E diel, 19 Maj, 2024

TARAVARI PRETENDON SE KA SHUMICËN NË KUVEND, SELA: E KEQPËRDORI BESIMIN

Nisma e kryetarit Arben Taravari merr mbështetjen e shumicës së kuvendarëve të ASH-së, kanë kumtuar nga kjo parti ndërkohë që kryetari i Kuvendit partiak, Ziadin Sela mbante konferencë shtypi në Tetovë, raporton KDP. 

“Pas kumtimit të qëndrimit të djeshëm të Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Dr Arben Taravari, për 24 orë janë mbledhur 80 nënshkrime të kuvendarëve në mënyrë vullnetare nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi, ndërsa procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po vijon. Shumica e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët është qartë për Ndryshimin e Sigurt.Kryetari Taravari bën thirrje pë urtësi, maturi dhe unitet, që BDI përfundimisht të dërgohet në opozitë. Ndryshimi po vjen!”, thuhet në komunikatën e ASH-së, të nënshkruar nga Taravari.

Nga ana tjetër, Sela tha para gazetarëve se organi që ka të drejtë të marrë vendim, është Kuvendi Qendror.

Ai tha se ka caktuar mbledhje të Kryesisë Qendrore për ditën e shtunë.

“Ditën e shtunë, aq sa edhe statuti i partisë më lejon, thirret Kuvendi Qendror i ASH-së. Si kryetar i saj me të drejtën statutare që ma jep statuti, kam drejt që ta thërras Kuvendin e ASH-së, në të cilën do të vendoset përpara përgjegjësisë kryetari i partisë, i cili ka dy muaj që nuk i ka thirrur organet e partisë, nuk është thirrur kryesia e ngushtë, nuk është thirrur kryesia qendrore e partisë, dhe normalisht sipas radhës së gjërave fillimisht çdo vendim, çdo ofertë, edhe gjithçka edhe për negociata me partitë politike”, Sela.

Ai tha se Taravari ka keqpërdorur besimin e themeluesve të ASH-së.

“E kemi dhënë mundin gjakun, sakrificën dhe djersën e kemi dorëzuar te njerëz që iu besuam, e sot konstatoj se u keqpërdoren. Më duhet të jem transparent përpara shqiptarëve dhe kryetarëve të degëve duke u dhënë një mesazh, unë dua ta thërras sa më shpejtë kuvendin qendror sepse po afrohen zgjedhjet, por nga ana tjetër ne po mbahemi në një terr informativ”, tha Sela.

 

Të fundit