E enjte, 30 Maj, 2024

SFIDA E ZBATIMIT TË PROCESIT TË BOLONJËS

Pavarësisht nga imperativi i zbatimit të parimeve të Procesit të Bolonjës, në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur ndonjë analizë më të thelluar se deri ku ka mbërritur ky proces. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës theksojnë se Ligji për Arsimin e Lartë, i cili është relativisht i ri, i miratuar në vitin 2018, është plotësisht në përputhje me standardet evropiane të cilësisë, garanton autonomi dhe pavarësi në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë. Nga kjo ministri theksojnë se sfidat e vërejtura në zbatimin e Procesit të Bolonjës aktualisht janë duke u tejkaluar dhe një nga ato që i kushtohet vëmendje është përmirësimi i vlerësimit të jashtëm të institucioneve të arsimit të lartë, të cilat së bashku me akreditimin e programeve të studimit janë aktivitete kyçe në ruajtjen e cilësisë së sistemit të arsimit të lartë.

 

Deklarata e Bolonjës e vitit 1999, që më pas do të njihet gjerësisht me emrin Procesi i Bolonjës, realisht shënon një fazë të re në sistemin arsimor europian, që synon reformimin dhe unifikimin e gjithë sistemit arsimor europian. Praktikisht me Procesin e Bolonjës synohej unifikimi i tregut të arsimit të lartë, në mënyrë që studentët të mund të punësoheshin kudo në Europë. Nëpërmjet Deklaratës së Bolonjës, gjithashtu u shpall edhe objektivi i krijimit të një sistemi arsimor të bazuar në cikle studimesh: cikli i parë, me një kohëzgjatje së paku trevjeçare, që duhej të përbënte një kualifikim optimal për punësimin e studentëve në tregun europian të punës, ndërsa cikli i dytë përbëhej nga studimet master ose doktoratës.

Në një kuptim më të thellë, Procesi i Bolonjës ka si qëllim të krijojë Hapësirën e Arsimit të Lartë Evropian, duke synuar njëkohësisht standarde për diplomë akademike dhe standarde për sigurim të cilësisë më të përputhshme në tërë Evropën.

Parimet bazë të Procesit të Bolonjës u konceptuan fillimisht nga Deklarata e Sorbonës për Harmonizimin e Arkitekturës së Sistemit Evropian të Arsimit të Lartë, nënshkruar më 25 maj 1998 nga Ministrat e Arsimit të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Deklarata e Sorbonës fokusohet në përmirësimin e transparencës ndërkombëtare të programeve dhe njohjes së kualifikimeve nëpërmjet konvergjencës graduale drejt një kuadri të përbashkët kualifikimesh dhe ciklesh studimi. Procesi i Bolonjës synon gjithashtu lehtësimin e lëvizshmërisë së studentëve dhe profesorëve në Evropë dhe integrimin e tyre në tregun evropian të punës

TRAJEKTORJA E PROCESIT TË BOLONJËS NË MAQEDONINË E VERIUT

Maqedonia e Veriut i bashkohet Procesit të Bolonjës me nënshkrimin e Deklaratës së Bolonjës, në takimin ministror të mbajtur në Berlin në shtator të vitit 2003. Pikërisht me nënshkrimin e kësaj deklarate, Maqedonia e Veriut gjegjësisht, institucionet arsimore në vend, marrin obligime që të zbatojnë imperativët dhe parimet e Procesit të Bolonjës, që mes tjerash nënkupton krijimin e një zone të vetme evropiane për arsimin e lartë, sigurimin e mobilitetit të studentëve dhe personelit akademik dhe njohja e diploma duke përdorur ECTS si mjet universal, prezantimin e studimeve me tre cikle që do të finalizoheshin me diploma të krahasueshme të plotësuara me suplement diplome, ngritjen e nivelit të cilësisë së shërbimeve arsimore në institucionet akademike si dhe forcimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore si kusht për avancimin e veprimtarisë së arsimit të lartë.

Në kuadër të këtij procesi, në vitin 2008, në Maqedoni e Veriut, hyri në fuqi Ligji i ri për Arsimin e Lartë, i cili përfshinte plotësisht sistemin e studimit të Bolonjës. Ligji prezanton tre ciklet e arsimit të lartë: ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare dhe ciklin e tretë të studimeve të doktoratës. Pjesa më e madhe e sistemit të arsimit të lartë, duke përfshirë edhe fakultetet juridike, fillojnë të aplikojë Sistemin Evropian të Transferit të Kredive, i cili paraqet një sistem unik të vlerësimit sasior të përpjekjeve të investuara të studentëve në përvetësimin e njohurive, aftësive dhe shkathtësive të parashikuara si program studimi.

Gjithashtu, për të qenë në sinkron me Procesin e Bolonjës, në vitin 2010 nga qeveria miratohet Korniza Nacionale e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë, nëpërmjet së cilës synohej që institucionet e arsimit të lartë, studentët dhe punëdhënësit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të punojnë dhe garojnë në kontekstin evropian dhe ndërkombëtar.

NDËRTIMI I HAPËSIRËS SË RE EUROPIANE TË ARSIMIT TË LARTË

Pavarësisht nga imperativi i zbatimit të parimeve të Procesit të Bolonjës, në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur ndonjë analizë më të thelluar se deri ku ka mbërritur ky proces dhe sa këto parime tashmë janë jetësuar në sistemin e arsimit të lartë. Në një fazë të mëhershme është theksuar nga ekspertët se në pjesën më të madhe të segmenteve të realizimit praktik të procesit të Bolonjës, pothuajse nuk ka analiza, sigurisht nëse nuk merret parasysh vetëvlerësimi i fakulteteve. Shumë pak flitet publikisht për zbatimin e sistemit, dhe secili nga aktorët e përfshirë në zbatimin e Procesit të Bolonjës zhvillon “të vërtetën e vet”.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se Maqedonia e Veriut është pjesë e përkushtimit më të gjerë për ndërtimin e një hapësire të re evropiane të arsimit të lartë, proces që filloi me nënshkrimin e Deklaratës së Bolonjës dhe është zbatuar plotësisht në vendin tonë.

“Dëshirojmë të theksojmë se kuadri ligjor, pra Ligji për Arsimin e Lartë i cili është relativisht i ri – i miratuar në vitin 2018 është plotësisht në përputhje me standardet evropiane të cilësisë, garanton autonomi dhe pavarësi në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë”, theksojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Gjithashtu nga kjo ministri theksojnë se është ngritur ndjeshëm niveli i bashkëpunimit dhe i veprimit të përbashkët të institucioneve që punojnë në ngritjen dhe ruajtjen e cilësisë së arsimit të lartë, si dhe janë krijuar një sërë institucionesh dhe organesh të reja, si Agjencia për Cilësi e Arsimit të Lartë dhe të Këshilli Nacional i Arsimit të Lartë dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore.

Gjithashtu bëhet e ditur se sistemi i arsimit të lartë i përshtatet nevojave të tregut të punës, gjegjësisht shoqërisë, dhe ai nivel është ngritur ndjeshëm dhe rezultati përfundimtar është zvogëlimi i papunësisë tek popullata e re. “Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se me procesin e Bolonjës u krijuan kushte për bashkëpunim mes universiteteve në mbarë Evropën, me qëllim nxitjen e inovacionit dhe krijimin e burimeve të reja. Universitetet tona po e thellojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin, veçanërisht në rajon, dhe praktikat pozitive evropiane po integrohen në programet që ofrojnë”, theksojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

SINERGJI PËR KORRIGJIME TË VAZHDUESHME NË ARSIMIN E LARTË

Këshilltarja shkencore dhe profesoresha e rregullt në Institutin për Shkenca Sociale dhe Humaniste (IOHN) dhe njëherësh  drejtoreshë e këtij instituti, Katerina Kollozova, thotë se në Maqedoninë e Veriut, Procesi i Bolonjës nuk zbatohet në masën e duhur, sepse ka një ligj që është në kundërshtim me EGS (Udhëzimet dhe Standardet Evropiane), të cilat janë një mjet i Bolonjës së bashku me manualin Erasmus për njohjen e kredive dhe kualifikimeve, dhe është jo vetëm në kundërshtim por edhe në shkelje të tyre dhe të gjitha akteve të Procesit të Bolonjës, me të cilat jemi të lidhur si shtet. Sipas Kollozovës, Raporti i zbatimit i vitit 2018 tregon se vetëm Maqedonia dhe Shqipëria kanë një shkallë të tillë të centralizimit të njohjes së kualifikimeve që, së bashku me disa republika post-sovjetike, janë nën ombrellën e ministrive, qeverisë qendrore. Raporti për vitin 2020, thotë ajo, nuk ka të dhëna për Maqedoninë, askush nuk ka raportuar asgjë, shabllonet e të dhënave për Maqedoninë janë futur dhe lënë bosh dhe askush nuk i ka plotësuar.

“Dhe e gjithë Qeveria po dështon sepse në Strategjinë e tyre të Arsimit 2021-25 as përkojnë me periudhën Erasmus 2021-2027, as nuk e përmendin Erasmusin. Zona arsimore evropiane,  sektori ku zbatohet Bolonja, ka si mjet kryesor programet Erasmus+, thjesht Bolonjë pa Erasmus nuk ka. Por, qeveria jonë ka vendosur se kjo nuk është e rëndësishme, të paktën kështu duket”, thotë Kollozova.

Pikërisht për të sensibilizuar dhe ngritur vetëdijen mbi Procesin e Bolonjës, IOHN i udhëhequr nga Kollozova, së bashku me Forumin për Politika të Arsyeshme (FRP) dhe Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), tashmë janë duke implementuar projektin “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës” për të inkurajuar reformat në arsimin e lartë, i cili mbështetet financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit CIVICA Mobilitas.

“Në bazë të Forumit që po krijojmë, gradualisht do të ndërtojmë një rrjet njerëzish me mendje të njëjtë dhe madje do të inaugurojmë një aleancë/rrjet informal të politikëbërësve, aleatëve mediatikë, organizatave studentore, komunitetit të biznesit dhe civil dhe sektori akademik. Ai do të synojë të ushtrojë një ndikim të vazhdueshëm në diskursin publik si dhe në avokimin e drejtpërdrejtë, pavarësisht nga përkatësia partiake, çdo aleat në nivelin e një vizioni të përbashkët politikbërës është i mirëpritur. Në këtë mënyrë kontribuojmë në uljen e polarizimit të përgjithshëm të shkaktuar nga tensionet ndërpartiake”, thotë Kollozova.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës theksojnë se sfidat e vërejtura në zbatimin e Procesit të Bolonjës aktualisht janë duke u tejkaluar dhe një nga ato që i kushtohet vëmendje është përmirësimi i vlerësimit të jashtëm të institucioneve të arsimit të lartë, të cilat së bashku me akreditimin e programeve të studimit janë aktivitete kyçe në ruajtjen e cilësisë së sistemit të arsimit të lartë.

Implementimi i plotë dhe cilësor i parimeve të Procesit të Bolonjës mbetet një sfidë më vete që sipas ekspertëve kërkon një përfshirje më të madhe të gjithë aktorëve që përbëjnë këtë fushë. Sipas tyre, është një proces që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe gjithnjë imponon horizonte të reja në fushën e unifikimit të sistemit arsimor me atë europian.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

Të fundit