E premte, 17 Maj, 2024

TIRANË: ALI AHMETI SHPALLET QYTETAR NDERI

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, e ka cilësuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, “si një  shqiptar ndër më të mirët të historisë tonë kombëtare”. Rama deklaroi se pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë  e Maqeddonisë së Veriut. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është shprehur se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e kombit shqiptar si modeli i një politikani dhe aktivisti të vërtetë. Disa i hynë politikës me përfytyrimin si aksesor, kurse disa të tjerë i hyjnë politikës të shtyrë nga vokacioni i tyre dhe bëjnë vepra, madje kryevepra. Këta janë ata që mbeten në histori dhe sot jemi dëshmitarë se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë”. Nderimi me titullin “Qytetar Nderi” u propozua nga kryebashkiaku Erion Veliaj me motivacionin: “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rritjen e marrëdhënieve politike, shoqërore dhe ekonomike midis komunitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me qytetarët e Tiranës, dhe forcimin e lidhjes mes komuniteteve për të ndërtuar një klimë të përbashkët të bashkëpunimit dhe respektit ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve”.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, këtë të enjte, i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” i Tiranës, transmeton KDP.MK.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë fjalës së tij, u shpreh se është nder i veçantë që, një mik, frymëzues dhe misionar si Ali Ahmeti ndodhet sot në kryeqytetin shqiptar dhe i bashkohet Tiranës si qytetari më i ri. Kryebashkiaku gjithashtu tha se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë dhe se është modeli i një politikani dhe aktivisti të vërtetë.

Tirana, i ka me pikatore qytetarët e nderit, dhe sot do t’i bashkohet këtij gjerdani, kryetari ynë, lider, misionar kryemësues, Ali Ahmeti. Disa njerëz i hyjnë politikës duke pasur ndërmend një ekskursion të shkurtër, dhe dalin pa lënë asnjë shenjë. Disa i hynë politikë me përfytyrimin si aksesor, ku thjesht t’i shtojnë xhaketës së tyre një medalje, apo një rresht në CV e tyre, edhe këta të padukshëm dhe kollaj të harrueshëm në rrugëtimin e tyre. Kurse disa të tjerë i hyjnë politikës të shtyrë nga vokacioni i tyre dhe bëjnë vepra, madje kryevepra. Këta janë ata që mbeten në histori dhe sot jemi dëshmitarë Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë. Ky është modeli i një politikani dhe aktivisti të vërtetë”, ka thënë Veliaj.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, kreun e integristëve, Ali Ahmetin  e ka konsideruar si “një ndër shqiptar më të mirët të historisë tonë kombëtare”.

Ali Ahmeti është shqiptar ndër më të mirët që vite më parë iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe për të drejta të barabarta kushtetuese të vëllezërve dhe motrave tona në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut, nuk kërkoi as gjakderdhje etnike dhe as hedhjen në erë të shtetit të pavarësuar nga shpërbërja e Jugosllavisë, por vendosi në rendin e ditës së RMV domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve si një subjekt i painjorueshëm i shtetpërbërjes së shtetit fqinj”, tha Rama.

Kreu i qeverisë së Shqipërisë u shpreh se është ende herët për t’u shkruar historia e Ali Ahmetit, por theksoi se “është mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armëve të diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitin tonë kombëtar”.

Rama deklaroi se pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk do të ishin sot në ditën më të mirë të historisë së Maqedonisë së Veriut.

Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë atij shtetit dhe nuk do të kishin dot atë pluralizëm demokratik, aq dinamik, brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare, saqë t’i lejojnë vetes shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet, duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, ka thënë Rama.

Pas marrjes së titullit ‘Qytetar Nderi’, duke falenderuar për mirënjohjen, kryetari Ahmeti tha se Shqipëria, ka treguar gjithmonë zemrën e ngrohtë për shqiptarët kudo që jetojnë.

Dua t’ju falënderoj nga zemra! Kjo është Tirana e Adem Jasharit. Kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, kjo është Tirana e Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit. Kjo nëna, Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj. Me qindra janë dëshmorë, heronj të kombit, që nëna këtu në prehrin e vet i ka mbajtur. Unë dua t’ju falënderoj, por një fjalë e një plaku të urtë na tha: Mos e falënderoni njëri-tjetrin se të gjithë keni punuar në arën tuaj, vetëm puna e mbarë të thuhet për të gjitha punët që bëhen. Mirëpo, vërtetë Shqipëria ka ndarë bukë, kripë e zemër me ne. Me të gjithë ata që nuk janë sot me ne, por është Kosova është shtet, por janë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shtet formues”, tha Ahmeti.

Ahmeti tutje ktheu sytë pas edhe nga historia. Ai tha se: “Kur e kemi nisur veprimtarinë, e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare, dhe nuk kam asnjë rezervë, sepse ka dhe asisoj që thonë,´jo e kemi nisur për demokraci´. Jo, ne e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare, rrethanat ndryshuan, dhe ne ndryshuam strategjinë, duke parë gjeopolitikat, gjeostrategjitë dhe u përkushtuam në çlirim e Kosovës”.

Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me motivacionin: “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rritjen e marrëdhënieve politike, shoqërore dhe ekonomike midis komunitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me qytetarët e Tiranës, dhe forcimin e lidhjes mes komuniteteve për të ndërtuar një klimë të përbashkët të bashkëpunimit dhe respektit ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve”.

Të fundit