E premte, 17 Maj, 2024

STANO: ENDE JO KONSENSUS TË BE-së PËR HEQJEN E MASAVE SHTRËNGUESE PËR KOSOVËN

Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk ka ende konsensus të shteteve anëtare të Bashkimit Europian për heqjen e masave shtrënguese të vendosura ndaj Kosovës. Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrel Fontelles i ka rikujtuar se masat shtrënguese janë vendosur si rrjedhim i përshkallëzimit të situatës midis Kosovës dhe Serbisë dhe se këto masa janë të kthyeshme.

Shkruan: Erisa Zykaj, Bruksel

Këto masa do të hiqen kur shtetet anëtare të vendosin, se nuk ka më arsye që ato të mbahen në fuqi dhe jo kur të vendosin politikanët e Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur deri tani. Shtetet anëtare vazhdojnë diskutimet e tyre. Ne kemi parë ndërkohë zgjedhjet në komunat serbe në Kosovë si një element. Diskutimet e shteteve anëtare vazhdojnë në përputhje me konkluzionet e dhjetorit 2023. Kur të ketë një konsensus të gjerë tê shteteve anëtare për të hequr masat shtrënguese të vendosura ndaj Kosovës në mënyrê graduale apo têrêsisht, ne do t’a komunikojmë këtë”, është shprehur Stano.

Por ndërkohë, sipas zëdhënësit të Borrel, për heqjen e këtyre masave nuk merret parasysh vetëm çështja e rizhvillimit të zgjedhjeve në komunat serbe, të cilat u bojkotuan.

Kur Bashkimi Europian vendosi masat shtrënguese, kjo nuk kishte të bënte vetëm me një çështje, por me disa çështje, hapa dhe elementë. Pra, nuk bëhet fjalë se çfarë është bërë për një çështje të caktuar apo vendosje e masave shtrënguese lidhur me një çështjeje të caktuar. Bëhet fjalë për  një përmirësim të situatës të përgjitshme. Përfaqësuesit e Kosovës janë informuar se cilat janë pritshmëritë e BE-së nê këtë drejtim. Zgjedhjet  janë vetëm një element dhe ne mund të shohim, se si u organizuan këto zgjedhje për herë të dytë dhe çfarë solli bojkotin e përsëritjes së këtyre zgjedhjeve. Masat shtrënguese janë vendosur për arsye të caktuara. Kur shtete anëtarë do të vendosin që nuk ka më arsye për mbajtjen e këtyre masave, atëherë  ato do të vendosin që tê heqin masat shtrënguese në mënyrê graduale apo tërësisht”, ka saktësuar Stano.

*Autorja është bashkëpunëtore e rregullt e KDP-së nga Brukseli.

 

Të fundit