E premte, 3 Maj, 2024

MIDIS PERËNDIMIT DHE RUSISË: UDHËKRYQI I RREZIKSHËM I BALLKANIT PERËNDIMOR

Ballkani Perëndimor ngelet udhëkryqi më i rrezikshëm gjeopolitik, me vende që kanë ndasi të mëdha kur bëhet fjalë për orientimet strategjike. Një anketë e porositur nga Instituti Republikan Amerikan (IRI) dhe e realizuar në periudhën shkurt-mars të këtij viti, tregon dallime në mënyrën se si perceptohet Lindja dhe Perëndimi global, apo edhe si shihen ndërmjet tyre si vende fqinj. Nëse për Kosovën dhe Shqipërinë më e rëndësishme është afërsia me Perëndimin, për Serbinë më prioritare duket se është Rusia. 

Shkruan: Xhelal Neziri 

Edhe pse të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), union që i takon Perëndimit Global, hulumtimi tregon se Rusia, megjithatë, vazhdon të shihet me admirim nga një pjesë e konsiderueshme e banorëve të rajonit.

Serbia me Rusinë – kërcënim për rajonin

Në pyetjen se cili duhet të jetë kursi i politikës së jashtme, shqiptarët etnik në rajon rezultojnë si më pro-perëndimorë. Kosova është në vendin e parë me 87% të qytetarëve që mendojnë se vendi duhet të ketë politikë të jashtme ekskluzivisht pro-BE-së dhe Perëndimit. E dyta është Shqipëria, ku mbështetjen për politikën properëndimore e kanë dhënë 87% e të anketuarve.

Në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor mbështetja për politikat properëndimore është nën 50%. Kështu, në Bosnjë e Hecegovinë 39% mendojnë se vendi duhet të ketë vetëm politikë pro-BE-së dhe pro-Perëndimit, 44% mendojnë se duhet mbajtur raporte të njëjta kurse 8% janë shprehur për raporte ekskluzivisht me Rusinë. Në Malin e Zi 36% janë shprehur për marrëdhënie të mira vetëm me BE-në dhe Perëndimin, kurse 3% kërkojnë politikë të jashtme ekskluzivisht pro-Ruse.

Serbia duket se është vendi i vetëm ku më shumë qytetarë kërkojnë politikë të jashtme vetëm në favor të Rusisë (12%), sesa politikë ekskluzivisht pro-BE dhe Perëndimit (10%). Ndërkohë që pjesa më e madhe, apo 31% e të anketuarve, janë për politikë të jashtme të baraspeshuar midis Perëndimit dhe Rusisë, kurse 27% janë për politikë pro-Rusisë duke mbajtur raporte edhe me Perëndimin.

Në Maqedoninë e Veriut (RMV) ka një rënie të mbështetjes së politikave të integrimit në BE dhe të mbështetjes së Perëndimit në përgjithësi, sidomos pas tri vetove radhazi të vendosura nga fqinjë të saj gjatë rrugëtimit drejt strukturave euroatlantike. Në vitin 2008 Greqia vendosi veto për anëtarësimin e vendit në NATO, e cila u zgjodh pas një dekade me miratimin e Marrëveshjes së Prespës që çoi drejt ndryshimit të emrit të shtetit. Në vitin 2019 Franca nuk lejoi nisje të bisedimeve për shkak të kërkesës për metodologji të re gjatë procesit të qasjes në BE, e cila u miratua nga Brukseli një vit më pas. Ndërkohë, vetoja nga Bullgaria daton që nga viti 2020 dhe kushtëzon nisjen e negociatave me ndryshimet kushtetuese për të përfshirë bullgarët etnikë në preambulë, në përputhje me Propozimin Francez të miratuar nga parlamentet e të dyja shteteve në vitin 2022. Si rrjedhojë, anketa e IRI-t tregon se vetëm 31% e qytetarëve të RMV mendojnë se politika e jashtme e vendit duhet të jetë ekskluzivisht pro-BE-së dhe properëndimore, 23% mendojnë se duhet të jetë e baraspeshuar me Rusinë, 12% mendojnë se duhet të jetë properëndimore por duke mbajtur lidhje me Rusinë, 11% thonë se duhet të jetë pro-ruse por duke mbajtur lidhje me Perëndimin dhe 5% kërkojnë politikë të jashtme ekskluzivisht pro-Rusisë.

Edhe sa u përket raporteve me NATO-n, Shqipëria dhe Kosova janë në dy vendet e para. Në Kosovë 88% e të anketuarve mendojnë se anëtarësimi në NATO është marrëdhënia më e mirë me këtë organizatë, që është më i lartë në krahasim me vitin 2022 kur për anëtarësim kanë qenë 75% e të anketuarve. Në Shqipëri ky disponim është 85%.

Në Maqedoninë e Veriut anëtarësimin e në NATO e përkrahin 52%, që shënon rritje në krahasim me vitin 2022, ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë është 50%, duke shënuar rënie të lehtë krahasuar me dy vite më parë. Në Malin e Zi mbështetja e anëtarësimit në Aleancë është 39%, një rënie prej 2% krahasuar me vitin 2022, kurse në Serbi vetëm 3% dëshirojnë anëtarësim.

Përveç në mënyrën e perceptimit të Perëndimit dhe Rusisë, dallime të mëdha vërehen edhe në pjesën e identifikimit të shteteve mike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu, për Kosovën dhe Shqipërinë miku më i madh është SHBA, kurse për Serbinë – Rusia. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e shohin Serbinë si mikun më të madh të tyre, ndërsa BeH – Turqinë.

Laramani përgjigjesh ka edhe sa u përket kërcënimeve më të mëdha ndaj këtyre shteteve. Shqipëria, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina e shohin Serbinë, ndërsa Maqedonia e Veriut sheh Bullgarinë si kërcënim më të madh. Serbia dhe Mali i Zi, ndërkaq, e shohin SHBA-në si kërcënim më të madh.

Kur jemi te Rusia, si kërcënim e kanë adresuar 32% e të anketuarve në Shqipëri, 17% në Mal të Zi, 15% në BeH, 12% në Maqedoninë e Veriut dhe 8% në Kosovë. Interesant është fakti se në pyetjen se në çfarë shkalle agresioni i Rusisë në Ukrainë është i justifikuar, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve në Serbi (37%) kanë thënë se është krejtësisht ose deri diku e pajustifikueshme. Në Maqedoninë e Veriut këtë mendim kundër Rusisë e ndajnë 53% e të anketuarve, në Mal të Zi 61%, në Kosovë 72% dhe në Shqipëri 82%.

Perceptimi, prania dhe ndikimi

Rezultatet e këtij hulumtimi konfirmojnë lidhshmërinë e perceptimit të Rusisë me praninë dhe ndikimin e saj në vende të caktuara të rajonit. Edhe pse në shumë prej tyre nuk është as në top 10-shin e investitorëve të huaj, apo të partnerëve kryesorë tregtarë, Rusia vazhdon të prodhojë një ndikim të madh me një kosto të vogël. Këtë e arrijnë nëpërmjet propagandës së fuqishme dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme, kryesisht nëpërmjet mediave të reja, gjithnjë duke shfrytëzuar tema që prekin ndjenjat etno-nacionaliste dhe religjioze të shtetasve të rajonit. Nëpërmjet nxitjes së frikës dhe urrejtjes ndaj “tjetrit” në një rajon me një diversitet etnik dhe religjioz, Rusia tenton të mbajë në nivelet më të larta tensionet, të cilat jo vetëm që pengojnë rrugën evropiane, por e bëjnë Ballkanin një vatër të mundshme konflikti që do t’i shërbente Moskës për të zhvendosur fokusin nga Ukraina.

Teksti fillimisht është botuar në portalin The Geopost 

Të fundit