E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

DAÇIQI, DODIKU DHE VULINI SULMOJNË OSMANIN PËR REZOLUTËN E SREBRENICËS

Politikanë nga Serbia dhe nga Republika Serpska kanë reaguar ashpër ndaj Maqedonisë së Veriut pasi kreu i diplomacisë, Bujar Osmani, tha dje se vendi do të jetë një nga bashkësponzoruesit e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, përcjell KDP.

Osmani njoftoi se Maqedonia e Veriut është një nga bashkësponzoruesit e rezolutës me të cilën kërkohet që 11 korriku të shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995 dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së, veçanërisht Serbisë, që të mbështesin atë rezolutë.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, siç raporton DW në gjuhën maqedonase, e ka vlerësuar atë akt si “paturpësi” dhe i ka bërë pyetje Osmanit – a dëshiron që bashkë me Serbinë të paraqesë rezolutë për gjenocidin e serbëve në Jasenovac?

“Ky është cinizmi që ekziston në zonat tona, se është e rëndësishme të bëhet një politikë antiserbe dhe mbi të gjitha ne jemi të ftuar të marrim pjesë në të. A duhet të jemi në anën e nazistëve për t’u respektuar?”, tha Daçiq në TV B92, transmeton MIA.

Daçiq vlerësoi se këtë dokument do ta propozojnë “vendet më të mëdha gjenocidale”.

“Pse nuk ka rezolutë për gjenocidin gjerman kundër serbëve apo gjenocidin turk kundër armenëve apo serbëve në shtetin e pavarur të Kroacisë”, pyeti Daçiq, duke deklaruar se “Gjermania, Holanda dhe Belgjika kryen gjenocid kundër miliona njerëzve në Afrikë.”

Sipas kreut të diplomacisë serbe, ata që kanë kryer “krimin në Srebrenicë” duhet të mbajnë përgjegjësi për të, por për Serbinë është “e papranueshme që muslimanët janë viktimat e vetme të luftës”. Sipas Daçiqit, rezoluta e dorëzuar nga Gjermania dhe Ruanda, e cila duhet t’i paraqitet OKB-së, ka mbështetjen e 15 vendeve të tjera, përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën, me ç’rast pjesa serbe as nuk ishte pyetur dhe as konsultuar.

Edhe pse Osmani dje tha se nuk pret që mbështetja e rezolutës mund të dëmtojë marrëdhëniet me Serbinë, reagimet nga politikanët serbë ishin të ashpëra.

“Nuk mendoj se mund të prishen marrëdhëniet me asnjë shtet, sepse ne dënojmë gjenocidin dhe kërkojmë që të përkujtohet vrasja e mbi 8 mijë civilëve”, tha Osmani.

Megjithatë, fjalët më të ashpra kundër RMV-së erdhën nga Aleksandar Vulin, ish-ministër serb i Mbrojtjes, i Brendshëm dhe drejtor i Agjencisë Serbe të Informacionit të Sigurisë (BIA) deri në nëntor 2023.

“Serbia është i vetmi vend në kufi me Maqedoninë e Veriut, e cila kurrë nuk i ka kërkuar të ndryshojë emrin, historinë, rregullimin kushtetues apo gjuhën zyrtare”, tha Vulin.

“Kur ata e quanin Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shkupin, ne i quanim Maqedoni. Ne ndamë ilaçet me ta gjatë pandemisë Covid, u dhamë rezervat tona të drithit, miellit dhe sheqerit dhe Kisha Ortodokse Serbe (SPC) i dha Kishës Maqedonase pavarësinë. Maqedonia e Veriut falënderoi serbët për gjithë këtë duke njohur të ashtuquajturën Kosovë, dhe tani me pjesëmarrje aktive në një rezolutë që duhet t’i shpallë serbët komb gjenocidal. Maqedonasit e veriut e dinë se vota e tyre nuk do të thotë asgjë, as kur është fjala për të vendosur emrin apo gjuhën e tyre, e aq më pak për serbët, kështu që ata së paku mund të përmbahen nëse nuk mund ta mbështesin Serbinë. Maqedonia e Veriut me të vërtetë duhet të ndryshojë gjuhën e saj përveç emrit dhe historisë, siç kërkojnë bullgarët, është vërtet budallallëk të përdorësh një fjalor në të cilin nuk ka fjalë për nder, mirënjohje, miqësi, liri, turp”, raporton Novosti deklaratën e Vulinit.

Në këtë drejtim, reagimi më i ashpër erdhi nga presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, se do të nisë “procedurën e shpalljes së pavarësisë” në përgjigje të rezolutës së propozuar.

“Republika Serbska, në përgjigje të rezolutës për Srebrenicën, do të nisë një procedurë për pavarësi. Unë jam krenar për koalicionin qeverisës që po tregon vendosmëri për të zbatuar këto masa të pavarësisë. Me rezolutën për Srebrenicën, elita politike e myslimanëve boshnjakë i bëri vetes një “autogol” serioz. Gjenocidi në Srebrenicë nuk ka ndodhur, nëse do të kishte ndodhur, nuk do të kishte nevojë të përmendej vazhdimisht ajo temë. Gjykatat që kanë vendosur, ato gjykime vlejnë për individët, jo për njerëzit”, ka shkruar Dodik në Instagram.

“Republika Serpska është e qëndrueshme dhe e aftë të mbrohet nga të gjitha sulmet. Asnjë bisedë për pranimin e të ashtuquajturit rezoluta për Srebrenicën nuk do të ekzistojë. Ndarja paqësore është zgjidhja e vetme për të gjithë popujt në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka shkruar Dodik.

Dodik është sanksionuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për përpjekjet e tij për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës së vendit ballkanik në 1995. Masakra e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995 konsiderohet mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të fundit