E diel, 19 Maj, 2024

ÇFARË DO TË NDODHË PAS 8 MAJIT?

Shkruan: Xhelal Neziri

Përgjigjja e parë, e logjikshme, në këtë pyetje është: do të vijë 9 Maji.

E kjo është një ditë e rëndësishme pasi shënon fillimin e ndërtimit të Bashkimit Evropian (BE) me miratimin e Deklaratës së Shumanit. Ky dokument u paraqit nga Ministri i Jashtëm Francez Robert Schuman më 9 maj 1950. Ai propozoi krijimin e një Komuniteti Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, anëtarët e të cilit do të grumbullonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut. Ky Komunitet Evropian kishte si anëtarë themelues Francën, Gjermaninë Perëndimore, Italinë, Holandën, Belgjikën dhe Luksemburgun. Komuniteti ishte i pari nga një seri institucionesh mbikombëtare evropiane që përfundimisht do të bëheshin “Bashkimi Evropian” i sotëm.

Kjo ditë, pra 9 maji, poashtu shënon edhe mposhtjen e Nazizmit. Me pompozitet më të madh zakonisht festohet në Moskë të Rusisë.

Përgjigjja e dytë se çfarë do të ndodhë pas 8 majit lidhet me zgjedhjet parlamentare, por edhe presidenciale.

Në këtë ditë partitë politike do të marrin verdiktin e sovranit. Me këto rezultate në duar, partitë do t’i drejtohen pazarit të madh paszgjedhor për formimin e qeverisë. Këtu fillon faza finale e procesit zgjedhorë, apo pjesa e dytë e lojës. Në kampin politik maqedonas pritet fitorja e VMRO-DPMNE-së, me ç’rast mandatin do ta marrë lideri i saj Hristijan Mickovski. Në anën tjetër, të kampi politik shqiptar, pritet të ngadhënjejë blloku Fronti Evropian, i drejtuar nga BDI e Ali Ahmetit. Por, Mickovski këmbëngul të krijojë koalicion me bllokun VLEN, të drejtuar nga Arben Taravari, pa marrë parasysh rezultatin zgjedhor. Kjo mund të krijojë frustrime te Fronti Evropian, nëse fitorja e tij nuk do të merret parasysh nga mandatari. Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut nuk e sanksionon formimin e qeverisë me partinë fituese te shqiptarët etnikë (si në rastin e Kosovës, ku partia fituese te serbët etnikë merr pjesë në qeveri), por është tentuar të bëhet një traditë demokratike, njëjtë si përfshirja e një partie shqiptare në koalicionin qeverisës. Vetëm në vitin 1998 dhe 2006 në qeveri u përfshi partia shqiptare që nuk fitoi zgjedhjet. Në të dyja rastet këtë vendim e mori partia VMRO-DPMNE.

Pas 8 majit do të dihet edhe fati i ndryshimeve kushtetuese që burojnë nga Propozimi Francez, që janë kusht i Brukselit për të vazhduar bisedimet anëtarësuese me Shkupin.

Ky dokument, që hoqi veton bullgare, mund të jetë edhe parakusht i partive shqiptare për t’u bërë pjesë e qeverisë. Refuzimi i VMRO-DPMNE-së që të mbështesë këto ndryshime ka rezultuar me disa akuza në adresë të saj se në këtë mënyrë kjo parti tërthorazi punon për Rusinë. Vonesa e nisjes së negociatave, e përcjellë edhe me tonet e etno-nacionalizmit që kjo parti përdor në fjalorin e saj publik, ka rezultuar me një përkrahje historikisht më të ulët të procesit të integrimit në BE. Madje, në disa anketa rezulton se gati gjysma e maqedonasve etnikë mendojnë se është koha që të kërkohet alternativë për integrimin evropian.

Pas 8 majit do të mësojmë edhe emrin e presidentit të ri të shtetit.

Në balotazh kaluan dy kandidatët me më shumë vota të grumbulluara: Gordana Siljanovska – Dafkova e VMRO-DPMNE-së, e cila mori afër 360 mijë vota, dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili kërkon një mandat të dytë si kandidat i LSDM-së, e që mori 180 mijë vota. Epërsia e madhe e Siljanovska-Dafkovës paralajmëron një fitore të sigurt për të si presidente e ardhshme. Pesë kandidatë përfunduan garën që në raundin e parë, midis së cilëve edhe Bujar Osmani i Frontit Evropian dhe Arben Taravari i koalicionit opozitar shqiptar VLEN. Zgjedhjet presidenciale për kandidatët shqiptarë ishin vetëm matje forcash për zgjedhjet parlamentare. Fokusi i partive politike është te zgjedhjet parlamentare pasi nga aty buron pushteti i vërtetë – legjislativ dhe ekzekutiv. Presidenti i shtetit është një pozicion ceremonial pa shumë ndikim në krijimin apo zbatimin e politikave. Si i tillë nuk është aq atraktiv as për partitë, e as për votuesit. Jorastësisht, raundi i dytë i votimeve është caktuar në datën e zgjedhjeve parlamentare, me qëllim që të plotësohet pragu ligjor prej 40 për qind dalje në zgjedhje me qëllim që zgjedhja e presidentit të shtetit të jetë e vlefshme.

Pas 8 majit nis finalja e madhe që lidhet me formimin e qeverisë dhe prioritetet e saja.

Tashmë nuk ka dyshim se zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të nxjerrin për fituese pikërisht VMRO-DPMNE-në. Nëse rezultati zgjedhor deri diku është i qartë, ajo që ngelet me shumë pikëpyetje është periudha paszgjedhore. Me cilin bllok politik shqiptar VMRO-DPMNE do ta bëjë qeverinë? A do ta kushtëzojnë Fronti Evropian dhe VLEN formimin e qeverisë me ndryshimet kushtetuese, ashtu siç janë zotuar me nënshkrimin e një deklarate të mëhershme? A do të ketë marrëveshje midis dy blloqeve shqiptare se cili do të duhet të nisë negociatat me mandatarin dhe ku është vija e kuqe? A ka gjasa që vendi të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare nëse VMRO-DPMNE nuk do të arrijë të formojë qeveri? Të gjitha këto dilema rikthejnë mjegullën e pasigurisë në Maqedoninë e Veriut, tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe rrisin nivelin e euro-skepticizmit.

Pas 8 majit mund të shënohet edhe fillimi i një krize politike, e cila do të krijonte sërish hapësirë për rritjen e ndikimeve malinje nga Rusia, Kina dhe vende tjera të Lindjes. Një krizë e ngjashme me atë të vitit 2015-16, kur vendi ishte penguar që të zgjidhë problemin e emrit me Greqinë që të bëhet anëtar i NATO-s. Në një kohë kur integrimi në BE po shndërrohet në urgjencë gjeostrategjike, këto ndikime kërkojnë gjithnjë e më shumë terren të përshtatshëm për të pamundësuar rrumbullakimin e Unionit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të fundit