E martë, 21 Maj, 2024

ARSIMI I LARTË DHE TREGU I PUNËS ASSESI TË PËRPUTHEN

Përshtatja e kurrikulave universitare me nevojat e tregut të punës, janë sfida të rëndësishme për shumë Universitete brenda Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato të Maqedonisë e Veriut. Lidhur me këtë, kohëve të fundit, ka pasur diskutime të vazhdueshme rreth nevojës për të përshtatur kurrikulat e arsimit të lartë universitar me nevojat reale të tregut të punës. Megjithatë, deri më tani, përpjekjet në këtë drejtim nuk është se kanë pasur ndonjë efekt të dukshëm, dhe në këtë rast lind pyetja se çfarë duhet marrë në konsideratë kur bëhet vlerësimi i përshtatjes së kurrikulave universitare me nevojat e tregut të punës në Maqedoninë e Veriut?

Shkruan: Enis Shaqiri

Sipas rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore, Akademikut Abdylmenaf Bexheti, është e rëndësishme të krijohen struktura dhe oferta të reja që të inkurajojnë studentët të mësojnë më shumë në fushat që kërkon tregu i punës.

Është e nevojshme të shmangen teoritizimet dhe leximet mekanike, dhe të përqendrohemi në zhvillimin e mendimit kreativ. Është me rëndësi që studentët të kenë mundësi të zhvillojnë shkathtësi në mënyrë që të jenë të përgatitur për kërkesat e tregut të punës ”, ka thënë rektori Bexheti.

Në një intervistë për KDP.MK, Bexheti thotë se brenga për përshtatshmërinë e profileve të përgatitura me kompetencat që i kërkon tregu i punës është një çështje e rëndësishme që është diskutuar gjatë 3-4 viteve të fundit. Ai thekson se asociacionet ekonomike dhe tregu i punës kanë bërë thirrje për përmirësimin e përgatitjes së studentëve sipas kërkesave dhe aftësive të kërkuara nga tregu i punës.

Një problem i dytë është se shumica e studentëve studiojnë drejtime dhe shkencat socio-ekonomike, humanitare dhe filologjike, ndërsa shkencat teknike dhe ekzakte, të cilat kërkohen nga tregu i punës, janë më pak të preferuara. Kjo bën që hendeku midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës të zgjerohet. Megjithatë, një aspekt pozitiv i kësaj situatë është se asociacionet dhe odat ekonomike po bëjnë thirrje për ndryshim dhe kërcënojnë me pagesën e taksave nëse nuk sigurohet përgatitja e profileve të nevojshme”, nënvizon Bexheti.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, gjatë një interviste për KDP.MK, ka theksuar se pas përgatitjeve për fillimin e vitit të ri akademik, Universiteti që ai e udhëheq, do të përgatis edhe strategjinë finale të bashkëpunimit, me të gjitha kompanitë në vend, për të parë se cilat janë kërkesat e tregut të punës në përgjithësi, si dhe ku duhet të përqëndrohet UT në veçanti.

Sigurisht do të jetë një nga risit, për arsye se këtu duhet të kemi një qasje të veçant, ne graduliasht pasi të përfundojmë me përgaditjet e fillim vitit të ri akademik, dhe të nis ky vit i ri akademik, do të përgadisim strategjinë e bashkëpunimit, vizitave me të gjitha kompanitë gjigane në vend, dhe të tjera, për të parë se cilat janë kërkesat e tregut të punës në përgjithësi, si dhe ku duhet të jetë fokusi i universitetit në veçanti”, – ka thënë Zejneli.

Në këtë kuptim, ka vazhduar Zejneli “kur të bëjmë thirrje për studentët për të studiuar në ndonjërën prej programeve studimore, synimi është që drejtimi të jetë më produktiv dhe më i lehtë deri në gjetjen e vendit të punës për ta, duke lehtësuar njëkohësisht edhe nevojën e tregut të punës”.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), në tremujorin e dytë të vitit 2023 janë evidentuar mbi 8 mijë vende të lira të punës. Numri më i madh i vendeve të lira, gjegjësisht 2688, është në grupin e pestë të profesioneve punëtorë në veprimtari, shërbimi dhe shitje. Kërkesa më e lartë është në sektorin e minierave dhe guroreve, ndërsa më e ulëta është në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar. Subjektet afariste me numrin e të punësuarve nga 3 deri në 9 kanë përqindjen më të lartë të vendeve të lira të punës, kurse në bazë të rajoneve është ai i Pellagonisë.

 

Të fundit