E martë, 30 Prill, 2024

GJUHË E HESHTUR

Edward T. Hall në librin e tij “Gjuha e heshtur” thekson: “Koha flet. Flet më qartë se fjalët. Mesazhi që përcjell vjen me zë të lartë dhe të qartë. Për shkak se manipulohet me më pak vetëdije, i nënshtrohet më pak shtrembërimit sesa gjuha e folur. Mund të bërtasë të vërtetën aty ku gënjejnë fjalët”. Përsëri heshtja e gjuhës. Një heshtje që gjëmon, që nuk i pranon fjalët kuturu, që kërcet së brendshmi nga pritjet e pamundësisë së formulimit. Një heshtje që nuk dëshiron të ngatërrohet vetëm me të tashmen e pastër, që shtrihet në gjithë damarët e gjallnisë dhe plagëve të panumërta që kërkojnë të shërohen. Një heshtje që nuk dëshiron të shndërrohet në fjalë për sa kohë që nuk mund t’i ripagëzojë gjërat në vërtetësinë e vetë. Një heshtje që shndrit më tepër se çdo fjalë e thënë që nuk bart vërtetësi plagësh dhe dhimbjesh të panumërta.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Përballë zhurmës heshtja mbetet një domosdoshmëri. Në fakt nuk është një heshtje e zakonshme, por një monolog i tmerrshëm me veten, një monolog që nis me të hapur sytë dhe pranë vonë pasi nata të ketë shtrirë perandorinë e vetë të qetësisë së përkohshme. Në fakt është heshtja e gjuhës që reziston të shfaqet e përplotësueme dhe më pas e asgjësuar nga slogane, fjalë të ripërsëritshme deri në apati.

Është e martë dhe fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale duket e qetë. Kam ndjesinë se gjërat në politikë po shkojnë drejt një mbrothësie së paku në diskursin publik që duket më i intelektualizuar dhe më paqësor nga herët tjera. Më vijnë si fragmente kundërshtimet politike, argumentet, vizionet dhe idetë që shfaqen të ngurta brenda pozicionit dhe kompetencave të një presidenti. Sidoqoftë, debati po shkon përtej mengeneve të postit dhe shtrihet edhe në dimensione tjera politike me rëndësi për njerëzit. Më duket si një fazë emancipimi politik, pavarësisht vërejtjeve që mund të bëhen. Kjo është politika, një mundësi e debatit të përhershëm të të gjithë aktorëve. Dhe, ne jemi pjesë saj, pjesë e këtij debati që duhet mbi të gjitha të prodhojë ide, horizonte tjera demokratike. Konkurrenca në politikë gjithnjë mund të sjellë kualitete të reja përfaqësimi për qytetarët dhe në demikraci qytetari e ka vullnetin e lirë të zgjedhë përfaqësuesit.

Gjithnjë politikën do të dëshiroja ta shoh në dimensione kualitetesh, debati dhe argumentimi, por edhe prurjesh të reja që mund t’i japin impulse gjithëpërfshirëse jetës njerëzore dhe një humanitet të brendshëm, pa të cilin gjithçka mund të shndërrohet në pragmatizëm akull të ftohtë.

Këtu mund të përfundojnë përsiatjet politike brenda konceptit gjithnjë human, evolues dhe thellësisht emancipues. Në ndërkohë bie perdja, sepse një distancim duket i domosdoshëm për të ruajtur një botëshikim tjetër që buron nga kultura, letërsia, arti përgjithësisht. Në këtë moment fillon ai dialog i mnershëm me veten, ajo pamjaftueshmëri, që politika sado që të përpiqet nuk mund ta mbushë, sepse nuk është në natyrën e saj që ta shoh njeriun në plotëninë e vetë, në gjithë atë gjerësi preokupimesh, vlimesh shoqërore që vijnë nga thellësitë e kohëve të trazuara dhe që rrezikojnë të mbeten në heshtjen e madhe të harresës dhe moslëvizjes. Janë gjithë ato plagë në qenien tonë që është e pamundur t’iu japë përgjigje vetëm politika. Po të shërbehemi me metaforën e Konicës do të mund të themi se duhet ” lëvruar shkëmbi”. Është “shkëmbi” i shoqërisë shqiptare që qëndron para nesh madhështor, por i palëvruar brenda kohës nga parmenda e kulturës, sociologjisë, dhe letërsisë përgjithësisht.

Në këtë pikë udhët ndahen dhe zhurma e politikës përfundon në heshtjen e gjuhës, në atë heshtje që thotë më shumë se gjithçka tjetër, sepse kërkon thellësitë dhe qiejt e qenies njerëzore, kërkon një manifestim dhe mbarështrim përtej pragmatizmit politik. Ky duket të jetë dimensioni i përhershmërisë shqiptare, që kërkon tjera tone gjuhe, tjetër procedim dhe tjetër qetësi thellimi.

Përsëri heshtja e gjuhës. Një heshtje që gjëmon, që nuk i pranon fjalët kuturu, që kërcet së brendshmi nga pritjet e pamundësisë së formulimit. Një heshtje që nuk dëshiron të ngatërrohet vetëm me të tashmen e pastër, që shtrihet në gjithë damarët e gjallnisë dhe plagëve të panumërta që kërkojnë të shërohen. Një heshtje që nuk dëshiron të shndërrohet në fjalë për sa kohë që nuk mund t’i ripagëzojë gjërat në vërtetësinë e vetë. Një heshtje që shndrit më tepër se çdo fjalë e thënë që nuk bart vërtetësi plagësh dhe dhimbjesh të panumërta.

Kjo heshtje do të japë shpirt vetëm kur në sheshin e interesit të përbashkët të fillojnë të shfaqen aktorë tjerë, që do t’i shkojnë pak më thellë realitetit shqiptar, kur do të sjellin në sheshin e diskutimit ndjeshmëri që prekin në ” baltën e baltës shqiptare”, në kaosin e vlerave, në madhështitë e rreme, në mungesën e latimit tè pandërprerë dhe me kompetencë të qenies shqiptare, në gjithë atë gjerësi shoqërore që pret tash sa vite mbrothësi.

Në këtë vijë të gjuhë së heshtur flet edhe Edward T. Hall në librin e tij “Gjuha e heshtur”. “Koha flet. Flet më qartë se fjalët. Mesazhi që përcjell vjen me zë të lartë dhe të qartë. Për shkak se manipulohet me më pak vetëdije, i nënshtrohet më pak shtrembërimit sesa gjuha e folur. Mund të bërtasë të vërtetën aty ku gënjejnë fjalët”, thekson Hall.

Të fundit