E shtunë, 27 Korrik, 2024

SILJANOVSKA-DAFKOVA VAZHDON TË PËRDORË EMRIN “MAQEDONI”, REAGON AMBASADA AMERIKANE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten fort të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Kjo është përgjigja e ambasadës amerikane në vend për “360 gradë” në pyetjen për inaugurimin e djeshëm të presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova, e cila duke dhënë betimin në Kuvend përdori emrin e vjetër të shtetit, në vend të atij kushtetues – Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Pasi të formohet një qeveri e re dhe të zgjidhet një kryeministër, ne do të vazhdojmë të përforcojmë rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve nga përparimi i vendit me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, thonë nga Ambasada Amerikane në vend, përcjell KDP.

SILJANOVSKA NUK TËRHIQET

Nga ana tjetër, kabineti i presidentes Siljanovska-Dafkova ka kumtuar se presidentja ka të drejtë të përdorë emrin “Maqedoni”, si e drejtë individuale.

“Në daljet e saj publike, presidentja maqedonase ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”, thuhet në njoftimin e kabinetit.

Sipas kumtesës, presidentja do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues.

“Sipas Kushtetutës, të përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues. Institucionet maqedonase në 5 vitet e fundit pothuajse plotësisht i kanë përmbushur obligimet e tyre nga Marrëveshja e Prespës dhe presidenti pret që të gjithë partnerët maqedonas t’i respektojnë obligimet bilaterale dhe shumëpalëshe që i kanë marrë ndaj vendit”, thuhet në njoftimin e kabinetit.

REAGON EDHE MICOTAKIS

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis sulmoi të hënën presidenten e re të Maqedonisë së Veriut për refuzimin e përdorimit të emrit të ri të vendit të saj kur ajo bëri betimin e saj.

Vendi ballkanik shtoi prapashtesën “e Veriut” në emrin e tij në 2018 për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë, e cila për vite bllokoi përpjekjen e Shkupit për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Greqia ka gjithashtu një provincë të quajtur Maqedonia, e cila kufizohet me fqinjin e saj verior, dhe të dy vendet kanë qenë gjithashtu në mosmarrëveshje për trashëgiminë e Aleksandrit të Madh, i cili krijoi një nga perandoritë më të mëdha të lashta në histori.

Në betimin e saj të dielën, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha se ajo do të “respektojë kushtetutën dhe ligjet dhe…mbron sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”.

Kjo bëri që ambasadori i Greqisë në Shkup të largohej nga ceremonia e inaugurimit në shenjë proteste, sipas raporteve të mediave lokale.

Dhe të hënën, Mitsotakis e sulmoi atë. “Zgjedhja provokuese e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit të saj dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një nismë e paligjshme dhe e palejueshme”, shkroi ai në X, dikur Twitter.

Ambasadorja e Greqisë në vend, Sofia Philippidou, menjëherë pas betimit u largua nga salla plenare parlamentare në shenjë proteste. Ambasada greke tha se këtë e ka bërë me udhëzim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Bashkimi Evropian shprehu keqardhjen që presidentja Siljanovska-Davkova nuk e përdori emrin kushtetues

Në një deklaratë të shkurtër, shërbimi për shtyp i Bashkimit Evropian shprehu keqardhjen që presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në deklaratën e saj zyrtare nuk e ka përdorur emrin kushtetues të vendit, por vetëm Maqedoni. “Bashkimi Evropian rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”.

Të fundit