E enjte, 16 Maj, 2024

ANËTARSIMI I RMV-SË NË BE, MË SHUMË INVESTIME E PAGA MË TË LARTA

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) deklaruan për Eurothink se me anëtarësimin në BE, bizneset e Maqedonisë së Veriut do të përfitojnë nga qasja në tregun e vetëm evropian. Pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, OEMVP parashikon investime të mëdha nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare pa tarifa. Në kohën kur Maqedonia e Veriut po bën përpjekje të vazhdueshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, rritja e pagave shfaqet si një hap kritik për të përmbushur standardet e kërkuara. Në mënyrë specifike, ky investim është gjithashtu një masë strategjike për të parandaluar ikjen e fuqisë punëtore nga vendi. Nga ana tjetër, profesori universitar, Ali Maksuti deklaroi për Eurothink se qasja në tregun e vetëm të BE-së mundëson tregti më të lehtë me vendet anëtare të BE-së, duke rezultuar në rritje të eksporteve dhe importeve, të cilat do të nxisin rritjen ekonomike.

Autor: Anëmsha Shabani

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) do të thotë zhvillim ekonomik dhe standard më të lartë jetësor. Përfshirja në tregun e të gjitha vendeve anëtare tregon rritje të investimeve, eksportit dhe qasje të lirë në treg. Për më tepër, fondet e BE-së dhe përmirësimi i standardeve të jetës janë mundësi që mund të ndihmojnë në zhvillim ekonomik dhe sektorin e turizmit. Ky proces kërkon përpjekje për përmirësimin e efikasitetit të institucioneve dhe luftës kundër korrupsionit si kushte për të përfituar nga të gjitha këto avantazhe.

Ndihmë për eksportin dhe investitorët e huaj

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) deklaruan për Eurothink se me anëtarësimin në BE, bizneset e Maqedonisë së Veriut do të përfitojnë nga qasja e lirë në tregun evropian, duke e shfrytëzuar mundësinë dhe potencialin për zgjerim të tregtisë dhe rritje të eksportit.

“BE-ja është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut, duke përshirë 77.5 për qind të eksporteve të vendit dhe 51 për qind të importeve të saj. Duhet të potencojmë edhe programin “Horizon Europe 2021-2027” i cili është një burim i financimit për kërkime dhe inovacione me një buxhet prej 95.5 miliardë euro, kjo mundësi është në dispozicion për kompanitë me seli në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke përdorur këto burime, bizneset mund të zhvillohen dhe të kontribuojnë në rritjen e ekonomisë së tyre dhe të vendit. Në të njëjtën kohë, bizneset duhet të jenë të përgatitura për ndryshime të rëndësishme në rregullat e tregtisë, standardet dhe kërkesat e sigurisë së produkteve për të përballuar konkurrencën në tregun e BE-së”, tha Durim Zeqiri nga OEMVP.

Ai shtoi se përputhja me standardet dhe rregullat e BE-së do të nxisë përmirësimin e klimës së biznesit, duke reduktuar barrierat tregtare dhe rritur transparencën dhe sigurinë juridike për bizneset.

Pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, OEMVP parashikon investime të mëdha nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare pa tarifa.

“Investitorët nga jashtë BE-së mund të shohin Maqedoninë e Veriut si një destinacion atraktiv për investime, duke u lejuar të eksportojnë produkte dhe shërbime pa tarifa apo pengesa të tjera tregtare. Këto investime do të shërbejnë për të fuqizuar infrastrukturën, për të promovuar sektorët kryesorë ekonomikë, dhe për të krijuar vende të reja të punës. Vlen të ceket se, anëtarësimi në BE ndikon edhe në stabilitetin politik dhe sigurinë në rajon, faktor i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve dhe krijimin e një ambienti të favorshëm për zhvillimin ekonomik. Është e rëndësishme të potencohet se, ne tashmë jemi shtet anëtarë i NATO- së, dhe se kjo nuk ka luajtur shumë rol të rëndësishëm në aspekt të investimeve të huaja, përderisa ne vetë si shtet nuk punojmë në krijimin e parakushteve të cilat do të stimulonin investime. Këtu kemi fjalë për kornizën ligjore, shtetin e së drejtës, funksionimin efikas të institucioneve, investime kapitale, fuqi punëtore të kualifikuar e kështu me rradhë”, theksoi Zeqiri.

Ai thotë se ne si shtet më tepër duhet të fokusohemi në fuqizimin e kompanive vendore përkatësisht, stimulimin e investimeve të tyre për zhvillim dhe ekspansion, duke e rritur eksportin vendor në raport me atë të kompanive të cilat gjenden në zonat teknologjike industriale të RMV-së.

Rritje e pagave

Në kohën kur Maqedonia e Veriut po bën përpjekje të vazhdueshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, rritja e pagave shfaqet si një hap kritik për të përmbushur standardet e kërkuara. Në mënyrë specifike, ky investim është gjithashtu një masë strategjike për të parandaluar ikjen e fuqisë punëtore nga vendi.

Nga Oda Ekonomike theksojnë se investimi në rritjen e pagave është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe rritjen e aftësive konkurruese të Maqedonisë së Veriut në tregun evropian.

“Hapja e tregut të BE-së do të rrisë konkurrencën për tregun vendas dhe për të përballuar më lehtë këtë konkurrencë, bizneset e RMV-së do të jenë të detyruara të rrisin produktivitetin dhe të ofrojnë paga më të larta për punonjësit e tyre. Faktorë tjetër i cili mund të ndikojë në rritjen e pagave me anëtarësimin e RMV-së në BE janë investimet e huaja dhe ndihmat e tjera për zhvillim ekonomik. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, tash e një vit bën një fushatë të egër sa i përket rritjes së pagave dhe uljes së kontributeve nga 47 për qind të pagës minimale neto, në 32 për qind, me çka të rritet paga minimale në 30.000 denarë, kështu duke mos dëmtuar të hyrat në arkën shtetërore ndërsa paralelisht, të fuqizohet fuqia blerëse sepse si rrjedhojë do të rritet edhe paga mesatare” përfundojnë nga atje.

BE-ja, mundësia e vetme për zhvillimin ekonomik

Nga ana tjetër, profesori universitar, Ali Maksuti deklaroi për Eurothink se qasja në tregun e vetëm të BE-së do të mundësonte tregti më të lehtë me vendet anëtare të BE-së, duke rezultuar në rritje të eksporteve dhe importeve, të cilat mund të nxisin rritjen ekonomike.

“Anëtarësimi në BE mund të tërheqë më shumë investime të huaja për shkak të rritjes së stabilitetit, përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe qasjes në financimin e BE-së. Maqedonia e Veriut do të fitonte qasje në fondet dhe programet e ndryshme të BE-së që synojnë mbështetjen e zhvillimit ekonomik, projekteve të infrastrukturës, zhvillimit rajonal dhe bujqësisë. Rritja e tregtisë dhe investimeve mund të çojë në krijimin e vendeve të punës, uljen e shkallës së papunësisë dhe rritjen e të ardhurave. Infrastruktura e përmirësuar do të jetë ndër prioritet si pjesë e BE-së”, theksoi Maksuti.

Ai shtoi se anëtarësimi në BE shpesh vjen me financim për projekte infrastrukturore, duke përfshirë transportin, energjinë dhe telekomunikacionin, të cilat mund të përmirësojnë infrastrukturën dhe lidhjen e vendit.

“Harmonizimi i standardeve dhe rregulloreve, duke pasur qasje në tregun e BE-së kërkon përputhje me standardet dhe rregulloret e BE-së, të cilat mund të përmirësojnë cilësinë e mallrave dhe shërbimeve dhe të rrisin konkurrencën. Gjithashtu, do të ketë institucione të forcuara në aspektin e ligjit dhe qeverisjes. Anëtarësimi në BE shpesh kërkon përmirësime në qeverisje, sundim të ligjit dhe administratë publike, të cilat mund të kontribuojnë në stabilitetin dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Një pikë tjetër është edhe forcimi i sektorit financiar, duke qenë anëtare e BE-së mund të çojë në integrimin e sektorit financiar të Maqedonisë së Veriut me sistemin më të gjerë financiar evropian, duke rritur aksesin në kapital dhe shërbime financiare”, shtoi ai.

Në përgjithësi, sipas Maksutit, anëtarësimi në BE mund t’i ofrojë Maqedonisë së Veriut mundësinë për të përshpejtuar zhvillimin e saj ekonomik dhe për të përmirësuar standardin e jetesës për qytetarët e saj.

Maqedonia e Veriut është në rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përparuar në integrimin ekonomik, përshtatjen ligjore dhe institucionale, si dhe në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

                                               

 

Të fundit