E premte, 17 Maj, 2024

„SERBIA E VITIT 2O50 DHE RAPORTI IM PËR KOSOVËN*“

Pragmatizmi është një resurs i rrallë e njëkohësisht me rëndësi kyçe në politikë dhe të gjithë liderët që kanë arritur ndonjëherë sukses në promovimin e interesit kombëtar të vendit të tyre janë ata që nuk kanë hezituar t’u kundërvihen instinkteve të imagjinatës kombëtare.

Shkruan: Dora Bakoyannis*

Nuk është e nevojshme të jesh ekspert me përvojë për të kuptuar se Serbia i përket Evropës. Shteti ndodhet në bërthamën e kontinentit, i rrethuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, kurse BE-ja tanimë prej dekadash është partneri kryesor tregtar i Serbisë. Prosperiteti dhe qëndrueshmëria e ardhshme e demokracisë në Serbi është e lidhur thelbësisht me marrëdhëniet e saj me BE-në.

Megjithatë, gjatë disa viteve të fundit, perspektivat për integrimin evropian të Serbisë janë në rënie. Këshilli Evropian në dhjetor miratoi një konkluzion mbi vendimet më të afërta në politikën e zgjerimit, që nuk e përfshinë Serbinë; Parlamenti Evropian votoi në shkurt se shtetit duhet t’i suspendohen mjetet financiare të BE-së për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore; kurse Komisioni Evropian shprehu zhgënjimin e fortë për ngecjen në bisedimet për normalizimin me Prishtinën.

Njëkohësisht, për të gjithë ne që ëndërrojmë një Serbi prosperuese evropiane, marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, rastet e fundit të liberalizmit, si dhe retorikat anti-BE-së që po përsëriten në diskursin politik, shkaktojnë shqetësim të madh.

Kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) më emëroi si raportuese për kërkesën e Komitetit të Ministrave për një opinion për kërkesën e Kosovës për anëtarësim, të gjithë ishin të vetëdijshëm për lidhjet e mia të veçanta me Serbinë dhe popullin serb.

Kjo jo vetëm për shkak se unë përfaqësoj një shtet anëtar që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës*, por edhe për shkak të punës sime për integrimin evropian të Serbisë. Për herë të parë e vizitova Beogradin në vitin 1993 së bashku me babanë tim, Konstantin Mitsotakis, kryeministër i atëhershëm i Greqisë. Gjatë 30 viteve të ardhshme, pata mundësinë të mbështes Serbinë në çdo rol që mora, përfshirë funksionin e Ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë nga viti 2006 deri në 2009 dhe të Kryesueses së OSBE-së më 2009.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare – nuk është pjesë e Bashkimit Evropian – e përkushtuar ekskluzivisht për promovimin e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Evropë.

Prandaj, për dallim nga organizatat e tjera ndërkombëtare, procesi i anëtarësimit ka qenë historikisht i thjeshtë (46 nga 49 shtetet evropiane janë tashmë anëtare), sepse anëtarësimi është i domosdoshëm përpara se qytetarët të kenë qasje në “mjetet” demokratike të Këshillit të Evropës.

Raporti im këshillues jo obligues, iu kushtua ekskluzivisht të drejtave të njeriut, si dhe nevojës që dy milionë evropianë të sillen nën ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës. Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme për komunitetin serb në rajon, të cilit për dekada iu mohua e drejta për të paditur autoritetet në Prishtinë për shkelje të të drejtave të njeriut para Gjykatës ndërkombëtarisht të njohur.

Për të marrë një opinion pozitiv, më deshtën 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë Veriore dhe Bruksel, një ekip juristësh të specializuar, dhjetëra mbledhje me qeveri, ambasadorë, kryebashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu ishte e nevojshme që autoritetet në Prishtinë, pas 25 vitesh, t’ia kthenin pronën manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, të tërhiqnin ligjin për eksproprijimin ekspres të pronës serbe, si dhe të nënshkruanin një listë të gjatë marrëveshjesh lidhur me të drejtat e njeriut të cilat mbi të gjitha e vënë minoritetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare.

Asnjë kandidati për anëtarësim kurrë nuk ka qenë i detyruar të zbatojë kaq shumë reforma përpara se organizata të fillojë të diskutojë për pranimin e saj. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare votuan pro raportit.

Në anën tjetër, u përmend qartë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nuk do të mbajë qëndrim nëse Kosova është shtet. Gjatë fjalimit tim në plenum, theksova se “nuk do ta merrja funksionin e raportueses nëse Komiteti i Ministrave do të më kishte obliguar të shpreh qëndrimin tim nëse Kosova është shtet dhe do të pajtohesha me qëndrimin e shtetit tim”, duke mohuar çdo marrje në shqyrtim të anëtarësimit të Kosovës në organizatë.

Mirëpo, kjo nuk u kërkua. Njohja ose mosnjohja e pavarësisë mbetet e drejtë e shteteve.

Pavarësisht gjithçkaje që u përmend, udhëheqja e Serbisë më sulmoi personalisht. Unë jam cilësuar si një tradhtare e paturpshme që minon marrëdhëniet dypalëshe të shteteve tona. Asgjë nuk është më larg nga realiteti. Mirënjohja publike e përpjekjeve të mia nga At Sava, igumeni i Manastirit Visoki Deçani, është një dëshmi modeste për këtë. Veç kësaj, duhet përmendur se udhëheqja shtetërore e Serbisë nuk ishte e kthyer gjithmonë kaq shumë nga vetëvetja.

Në vitin 2018, në Forumin Evropian në Albach të Austrisë, presidenti Vuçiq pranoi publikisht se ishte duke negociuar për “korrigjimin e kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës, me ish-presidentin e Kosovës*, Hashim Thaçi.

Përkundër faktit se negociatat për kufijtë nënkuptojnë ekzistimin e dy shteteve (nëse nuk është kështu, atëherë me kë po negocioni?), gjë që e kundërshtoj, kam konsideruar se kjo është një lëvizje guximi nga ana e presidentit Vuçiq e jo një lëvizje tradhëtie. Pragmatizmi është një resurs i rrallë, por njëkohësisht kyç në politikë dhe të gjithë liderët që kanë arritur ndonjëherë sukses në promovimin e interesit kombëtar të vendit të tyre janë ata që nuk kanë hezituar t’u kundërvihen  instinkteve të imagjinatës kombëtare.

Në kërkim të një të ardhmeje prosperuese të Serbisë, nuk ka alternativë të qëndrueshme ndaj Bashkimit Evropian dhe pranimit të institucioneve të demokracisë liberale. Sipas projeksioneve aktuale, Serbia deri në vitin 2050 do të humbasë pothuajse një të katërtën e popullsisë së saj, pasi të rinjtë dhe njerëzit ekspertë emigrojnë në kërkim të punës. Nëse miqtë e mi nga Serbia duan ta kthejnë atë tragjedi, e vetmja rrugë është politika liberale rezistuese ndaj të  ardhmes. Besoj se do të zgjedhë këtë rrugë!

PS: Si dikush që ka qenë në Beograd gjatë bombardimeve, ndjej se më është bërë padrejtësi dhe jam e zhgënjyer për shkak të sulmeve personale nga ana e zërave ekstremë.

*Çdo përmendje e Kosovës, qoftë nëse është fjala për territorin, institucionet apo popullsinë, është plotësisht në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk paragjykon statusin e Kosovës.

*Tekst Autorial i publikuar në: radar.nova.rs/Përktheu: KDP

Të fundit