E hënë, 13 Maj, 2024

OFERTA PARAZGJEDHORE: SHTET PËR TË GJITHË

Zgjedhjet përfaqësojnë një proces konkurrimi politik dhe demokratik të subjekteve politike. Ky proces demokratik konkurrimi nënkupton platformat politike të partive garuese që i ofrohen elektoratit si ofertë zgjedhore. Dinamika zgjedhore nënkupton shpalimin e kësaj oferte zgjedhore përpara qytetarëve, gjegjësisht elektoratit që pretendohet të përfaqësohet në institucionin ligjvënës, por edhe në pushtetin ekzekutiv. Në funksion të këtij pluraliteti politik, por edhe të debatit demokratik, KDP do të prezantojë në ditët në vijim një sintezë të shkurtër të platformave politike, shtyllat kryesore të ideve politike me të cilat partitë konkurrojnë në këto zgjedhje të 15 korrikut. Fillimisht do të publikojmë sintezën e platformës politike të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, i cili tashmë ka dalë me moton “ Tash është koha” në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Kryeshtyllë e programit politik zgjedhor të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është definimi “ shtet për të gjithë” që operacionalizohet në të gjitha fushat e jetës institucionale të Maqedonisë së Veriut. Kjo ide politike strukturohet dhe merr kuptim nëpërmjet idesë së ridefinimit të kushtetutës dhe nëpërmjet një sërë instrumentesh ligjore që, siç definohet, sigurojnë barazinë e plotë për shqiptarët. Programi dimensionon edhe shumë angazhime tjera politike, kulturore, ekonomike, arsimore, të cilat definohen qartë në secilin kapitull të programit të këtij koalicioni.

 

Autor: Bardhyl Zaimi

 

Ideja themelore politike e koalicionit Aleanca për Shqiptarët&Alternativa është “ shtet për të gjithë”. Në deklaratën politike të këtij koalicioni thuhet se programi “shtet për të gjithë” është sintezë e veprimeve dhe politikave që do të zbatohen nga gjatë qeverisjes 2020-2024, për të ndërtuar shtet ku të gjithë qytetarët do të ndjehen të barabartë para ligjit, duke i gëzuar të drejtat dhe mundësitë e barabarta si dhe duke i shijuar të mirat publike të garantuara me kushtetutë.

Kryeshtyllë e këtij programi zgjedhor të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është barabarësia e plotë, e cila është strukturuar në pjesën e parë të programit detajisht, në të gjitha dimensionet e funksionimit të shtetit dhe të institucioneve. Siç thuhet edhe në deklaratën e politike të koalicionit ky program synon të ndërtojë “ shtet të bazuar në barazinë e plotë të bashkësive shtetformuese, në të cilin sundon shteti i së drejtës, shtet të prosperitetit dhe zhvillim të barabartë ekonomik, të integruar në botën shqiptare, në rajon dhe në botë, duke qenë prodhues dhe jo vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit.

Ideja e barabarësisë së plotë që ofrohet si platformë politike në këto zgjedhje nga ky koalicion, mbindërtohet politikisht mbi një analizë të diskriminimit sistematik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “ Ky diskriminim strukturor konfirmohet nga shifrat e fundit të përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe në institucionet tjera buxhetore. Sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2018, publikuar në shtator të vitit 2019, përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin publik është vetëm 19 për qind. Me keq se kaq, për herë të parë që nga miratimi i Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, përfaqësimi i shqiptarëve po përballet me një trend në rënie gjatë dy viteve të fundit”, thuhet në programin politik të këtij koalicioni.

Gjithnjë në funksion të idesë për barabarësi të plotë, në programin e këtij koalicioni thuhet se “ maqedonasit vazhdojnë të jenë të mbipërfaqësuar në institucionet buxhetore, ndërsa të gjitha bashkësitë e tjera janë të nënpërfaqësuara”. Në këtë drejtim, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa konsideron se një kushtetutë e re demokratike duhet ta ridefinojë vendin si një shtet i barabartë i dy bashkësive më të mëdha, gjithsesi me të drejta të garantuara edhe për bashkësitë tjera etnike.

Në programin politik të këtij koalicioni mes tjerash definohet edhe ideja e ridefinimit të shtetit. “ Ridefinimi i shtetit nënkupton që, në kushte të paqes dhe pa presione, të diskutohet për funksionalizimin e shtetit dhe për vendosjen e simetrisë mes shtetit dhe shoqërisë, gjithnjë duke pasur parasysh që shoqëria shumetnike të reflektohet edhe në ndërtimin e shtetit shumetnik”.

Në programin politik të këtij koalicioni gjithashtu theksohet se “ do të angazhohet për Parlament dydhomësh: Dhomën e Bashkësive Etnike dhe Dhomën e Përfaqësuesve, që do të jenë plotësisht të barabrta mes vete në përpilimin e ligjeve dhe në ushtrimin e kompetencave tjera kushtetuese të Parlamentit”.

Gjatë qeverisjes së tij, thuhet në këtë program politik, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, do t’i fokusojë përpjekjet e tij në shtet për të gjithë dhe barazi të plotë në fushat prioritare, në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në të gjitha fushat e jetës publike, eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit, zyrtarizmi i plotë i gjuhës shqipe dhe avancimi kulturor i të gjitha bashkësive.

Ky koalicion, në bazë të programit politik në këto zgjedhje do të iniciojë Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, nëpërmjet të cilit, siç është elaboruar edhe në program do të diktohet një dinamikë dhe kualitet tjetër përfaqësimi.

Gjithashtu në këtë program politik parashihet edhe angazhimi i këtij koalicioni për eliminimin e çdo lloj diskriminimi, ndërkohë që angazhimi fokusohet edhe në zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe. “ Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të angazhohet për zbatim të menjëhershëm dhe të tërësishëm të Ligjit për përdorim të gjuhëve dhe, ndërkohë, do të vazhdojë të angazhohet që gjuha shqipe të jetë gjuhë e barabartë me atë maqedonase në Kushtetutë e jo të definohet si ‘gjuhë që e flasin mbi 20 % e popullsisë e që është e ndryshme nga gjuha maqedonase’”.

Gjithashtu nëpërmjet këtij programi politik ky koalicion do të angazhohet për avancim të kulturës shqiptare si dhe të gjithë komuniteteve tjera. Kultivimi i diversitetit kulturor, roli i shtetit në promovimin e interkulturalizmit dhe krijimi i hapësirës që secila bashkësi ta shpërfaq identitetin e vet kulturor mbetet një dimension tjetër i këtij programi politik. Për të realizuar konceptin e barabarësisë kulturore ky koalicion parasheh ndarje adekuate të buxhetit për kulturë si dhe rritje të autonomisë organizative dhe financiare të institucioneve kulturore. Gjithashtu parashihet edhe decentralizimi i institucioneve të kulturës, zhvillimi i bashkëpunimit kulturor me Shqipërinë dhe Kosovën si dhe rritja e fondit publik në bibliotekat publike.

Në fokusin e këtij programi politik është edhe shteti i së drejtës, ndërsa si një mekanizëm që do t’i përgjigjej falimentimit të shtetit të së drejtës parashihet një mision këshillimor dhe monitorues europian për shtetin e së drejtës. Programi politik i këtij koalicioni gjithashtu strukturon gjithashtu idenë e një gjyqësori të pavarur, efikas dhe të drejtë. Në drejtim të këtij konsolidimi parashihet veting i gjyqtarëve dhe prokurorëve, riorganizim i gjykatave themelore dhe të apelit në bazë të rajoneve planore dhe reformim i rolit dhe procedurës së emërimit të Prokurorit Publik Shtetëror, zbatim i drejtësisë së balancuar etnike etj.

Ky koalicion gjithashtu do të angazhohet edhe për çrrënjosjen e korrupsionit, për një administratë publike të depolitizuar, merotokratike dhe efikase. Shtylla tjera të rëndësishme të kësaj platforme politike për zgjedhjet e 15 korrikut janë edhe elaborimet në fushën e informimit dhe teknologjisë, zhvillimit të arsimit dhe shëndetësisë, përfshirjes së të rinjve në jetën publike dhe demokratike dhe ideja për një shtet që ruan dhe kultivon kapitalin njerëzor.

Aplikimi i formave të reja në sistemin arsimor, përputhja me tregun e punës, digjitalizimi dhe rritja e kompetencave janë disa nga dimensionet e reformimit të sistemit arsimor të definuara saktë në këtë program politik. Gjithashtu, në këtë program definohet edhe zhvillimi i barabartë rajonal dhe reforma thelbësore në sistemin shëndetësor. Ekologjia, gjegjësisht një zhvilli i gjelbër dhe i digjitalizuar definohet si një përpjekje për të zvogëluar ndotjen e mjedisit, prandaj një aspekt tjetër që i kushtohet rëndësi mbetet edhe kjo fushë.  Gjithashtu edhe ideja e ndërmarrësisë dhe zhvillimit rural mbeten shtylla të këtij programi politik të koalicionit Aleanca për Shqiptarët&Alternativa.

 

 

 

Të fundit