E shtunë, 27 Korrik, 2024

PROBLEMET E NJË FITOREJE

“Në jetën letrare po hyj si meteor: Prej saj do të dal si rrufe” (Henry René Albert Guy de Maupassant)

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Asgjë e re në Frontin e Lindjes: Larg asaj se fitorja e VMRO-DPMNE-së, në njërën anë, dhe e BDI-së, më anë tjetër, nuk ka qenë e parashikuar. Thellësia – po! Personalisht e kam thënë se edhe rezultati i opozitës (së re) maqedonase dhe kësaj shqiptare (që me gjasë do të bëhet pozitë), ka për të qenë ky që është, poshtë – lartë, kuptohet! Tani dilema që shtrohet është: Çfarë ka për të prodhuar koalicioni i ri qeverisës dhe nga do të shkojë?

Thënia e mësipërme e shkrimtarit të madh francez, përfaqësues i spikatur i realizmit dhe natyralizmit, e vendosur në kontekstin e zhvillimeve paszgjedhore, duhet të ketë qenë, me shumë gjasë, lajtmotivi i  71-vjeçares Gordana Siljanovska-Davkova, pedagoge dhe juriste e njohur, kur të dielën, gjatë inaugurimit në postin e Presidentes së Maqedonisë së Veriut, dëshmoi, me figurë e me zë, se nuk ka për ta përfillur aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e vendit. Me një krenari që mbase përputhet me emrin që ka (emri Gordana në shqipe i bie Krenare), ajo refuzoi të përmend emrin Kushtetues të Vendit (Republika e Maqedonisë së Veriut) duke përdorur toponimin gjeografik Maqedoni. Do të mund të merrej edhe si një lapsus, për shkak të moshës e pse jo edhe momentit, sikur e njëjta të mos e kishte paralajmëruar gjatë fushatës presidenciale se nga goja e saj nuk do të shqiptohet emri RMV!

Edhe juristët e çiftit të saj e lëre më kolegët nga Komisioni i Venecias (për çështje kushtetuese), anëtare e të cilit ka qenë për një kohë zonja Davkova, e dijnë fare mirë se çdo subjekt në ushtrimin e veprimtarisë së tij duhet t’ju nënshtrohet rregullave të lojës.

Juristët të cilët i kam konsultuar më thonë, këtë të hënë se, padyshim, gruaja e parë Presidente e ka shkelur Kushtetutën! Tani i përket politikës që të pozicionohet, por nëse është kështu, atëherë Gordana Siljanovska-Davkova preket nga neni 87 i Kushtetutës i cili shprehimisht thotë:

“Presidenti i Republikës mban përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve gjatë ushtrimit të të drejtave dhe detyrave të tij. Procedurë për verifikimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës, ngre Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Për përgjegjësinë e Presidentit vendos Gjykata Kushtetuese me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i gjyqtarëve. Nëse Gjykata Kushtetuese e verifikon përgjegjësinë e Presidentit të Republikës, funksioni i pushon me fuqinë e Kushtetutës”.

Ishin vetëm deputetët e VMRO-DPMNE-së që duartrokitën fjalimin inaugurues të Presidentes gjatë të cilit juristja e njohur zbërtheu shumë pak nga ato shtatë-tetë nenet kushtetuese që portretizojnë shëmbëlltyrën e shefit të shtetit. Të tjerët, të thuash bënë sehir, ndërsa vetëm ambasadorja e Greqisë, ma thotë mendja e parapërgatitur, demonstrativisht braktisi seancën solemne. Tani, pavarësisht epilogut, shtrohet edhe çështja e pozicionimit të partive të tjera parlamentare, para së gjithash të atyre që përbëjnë grupimin politik VLEN që shihet si partner i ardhshëm qeveritar i VMRO-DPMNE-së që triumfalisht rikthehet në pushtet, por edhe Frontit Evropian (BDI-së) dhe LSDM-së. Për shkak se është hipokrizi e kulluar që, nga njëra anë të urohet Presidentja për marrjen e postit, e nga ana tjetër – të kritikohet për shkak se nuk respektoi Kushtetutën, madje para se të hyjë në Presidencë!

Grekët e vjetër e kanë një shprehje: Hic Rodos, hic salta!

 

Të fundit