Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që janë në kundërshtim, si me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, ashtu edhe me marrëveshjet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut (RSM). Kështu thuhet në qëndrimin e kryeministrit bullgar në detyrë, Dimitar Glavçev, me rastin e inaugurimit të Gordana Siljanovska-Davkovës.
Ky, siç raporton agjencia bullgare e lajmeve BTA, është edhe qëndrimi i presidentit bullgar Rumen Radev, të cilin më herët gjatë ditës e ka bërë të ditur shërbimi për shtyp i kabinetit të tij, – përcjell kdp.mk.
“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen rigorozisht. Jemi të bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut varet tërësisht nga zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat është anëtare, si dhe nga ajo e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik 2022”, thuhet në njoftimet nga bineti i Gllavçevit dhe ai Radevit.
Të dy zyrtarët e lartë bullgarë rikujtojnë gjithashtu se Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-s, nga burojnë obligimet dhe përgjegjësitë përkatëse.
Presidentja e sapozgjedhur, Gordana Siljanovska-Davkova të dielën mori detyrën pas betimit para Kuvendit, duke mos shqiptuar në emrin e shtetit prapashtesën e “Veriut”, gjë që shkaktoi një valë reagimesh nga Greqia dhe BE-ja për respektimin e Marrëveshjes së Prespës të vitit 2018.