E martë, 30 Prill, 2024

PERSPEKTIVAT DHE SFIDAT E TREGUT TË PUNËS, BEXHETI: FOKUSI NË KRIJIMIN E KUADROVE PROFESIONALE

Sfidat dhe perspektivat e tregut të punës në Maqedoninë e Veriut- Tranzicioni nga arsimimi në punësim”, ishte tema e Panelit të organizuar nga Universiteti i Evropës Juglindore dhe Fondacioni Fridrih Erbert – Zyra në Shkup, që u mbajt të mërkurën, në Kampusin e Universitetit në Tetovë.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Rektori i UEJL-s, Akad. Abdylmenaf Bexheti, theksoi se UEJL ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për dallimet që ekzistojnë në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, fokusi i universiteteve duhet të jetë në krijimin e kuadrove profesionale, të cilat i kërkon tregu.

Ky është edhe një kontribut i akademisë për të treguar se tregu i punës në Maqedoninë e Veriut është asimetrik dhe këtë paralajmërim në UEJL e kemi thënë shumë më herët. Përqendrimi i universiteteve dhe politikave arsimore duhet të jetë në krijimin e kuadrove profesionale, të cilat i kërkon tregu”, tha Rektori Bexheti.

Drejtori i Fondacionit Fridrih Erbert, Peter Hurrelbrink, dhe Rektori i UEJL-s, Akad. Abdylmenaf Bexheti

Ndërsa Drejtori i Fondacionit Fridrih Erbert, Peter Hurrelbrink, tha se sot “po shënojmë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet fondacionit dhe Universitetit të Evropës Juglindore dhe kontributi i panlistëve e në veçanti i akademisë është shumë i rëndësishëm”.

Panelistë të këtij debati ishin edhe Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Vlladanka Trajkoska, drejtoreshë e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Durim Zekiri drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Avni Ismaili, drejtor për Planifikim Strategjik dhe Buxhet në Agjencinë për Punësim, si dhe udhëheqësja e Qendrës së Karrierës së UEJL-së Lumturije Memedi-Sinani.

Një atmosferë konstruktive u zhvillua edhe në pjesën e pyetjeve të studentëve në kuadër të panelit, ku u parashtruan pyetje për zhvillimin e mundësive të reja për punësim dhe çështje të lidhur me temën kryesore.

Ndryshe, krijimi dhe përshtatja e kuadrove profesionale me nevojat e tregut të punës, janë sfida të rëndësishme për shumë Universitete brenda Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato të Maqedonisë e Veriut. Lidhur me këtë, kohëve të fundit, ka pasur diskutime të vazhdueshme rreth nevojës për të përshtatur kurrikulat e arsimit të lartë universitar me nevojat reale të tregut të punës.

ARSIMI I LARTË DHE TREGU I PUNËS ASSESI TË PËRPUTHEN

Rektori Bexheti, në një intervistë të mëparshme për KDP.MK kishte deklaruar se është e rëndësishme të krijohen struktura dhe oferta të reja që të inkurajojnë studentët të mësojnë më shumë në fushat që kërkon tregu i punës.

Është e nevojshme të shmangen teoritizimet dhe leximet mekanike, dhe të përqendrohemi në zhvillimin e mendimit kreativ. Është me rëndësi që studentët të kenë mundësi të zhvillojnë shkathtësi në mënyrë që të jenë të përgatitur për kërkesat e tregut të punës ”, ka thënë rektori Bexheti.

Në intervistën për KDP.MK, Bexheti poashtu thoshte se brenga për përshtatshmërinë e profileve të përgatitura me kompetencat që i kërkon tregu i punës është një çështje e rëndësishme që është diskutuar gjatë 3-4 viteve të fundit. Ai theksonte se asociacionet ekonomike dhe tregu i punës kanë bërë thirrje për përmirësimin e përgatitjes së studentëve sipas kërkesave dhe aftësive të kërkuara nga tregu i punës.

Një problem i dytë është se shumica e studentëve studiojnë drejtime dhe shkencat socio-ekonomike, humanitare dhe filologjike, ndërsa shkencat teknike dhe ekzakte, të cilat kërkohen nga tregu i punës, janë më pak të preferuara. Kjo bën që hendeku midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës të zgjerohet. Megjithatë, një aspekt pozitiv i kësaj situatë është se asociacionet dhe odat ekonomike po bëjnë thirrje për ndryshim dhe kërcënojnë me pagesën e taksave nëse nuk sigurohet përgatitja e profileve të nevojshme”, ka deklaruar Bexheti.

 

Të fundit