E mërkurë, 8 Maj, 2024

PSE VAZHDIMISHT PO NA PËRÇAHEN PARTITË?

Ky degëzim i subjekteve politike shqiptare është paksa paradoksal: disa përçahen për t’u bashkuar kurse disa bashkohen për t’u përçarë. 

Shkruan: Xhelal Neziri 

Pas çarjeve në PPD (1994), PDSH (2008, 2015), në BESA (2018, 2023), në BDI (2006, 2016, 2023) dhe Alternativa (2022), “virusi” duket se e ka kapur edhe Aleancën për Shqiptarët (ASH). Pamundësia për të vendosur se cilën rrugë ta marrë partia në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale ka krijuar dy tabore, të cilave duket se do t’u ndahen rrugët. Po përçahet ASH-ja, e cila doli nga përçarja e PDSH-së. Njëjtë si në rastin e përçarjes së Alternativës, e cila doli nga përçarja e BESA-s.

Ky degëzim i subjekteve politike shqiptare është paksa paradoksal: përçahen për t’u bashkuar dhe bashkohen për t’u përçarë.

Çka janë partitë? 

Parti politike paraqet një grup personash, që ndajnë vlera dhe qëndrime të ngjashme, të organizuar për të fituar zgjedhjet dhe për të ushtruar pushtet politik. Ato janë organizime joprofitabile që promovojnë apo zbatojnë një ide politike, me të cilën garojnë në procese demokratike për të fituar më shumë mbështetje.

Kur flasim për realitetin tonë këto definicione duken të papërshtatshme. Këtu demokracia kuptohet si anarki, funksioni si privilegj, pushteti si fuqi, media si propagandë, zgjedhjet si pazar e koalicionet vetëm si numra. Një pragmatizëm i stërtepruar, ku interesi është gjithçka, kurse vlerat dhe parimet – demagogji.

Kjo bën që partitë tona të kenë një cikël të caktuar jetësor. Lindin me bujë e shpresa të mëdha, shuhen në heshtje e pa shumë vëmendje.

A vdes ideja politike apo vetëm partia? 

Ideja është më e fuqishme se njeriu. Ajo nuk vdes asnjëherë. Mund të harrohet një periudhë, por në një tjetër rikthehet sërish.

Në rastin e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) vdiq partia. Ajo ishte partia dhe shkolla politike, nga e cila më pas dolën të gjitha subjektet tjera të shqiptarëve: PDP, PPDSH (më vonë PDSH), PR, PRUP, PDK, BDI, FRD, RDK, DR, LD, BESA, ALTERNATIVA, POPULLI, PDE, LQE…Gati të gjitha vazhduan idenë e PPD-së për barabarësi të shqiptarëve, por në disa raste në forma dhe me mënyra tjera. Aspekti ekonomik nuk ka luajtur shumë rol në perfformimet e tyre, edhe pse ka qenë burim i problemeve. Rrjedhimisht, edhe sot e kësaj dite nuk kemi parti të profilizuara që bëjnë pjesë në aleancën e partive të djathta (EPP), të majta (S&D, PES), liberale (ALDE) apo të gjelbra evropiane (GREEN).

A i përngjan skena politike një reality show?

Për të parë se si funksionon skena jonë politike, mjafton vetëm t’i rikthehemi periudhës nga viti 2017 e këndej. Partnerët e koalicionit qeverisës hyrën dhe dolën njëjtë sikurse edhe banorët e një shtëpie të një reality show (Big Brother).

Të shkojmë me radhë. Në vitin 2017 u formua qeveria që u votua nga 62 deputetë, aq sa numëronin partitë partnere në pushtet – LSDM, BDI, ASH. Një vit më pas, ASH, që kishte tre deputetë, e braktis qeverinë dhe në vend të saj në pushtet hyn Alternativa. Kjo parti sapo ishte formuar, pas një çarje të brendshme të Lëvizjes BESA, e cila doli në skenë në vitin 2015.

Nuk kaluan dy vite, Alternativa ngeli jashtë qeverisë, ndërkohë që pjesë e saj u bë Lëvizja BESA. Ajo kishte lidhur një koalicion parazgjedhor me LSDM (2020), i cili i solli një rezultat të kënaqshëm, duke fituar madje 4 deputetë.

Nga zgjedhjet e 2020, LSDM me 46 dhe BDI me 15 deputetë të fituar mbërrinë në shumicën bazike parlamentare, me të cilën votohet Qeveria. Pjesë e këtij pushteti ishte edhe PDSH-ja me 1 deputet.

Një vit më pas sërish ndryshime: BESA braktisi qeverinë, në vend të saj u rikthye Alternativa.

BESA doli me 3 deputetë pasi një tashmë ia kishte marrë LSDM nga lista e përbashkët e zgjedhjeve parlamentare, pas zgjedhjes së Bilall Kasamit për kryetar të komunës së Tetovës. Alternativa hyni me 4 deputetë, aq sa kishte marrë në listën e përbashkët me ASH-në, me të cilën garruan bashkë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pas këtyre manovrave, shumica e re parlamentare numëronte 64 deputetë: 44 të LSDM-së, 15 të BDI, katër të Alternativës, një i PDSH dhe një i pavarur.

Dramë e madhe sërish në fillim të vitit 2023. ASH rikthehet në pushtet, Alternativa del jashtë. Të dyja partitë, si partnerë të një koalicioni parazgjedhor opozitar në zgjedhjet e vitit 2020, fituan 12 deputetë. ASH tash hyn si një partner më me rëndësi pasi ka 8 deputetë, kurse Alternativa me 4 duket e panevojshme. Pesha e ASH-së rritet edhe për shkak të formimit të Lidhjes Demokratike nga Grupit i Zjarrit, një fraksion i BDI-së, e cila pakësoi shumicën parlamentare për tri deputetë.

Ku qëndron problemi?

Kjo tollovi politike është rezultat i defekteve kronike të partive shqiptare: i pari ka të bëjë me mungesën e ideologjisë së qartë te partitë politike shqiptare, e cila do të shërbente si busull që do t’i shpiente në drejtimin e duhur; kurse i dyti është i lidhur me mungesën e vetëdijes institucionale, e cila do të thotë respektim të dokumenteve (statuti është kushtetuta e një subjekti), normave, rregullave dhe vendimeve partiake. Pa këtë busull politike këto parti do të vazhdojnë të ecin nëpër mjegull, duke mos parë asnjë kufi etik në garën për të fituar sa më shumë pushtet.

Këto rireshtime dhe rigrupime, megjithatë, janë një moment ideal për definimin ideologjik të partive. Vetëm idetë dhe idealet e tyre mund të mbajnë bashkë grupime dhe persona të ndryshëm. Interesat janë element motivues, i rëndësishëm në politikë, por i rrezikshëm për unitetin e partive apo koalicioneve.

Pa një set vlerash dhe parimesh të njëjta politike, nuk mund të mbahen të unifikuara partitë, e aq më pak të lidhen koalicione afatgjate. Interesi konkret pa vlera dhe parime të përbashkëta politike, jo vetëm që sjell në shpërbërjen e shpejtë të partive dhe koalicioneve, por njëkohësisht nxit klientelizmin politik dhe tkurr numrin e votuesve.

 

Të fundit