E enjte, 2 Maj, 2024

TRE SKENARË TË MUNDSHËM NGA PËRPLASJA NË BDI

Situata brenda BDI-së është me interes për qytetarët, jo sepse na interesojnë punën e brendshme brenda partisë së tyre, por sepse si partia e dytë në koalicionin qeverisës dhe më e madhja brenda shqiptarëve në RMV dikton edhe skenën politike dhe trajektoren e zhvillimit të shtetit. Ndryshe nga herë të tjera, kjo përçarje në BDI nuk do të nxjerr fitues, ndonëse Ali Ahmeti mund ta fitojë betejën por do ta humb luftën. Me shumë gjasë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të përfundojnë me nga një parti në çdo mëhallë.

Shkruan: Sefer Selimi  Jr.

Janë bërë më shumë se dy vite që kriza në Bashkimin Demokratik për Integrim rritet ngadalë por në vazhdimësi. Filloi menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, kur Ali Ahmeti vendosi që të gjithë kabinetin qeveritar, përveç propozimit të ministrit për arsim, ta përzgjedh vetë ai – pa ndërhyrjen dhe miratimin nga degët e partisë. Arsyetimet fillestare për të tejkaluar krizën e shkaktuar nga ky vendim ishin që qeveria do të pësoj rikonstruim brenda gjashtë muajsh dhe vërejtjet do të shqyrtohen dhe adresohen. Ja ku jemi një vit para përfundimit të mandatit, me dy rikonstruksione të qeverisë dhe kabineti qeveritar i BDI-së qëndron i pandryshuar, ndërkohë që javët në vazhdim do të diktojnë trajektoren e BDI-së për të ardhmen. Nuk do të hy në argumentime nëse njëra palë apo tjetra kanë të drejtë sepse në esencë të dyja luftën e zhvillojnë për pushtetin brenda partisë që do t’i sillte apo mbante në pushtetin e qeverisë – kaq e thjeshtë është – ndonëse të dyja palët kanë ndërtuar argumentet e tyre për këtë përplasje brendapartiake.

Bashkimi Demokratik për Integrim në gati 22 vite veprimtari politike ka kaluar kriza të ngjashme, madje  edhe shumë më të ashpra duke përfunduar në konflikte të armatosura me viktima njerëzore. Por dallimi është konteksti kohor, ai rrethanor dhe më kryesorja forma e kësaj krize është unike. Cilët janë tre skenarët kryesore që përfliten:

– Ngufatja e ngadaltë e “grupit të zjarrit” në stilin Ahmetian: Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, i cili paraqitet si arsyeja kryesore e pakënaqësisë së fraksionit të udhëhequr nga deputeti Izet Mexhiti, për kundërbalancë dhe për diferencim të mëtejmë brenda strukturës proklamoi ‘’frymën Ahmetiane’’. Në fakt, kjo më shumë duke dashur që të betonojë mbrojtjen e tij përmes nxjerrjes së figurës së Ali Ahmetit në front të parë të kësaj përplasjeje. Nëse do të analizohet ‘’fryma Ahmetiane’’ në përplasje të këtilla në të kaluarën, ajo që mund të vërejmë është që ashtu siç edhe me shumë krekosje ‘’Ahmetistët’’ duan të proklamojnë, vërtetë Ali Ahmeti deri më tani nuk ka përjashtuar asnjë nga partia, por ama ka bërë gjithçka të mundshme për t’ua bërë të pamundur qëndrimin e mëtejmë në parti. Dhe kjo ka funksionuar falë durimit strategjik për të cilën karakteristikë është i njohur stili i tij udhëheqës. Në të kaluarën kjo ka rezultuar që kryengritësit brenda partisë ose të nënshtrohen plotësisht, pa pikë dinjiteti dhe të nënçmuar të vazhdojnë të mbajnë ndonjë pozitë inferiore ose janë detyruar të vetëlargohen nga partia. Kjo strategji duket se është duke u implementuar edhe me ‘’grupin e zjarrit’’ e që në ditët në vazhdim do të zhvishen nga të gjitha funksionet partiake dhe qeveritare të cilat i mbartin këto figura partiake – me shpresën dhe idenë që pa funksione do të zbehet fuqia e tyre në terren – gjë për të cilën dyshoj shumë.

– Çarje përfundimtare me grupin e zjarrit – ky skenar është më i dëshiruari për grupin e funksionarëve që janë nën presionin e fraksionit brenda partisë. Për ta, kjo çarje përfundimtare do t’iu hapte rrugën për ta kontrolluar partinë pa ndonjë rezistencë apo kokëçarrje – të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme. Ideja që dominon këtë skenar është që ‘’grupi i zjarrit’’ është i fuqishëm vetëm se pas tyre qëndrojnë funksionet dhe sigla e partisë dhe se pesha e tyre në terren nuk është më e madhe se ajo e zyrtarëve qeveritarë. Në fakt, partia nuk duhet të jetë individi por mentaliteti partiak i BDI që është ndërtuar mbi figurën e Ali Ahmetit i cili vitet e fundit duket që është ngujuar në kullën e fildishtë duke dëgjuar vetëm cilët dëshiron ai, e këtu, ata ia thonë vetëm gjërat që shkojnë në favor të tyre. Prandaj, ndonëse kjo çarje mund të sjellë paqe të shkurtër për qeveritarët dhe Ahmetin, do të sjellë kokëdhimbje në zgjedhjet e ardhshme – kurdo që të mbahen të njëjtat.

–  Krijimi i një konglomerati të ri opozitar – fraksioni i funksionarëve të pakënaqur në BDI është duke kalkuluar strategjitë e daljes eventuale. Këto strategji kryesisht zhvillohen mbi kalkulimet e votave të mundshme, dhe ajo që përflitet është një konglomerat i bashkuar opozitar ku do të hynin të gjithë partitë dhe individët të cilët janë jashtë pushtetit dhe nuk ndjehen të përfaqësuar as nga BDI-ja dhe as nga Aleanca për Shqiptarët. Ndërtimi i një koalicioni të këtillë është mjaft i vështirë, së pari për shkak të divergjencave ideologjike dhe konceptuale, e më shumë për shkak të bajraktarizmit se kush do ta udhëheq të njëjtin. Edhe po të arrihet një bashkim i këtillë do të jetë vështirë t’i rezistojë kohës dhe sfidave, aq më tepër një qeverie të ardhshme e cila do të jetë mjaft e koklavitur dhe me plot të panjohura – e në mungesë të një lidershipi të fortë dhe unik do të jetë edhe një faktor ndërlikues dhe me shumë gjasë i padëshiruar për partinë më të madhe qeverisëse.

Situata brenda BDI-së është me interes për qytetarët, jo sepse na interesojnë punën e brendshme brenda partisë së tyre por sepse si partia e dytë në koalicionin qeverisës dhe më e madhja brenda shqiptarëve në RMV dikton edhe skenën politike dhe trajektoren e zhvillimit të shtetit. Ndryshe nga herë të tjera, kjo përçarje në BDI nuk do të nxjerr fitues, ndonëse Ali Ahmeti mund ta fitojë betejën por do ta humb luftën. Me shumë gjasë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të përfundojnë me nga një parti në çdo mëhallë.

Të fundit