E enjte, 16 Maj, 2024

STANO PËR DIALOGUN PRISHTINË-BEOGRAD: NUK ËSHTË DËSHTIM I LAJÇAK, POR I KOSOVËS DHE SERBISË

Bashkimi Europian prezanton atë që mund të konsiderohet si bilanc paraprak lidhur me ngërçin e dialogut Prishtinë-Beograd. “Mospërparimi Prishtinë-Beograd nuk është një dështim i Lajçak apo BE-së, por i Kosovës dhe Serbisë për mosarritje rezultatesh në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”. Ky është thelbi i deklaratës së Peter Stano, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe njëkohësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Josep Borrel, gjatë konferencës së mesditës së Komisionit Europian.

Shkruan: Erisa Zykaj, Bruksel

I pyetur mbi mësimet që nxjerr Bashkimi Europian nga dy mandatet e përfaqësuesit special për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, që përfundon në gusht 2024 pa arritur një nënshkrim të marrëveshjes nga të dyja palët, për të cilën Serbia konteston edhe pranimin gojarisht dhe që aktualisht nuk zbatohet nga njëra palë, Stano është përgjigjur:

“Ka një mësim të qartë. Përveçse në rastin kur vetë palët duan të ecin përpara, asnjë nuk mund t’i detyrojë palët të ecin përpara. Roli ynë është që të lehtësojmë dialogun Prishtinë-Beograd dhe të gjejmë zgjidhje bazuar në kompromis për qytetarët e të dyja palëve. Mungesa e progresit në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve nuk është për shkak të perceptimit të dështimit të Bashkimit Europian si lehtësues, por për shkak të dështimit të të dyja palëve për të arritur rezultate. Përfaqësuesi special për dialogun kishte një rol specifik gjatë këtij mandati të këtij legjislacioni. Më parë, ky rol është kryer nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian. Fakti, që 27 shtete anëntare emëruan një përfaqësues specific, tregon përkushtimin tonë për këtë çështje, për të ndihmuar që Kosova dhe Serbia të ecin përpara në një bazë ditore. Nuk është korrekte në nivelin fakteve të thuhet se ky është një dështim i zotit Lajçak. Ai bëri më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe të BE-së. Nuk është korrekte të thuhet se Bashkimi Europian nuk arriti firmosjen e kësaj marrëveshjeje (marrëveshja e Brukselit – Ohër). Ne e kemi thënë disa herë. Kjo marrëveshje (marrëveshja e Brukselit – Ohër) është ligjërisht e detyrueshme dhe nuk ka shprehje më të qartë të kësaj, sesa fakti që kjo marrëveshje tashmë është integruar në procesin e anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës. Nëse të dyja palët nuk ecin me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, ato po cënojnë të ardhmen e tyre europiane dhe përfitimet konkrete për qytetarët e tyre. I mandatuar ndërkombëtarisht, përfaqësuesi i lartë i BE-së është lehtësuesi i dialogut. Cilidoqoftë emri tij, Josep Borrel apo dikush tjetër. Ne jemi ende në procesin e rishikimit të mandatit të përfaqësuesit special për dialogun, i cili është subjekt për rinovim apo tjetë vendim deri në gusht. Nuk ka shembull më të mirë sesa koha dhe përpjekjet që ai i përkushton dialogut, siç është shembulli i raundit te katërt të dialogut për zgjidhjen e çështjes së dinarit për serbët e Kosovës. Si çdo lehtësues, ne mund t’ju themi, se niveli i asaj që mund të arrihet varet nga gatishmëria e palëve për të ecur përpara. Ne duam të ndihmojmë palët. Lidhur me kritikat e disa eurodeputetëve lidhur me punën e përfaqësuesit special për dialogun, ne dëgjojmë po ashtu të tjerë që nuk kanë këtë këndvështrim kritik. Kjo lidhet shumë edhe me përkatësinë e partive politike. Por ajo që mund të thuhet qartësisht, është se sa herë flitet për dialogun Prishtinë-Beograd, ka një mbështetje të shteteve anëtare, të cilët aprovojnë, seleksionojnë dhe kontrollojnë përfaqësuesin special. Lajçak ka mbështetje të plotë nga shtetet anëtare. Sërish e sërish, më duhet të them, se ne duam të ndihmojmë, por nëse palët vijnë duke ia treguar gishtin e fajit palës tjetër, duke vendosur pengesa të reja, apo duke vepruar në mënyrë unilaterale pa konsultim, atëherë ju mund të bëni aq sa të mundni. Mbetet për t’u diskutuar për një mandat të ri të mundshëm për përfaqësuesin special midis përfaqësuesit të lartë të BE-së me shtetet anëtare”.

*Autorja është bashkëpunëtore e rregullt e KDP-së nga Brukseli.

Të fundit