E enjte, 20 Qershor, 2024

RIVAL I ZELENSKIT? GJENERALI PËRBALLË PRESIDENTIT UKRAINAS

Konflikti mes presidentit ukrainas Zelenski dhe komandantit të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerij Zalushnij duket se ka arritur në nivel të ri. A ka Zalushnij ambicie politike?

Lajmi pushtoi mediat këtë javë: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski i ka ofruar dorëheqjen gjeneralit mjaft popullor të ushtrisë ukrainase dhe komandantit të Forcave të Armatosura, Valerij Zalushnij. Ky i fundit duket se ka refuzuar. Nuk ka informacione dhe as një dekret zyrtar për arsyet e një dorëheqjeje. Mediat ukrainase ishin bazuar në burime anonime. Zyra e presidentit dha njoftimin më vonë, se Zalushnij nuk është liruar nga detyra. Në rrjetet sociale u vu re një valë solidariteti me gjeneralin Zalushnij. Lajmi për dorëheqjen e mundshme të gjeneralit më të rëndësishëm të Ukrainës që lufton kundër invazionit rus ishte sensacion i dyfishtë. Vetë lajmi si i tillë dhe më tej politika e paqartë dhe kontradiktore e komunikimit të kreut të shtetit. Por lajmi në vetvete nuk habiti shumë vetë.

Presidenti Zelenski dhe komandanti i Forcave të Armatosura, Valerij Zalushnij në një takim qershor 2023Fotografi: Ukrainian Presidentia/ZUMA//IMAGO

Përçarje në marrëdhënien mes Zelenskit dhe Zalushnij

Spekulimet për përçarje në marrëdhënien mes Zelenskit dhe Zalushnijt u shfaqën që në muajt e parë të pushtimit rus, në pranverën e vitit 2022. Në verën e po këtij viti ato u përforcuan. Sipas gjasave arsyeja ishte xhelozia politike e presidentit apo rrethit të tij ndaj gjeneralit popullor, por të dhëna të sakta nuk ka. Atëkohë Zelenski i hoqi dyshimet, mes të tjerash edhe duke publikuar foto të përbashkëta me Zalushnij. Zërat u shuan për një kohë pas kësaj.

Por në nëntor 2023 dallimet në qëndrime mes Zelenskit dhe Zalushnij u bënë papritur publike. Atëherë në një intervistë  dhe në një artikull për revistën Economist Zalushnij bëri të ditur kalimin në luftë llogoresh, jo ofensivë dhe pranoi se kundërofensiva e Ukrainës nuk pati sukses. Zelenski e kundërshtoi atë pjesërisht, dhe tha se nuk ka situatë pati në front. Konflikti u shfaq gjithnjë e më hapur. Duke anashkaluar komandantin e forcave të armatosura, presidenti ndërroi oficerë të lartë të ushtrisë. Zaliushnij i kriitkoi vendimet e presidentit për ndërrimin e të gjithë komisarëve ushtarakë, për të luftuar korrupsionin në mobilizimin ushtarak. Ai u distancua po ashtu nga njoftimi i presidentit për gjoja mobilizimin e kërkuar nga ushtria të gjysmë milioni ushtarëve. Në konferenën vjetore të 2023-t, presidenti tha, se “ka një marrëdhënie pune” me Zalushnij dhe la të kuptohej, se nuk i kanë pëlqyer deklaratat e komandantit të ushtrisë.

Nuk është e qartë, se cila ka qenë arsyeja që Zelenski ia ofroi dorëheqjen Zalushnij, por sinjale për këtë ka pasur prej muajsh. Kështu në fund të nëntorit, deputetja e partisë së presidentit “Shërbëtor i popullit”, në parlament, Marjana Besuhla kërkoi hapur dorëheqjen e Zalushnij dhe e akuzoi atë se nuk ka plan lufte për vitin 2024. Tek zhvillimet që tërhoqën vëmendjen ditët e fundit, ku u shfaqën edhe raportimet supozuese për dorëheqjen e Zalushnij, ishte edhe një ligj i ri për mobilizimin, drafti i të cilit shkaktoi debate në opinionin publik ukrainas dhe u ripunua. Më tej lajmi, se në rajonin rus Belgorod u rrëzua një avion ushtarak rus, Typ II-71. Rusia pretendon, se aty ka pasur duzina të burgosurish ukrainas, që ishin gati për shkëmbimin e të burgosurve, dhe se ishte Ukraina që e qëlloi avionin. Presidenti Zelenski ka kërkuar një hetim ndërkombëtar të katastrofës.

Gjenerali gëzon besim të jashtëzakonshëm

50 vjeçari, Valerij Zalushnij vjen nga një familje ushtarake. Ai lindi në Svjahel të rajonit Shytomyr dhe është një figurë jo tipike. Zalushnij është komandandi i parë i forcave të armatosura të Ukrainës që nuk ka studiuar në një akademi ushtarake sovjetike, por ka studiuar në Ukrainë, mes tyre në Institutin për Trupat Tokësore në Odesa. Pas vitit 2014 ai u ngrit në detyrën e zëvendëskomandandit të grupit në Donbas dhe në vitin 2021 u thirr nga Zelenski të zgjidhej kreu i forcave të armatosura.

Komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerij Zalushnij

Pas pushtimit rus, Zalushnij u kthye shpejt në një simbol të luftës mbrojtëse të suksesshme të Ukrainës kundër trupave ruse. Besimi tek Zalushnij është më i lartë se tek Zelenski, që duket se e ka kaluar zenitin e popullaritetit të tij. Në sondazhet e publikuara në dhjetor 2023, 88% deri në 94% e ukrainasve besojnë tek Zalushnij. Tre të katërtat atëherë ishin kundër dorëheqjes së tij. Mbështetja për Zelenskin lëkundet nga 62 deri në 77%.

Foto të Zalushnij janë pikturuar në mure, për të shkruhen këngë, dhe portreti i gjeneralit gjendet në bluza. Vetë Zalushnij nuk është person që kërkon të jetë shumë publik. Ai jep rrallë intervista, kryesisht për mediat perëndimore. Para pushtimit rus ai ka qenë aktiv në mediat sociale ku publikonte foto të familjes së tij, gjë jo tipike për një gjeneral. Kur profili i tij në instagram u hakerua sipas gjasave nga rusët, Zalushnij reagoi ashpër dhe shkroi për ushtarakët rusë. “Ne do t’iu vrasim të gjithëve.”

Do Zalushnij të bëhet president?

Partnerët perëndimorë e vlerësojnë talentin e tij ushtarak. Portreti i Zalushnij u shfaq edhe në revistën amerikane Time. Por nga Uashingtoni nuk dëgjohen vetëm tone falënderim. Kur kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Bashkuar të Forcave të Armatosura amerikane, gjenerali Mark Milley propozoi në vjeshtë 2022 që Ukraina të mendojë për negociata me Rusinë, Zalushnij u përgjigj publikisht, se ushtria ukrainase nuk do ta miratojë këtë.

Në artikullin për Economist, Zalushnij reflektoi me vetëkritikë për gabime, një rast i rrallë për lidershipin ukrainas. Ai tha, se është i habitur, që humbjet e rënda të Rusisë nuk e kishin ndaluar luftën. Në Ukrainë vetë Zalushnij është kult, por ai ka pasur edhe dështime. Hetimet për pushtimin e shpejtë të jugut ukrainas nga Rusia nuk janë përmbyllur. Si ndodhi që ushtria ukrainase, në shkurt 2022 në rajonet Kherson dhe Zaporishja nuk e përballoi ofensivën ukrainase, megjithëse aty ajo pritej? Sipas mediave, hetuesit kanë folur edhe me Zalushnij.

A dëshiron Zalushnij të bëhet president? Ka të dhëna, që flasin për ambicie të fshehta të tij për postin e presidentit, dhe se ato janë arsyeja kryesore e dallimeve mes Zalushnij dhe presidentit Zelenski, i cili sheh tek komandanti ushtarak një rival potencial politik. Por publikisht Zalushnij nuk ka folur asnjëherë për ambicie politike. Nëse kjo do të ndryshonte një ditë, ai mund të shpresojë në një mbështetje të gjerë të shoqërisë ukrainase.

Marrë nga: DW

 

Të fundit