera publike të Kosovës. Veprimi është identic me atë të serbëve në Knin të Kroacisë në fillim të viti 1991. Ata tashti kujdestarojnë në barrikada ngase po i organizon dhe paguan Serbia.

Në fakt, presidenti serb Vuçiq, me vazhdimin e politikës së Milosheviqit synon disa qëllime:

  • të krijohet përshtypje se Kosova është shtet jostabël, problematik;
  • se serbët janë të rrezikuar nga shqiptarët dhe vet Qeveria dhe Kryeministri i Kosovës; 
  • -synon formimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, jo në përputhje me sistemin e brendshëm kushtetues të Kosovës, por si autoritet i vetëm për serbët dhe përmes saj serbët ta njohin vetëm pushtetin e Serbisë. Do të thotë, mbi serbët e Kosovës shtet dhe pushtet të jetë vetëm Serbia;
  • me barrikada, me tërheqje të serbëve nga policia dhe nga shërbimet e tjera publike në pjesën veriore të Kosovës, Vuçiqi synon që këtë pjesë ta shkëpusë nga prezenca e secilit segment të pushtetit të Kosovës dhe ta transformojë atë në një lloj të ‘’Republika Serpska’’ në Bosnje;
  • që ta zhvendosë vëmendjen e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë në dialog nga çështje esenciale në rol të ‘’zjarfiksëve’’ për uljen e tensioneve. Janë po ato metoda që përdoreshin kundër Kosovës në vitet 1988-89 dhe në Knin të Kroacisë në vitin 1991;
  • Vuçiqi dëshiron dhe synon që me sjellje dhe veprime të tilla t’i ndihmojë Putinit për të tërhequr vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë.

Këto ditë po shohim një histeri në  Serbi kundër Kosovës dhe Qeverisë e posaçërisht kundër Kryeministrit Albin Kurti. Vuçiqi e mashtron opinionin serb se kinse do të kërkojë dërgimin e 1000 policëve dhe ushtarëve serbë në Kosovë gjoja për t’i mbrojtur serbët që nuk i rrezikon askush. Shqiptarët, as Qeveria e Kosovës, madje as serbët e Kosovës, nuk kanë asnjë interes nga ngritja e tensioneve ngase me këto marifetllëqe me barrikada dhe inskenime të tjera edhe atyre jeta po u vështirësohet shumë. Pra, problem është regjimi i Vuçiqit dhe opozita. Opozita e Vuçiqit në Serbi është më e zezë se vet regjimi i tij. Sikur në kohën e Milosheviqit. Atëherë opozitë ishin qarqet nacionaliste serbe që dukeshin edhe më radikale se vet politika zyrtare, e që kishin për koordinator dhe frymëzues Dobrica Qosiqin.

Me një opzitë të tillë, Vuçiqi synon që para shteteve perendimore të tregohet më i mirë, më i përmbajtur dhe bashkëpunues, por vetëm nëse është i forte! Perendimorët nga BE-ja, vërtetë e shohin se Vuçiqi nuk ka alternativë në Serbë dhe prandaj nuk po ushtrojnë  ndonjë presion më të fuqishëm mbi të. Vuçiqin mund të detyrojnë që të bëhet bashkëpunues për çështjen e Kosovës vetëm amerikanëst. Për evropianët ai nuk lodhet fort.

Paniku në Serbi po arrinë kulminacionin tani pas daljes së europianëve dhe amerikanëve me planin e përbashkët që fillimisht u quajt fanko-gjerman e me të cilin synohet që arrihet finalja në dialogun Kosovë-Serbi e që nënkupton marëveshje si mes dy shteteve, pa marrë parasysh se Serbia formalisht nuk e pranon Kosovën, por faktikisht po. Në Serbi të gjithë e dinë se Kosova tani më është shtet, por në të njëjtën kohë duan të bëjnë çmos që formalisht mos ta pranojnë!

Dhe, shtrohet pyetja se edhe sa kohë Serbia do të sillet kështu lidhur me Kosovën? Këtë tani askush nuk e din. Por, ajo me sjellje të tilla është duke e dëmtuar veten. Nuk ka asnjë përfitim nga sjelljet dhe veprimet e tilla.

Ëndrra për Serbinë më të madhe se ç’është nuk është shuar. Veçse tani është zëvendsuar me termin ‘’Bota Serbe’’. Me ambicjen që të jetë më e madhe se që është, Serbia do ta trazojë edhe më tej Malin e Zi, Bosnjen dhe Kosovën me pretendim që Kosovës t’ia shkëpusë së paku veriun, Bosnjës – Republika Serpskën, ndërsa Malin e Zi ta ‘’shkrijë’’ në ‘’Boten Serbe”. Pikërisht për këtë them se edhe më tej do të kemi probleme me Serbinë, por edhe ajo me vetveten!/kdpolitik.com/

 

Të fundit