E premte, 19 Prill, 2024

REPUBLIKA E TRETË MAQEDONASE?

Shkruan: Denko Maleski

A ka filluar të ngjajë sistemi politik maqedonas me atë të republikës së tretë franceze? Përkatësisht, parlamenti francez i fragmentuar në parti të vogla, koalicionet e të cilave formuan qeveritë, rezultoi në joefektivitetin e qeverive dhe kohëzgjatjen e tyre të shkurtër. Mesatarisht, jeta e qeverive në republikën e tretë dhe të katërt franceze, ishte 8 muaj. Në kushtet e antagonizmit të theksuar, asnjë parti nuk kishte shumicë parlamentare, si mbështetje për drejtimin e një shteti që përballet me detyra të vështira. Qeveritë franceze gjatë kësaj kohe, nga viti 1870 deri në vitin 1958, mbijetuan duke mbështetur koalicionet e ndërlikuara shumëpartiake, disa prej të cilave nuk kishin mbështetjen e konsiderueshme të votuesve. Megjithatë, ishin ato parti “të parëndësishme” që vendosën për mbijetesën e qeverive dhe tërheqja e tyre nga koalicioni nënkuptonte humbjen e shumicës së ngushtë dhe rënien e tyre. Në qeveri të tilla, roli i kryeministrit është gjithashtu i ndryshëm nga ato që kanë një parti të fortë dhe të disiplinuar pas tyre, siç ishte rasti me Britaninë e Madhe. Prandaj, në vend të qeverisë dhe menaxhojë me punët shtetërore, kryeministri francez u vendos në rolin e pajtuesit të interesave të partive, përfaqësuesit e të cilëve ishin ministra në qeverinë e tij. Në kushte të tilla, asnjë qeveri nuk guxoi të bënte lëvizje politike më radikale, aq të nevojshme për të ardhmen e Francës. Ajo shkaktoi kriza në qeverisje. Kur epiqendra e krizave u transferua nga fusha e brendshme në atë ndërkombëtare dhe kur duhej të merreshin vendime me rëndësi të madhe, sistemi politik francez ishte tashmë i paralizuar. Asnjë qeveri nuk guxoi të zgjidhte problemin e kolonive, popujt e të cilëve luftuan për pavarësinë e tyre me pushkë në dorë. Përballë problemeve të mëdha, institucionet politike franceze ishin të pafuqishme. Edhe disfata e ushtrive të saj në Vietnam dhe kryengritja në Algjeri nuk ishin arsye të mjaftueshme për të ndryshuar politikën e shtetit francez, politika franceze ishte thjesht e pafuqishme përballë sfidave të kohës.

Më në fund, de Gaulle, i cili në vitin 1946 nuk ishte dakord me rregullimin kushtetues vjetër-të ri dhe u tërhoq nga politika, u thirr nga parlamenti për të dalë në krye të një qeverie të re dhe për të propozuar një kushtetutë të re. Gjenerali i përveshi mëngët dhe nisi me punë, duke përpiluar kushtetutën e vitit 1958, e cila do të forcojë kompetencat e presidentit të republikës në kurriz të pushtetit të partive. Me këtë Franca ka filluar të dalë nga kriza e cila, me rebelimin e ushtarëve francezë në Algjeri, e solli vendin në prag të luftës civile. Mësimi nuk është se duhet të kopjojmë zgjidhjet franceze, sepse ato nuk korrespondojnë me realitetin tonë politik, por të kuptojmë se sa e vështirë është të ndërtosh një demokraci të qëndrueshme dhe efikase. E shpallur në vitin 1789, me Revolucionin Francez, demokracia në Francë u stabilizua vetëm pas 129 vjetësh. Demokracia maqedonase është vetëm 31 vjeç dhe ka një rrugë të gjatë për të bërë. Duhet shumë kohë dhe përpjekje, sepse demokracia, në thelbin e saj më të thellë, është një gjendje shpirtërore e njerëzve që është kaq e vështirë të ndryshohet.

Ndërkohë, ne duhet të mësojmë nga përvoja e demokracive të vjetra. Dhe ne jemi përballë vendimeve të vështira në vend dhe në rrafshin ndërkombëtar, të cilat janë të një rëndësie jetike për vendin, por që janë të vështira për t’u kaluar në kushtet e armiqësive partiake. Dhe parlamenti ynë i ngjan atij të republikës së tretë franceze. Dhe ne duhet të përballemi me detyra kolosale: luftën kundër korrupsionit në vend dhe vazhdimin e negociatave me BE-në, po aq të rëndësishme për vendin tonë sa ato me të cilat përballej dikur Franca. Mungesa e një “De Gaulle” në një mjedis ku populli thotë se “askush nuk është bërë hoxhë në fshatin e tij” e ndërlikon situatën. Për shkak të copëzimit tashmë ekzistues, partitë e vogla në Maqedoni kërkojnë një prag minimal elektoral për të hyrë në parlament. Kini kujdes se çfarë dëshironi, thotë një diplomat i huaj, vendi i të cilit po lufton me shumë parti të vogla në parlament, në duart e të cilave është mbijetesa e qeverisë. Ajo që për francezët ishte çështja koloniale, për ne “të jesh apo të mos jesh” janë marrëdhëniet me fqinjët, anëtarët e BE-së. Dhe si në rastin francez të dekolonizimit, sot nuk ka shumë kandidatë për “tradhtarë” të gatshëm për të ndryshuar kushtetutën. E megjithatë, dikush duhet të marrë vendime të vështira dhe jopopullore nëse duam që vendi të ecë përpara.
Bashkëpunëtori i habitur i gjeneralit, i cili nuk mund ta imagjinonte që Franca t’i jepte pavarësinë Algjerisë, bërtiti: “Kaq shumë gjak është derdhur”. Për këtë, De Gaulle përgjigjet: “Asgjë nuk thahet më shpejt se gjaku”. De Gaulle, natyrisht, flet për aftësinë e popujve për të harruar dhe për të vazhduar jetën e tyre sepse realiteti e kërkon këtë. Ashtu si në poezinë e Shimborskës:

Realiteti kërkon
Ta themi edhe këtë
Se jeta vazhdon të rrjedhë.
Vazhdon kaq afër Kanaes dhe Borodinos,
Në Fushë Kosovë dhe Gernikë.

Të fundit