E diel, 19 Maj, 2024

A DO TË ARRIHET CENZUSI PËR ZGJEDHJET PRESIDENCIALE?

Në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën, 8 maj, do të zhvillohet zgjedhjet e dyfishta: zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, një pyetje mbetet e hapur. A do të jetë e mundur të zgjidhet presidenti i ri i shtetit, pasi ka një prag zgjedhor prej 40 për qind të daljes në votime?

Shkruan: Enis Shaqiri

Më 8 maj qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë në zgjedhjet e dyfishta: ato parlamentaret dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Votuesit për zgjedhjet parlamentare do të mund të votojnë duke rrethuar një nga numrat rendorë përpara 17 listave të kandidatëve për deputetë. Lista e kandidatëve për deputetë ka koalicioni për të ardhmen evropiane të udhëhequr nga LSDM, koalicionin e Fronti Evropian të udhëhequr nga BDI, koalicioni “Maqedonia juaj” e VMRO-DPMNE-së, koalicioni nga blloku opozitar shqiptar “Vlen”, koalicioni i udhëhequr nga GROM, partia politike e Majta, dhe parti të tjera, ndërsa në të njëjtën kohë presidenti aktual Stevo Pendarovski do të përballet me Gordana Siljanovska-Davkova në raundin e dytë të garës presidenciale.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 24 prill, kur në garë ishin  shtatë kandidatë, pjesëmarrja zgjedhore arriti rreth 49 për qind e 1.8 milionëve qytetarëve me të drejtë vote.

Për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit, duhet të marrin pjesë në votime rreth 40 për qind e qytetarëve apo 750.000 votues, që nënkupton në zgjedhje të dalin edhe votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.

Megjithatë, asnjëra prej koalcioneve dhe partive politike nuk u ka bërë thirrje publike votuesve të tyre që të marrin ose të braktisin fletëvotimin për zgjedhjet presidenciale, duke lënë kështu në dyshim nëse zgjedhjet do të arrijnë pragun kushtetues.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në garë janë dy kandidatë: Gordana Silanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE, e cila fitoi 363.000 vota në raundin e parë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski nga LSDM, i cili mori 180 mijë vota.

Nga kandidatët shqiptarë, më shumë vota në rundin e parë mori Bujar Osmani nga Fronti Evropian i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjithsej 120.000 vota. Ndërsa, Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, mori 83 mijë vota.

BDI-ja e cila udhëheq me koalicionin Fronti Evropian publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat apo do të bëjë ftesë për bojkot.

Fronti Europian nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket zgjedhjeve presidenciale. Është në të drejtën e qytetarëve të vendosin se si do të sillen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Janë të lirë, në bazë të vullnetit të tyre të lirë, ata duhet të vendosin se si do të sillen”, ka theksuar Arbër Ademi nga Fronti Evropian.

Edhe nga koalicioni VLEN nuk kanë bërë thirrje për dalje në votime për zgjedhjen e presidentit, por bazuar në qëndrimet e drejtuesve të saj, dhe takimit të 6 majit të Arben Taravarit me kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si edhe qëndrimeve të eksponentëve të saj në rrjetet sociale, atëherë votuesit e saj mund të dalin në votime për zgjedhjen e presidentit. Izet Mexhiti njëri nga drejtuesit e koalicionit VLEN, ka thënë se nuk është mirë të bojkotohen zgjedhjet presidenciale nga shqiptarët, por të votohet kandidati që mendojnë se është më i mirë.

Edhe për kandidat për president nuk prejudikojmë, nuk është mirë të bojkotohen por të votojnë kandidatin që secili votues mendon se është më i miri”, ka thënë Izet Mexhiti nga VLEN.

Mbështetje për asnjërin prej kandidatëve nuk kërkon as Maksim Dimitrievski, i cili u rënditë i katërti me 83.856 vota, para Taravarit.

Ne jemi parti demokratike dhe në përputhje me demokracinë e tillë e cila mbizotëron në parti, thërras qytetarët që sipas bindjes së tyre të vendosin për atë kandidat për të cilin mendojnë se duhet ta japin mbështetjen e tyre por ajo që është prioritet për Maqedoninë në këtë moment, me qëllim që të shmangim çfarëdolloj krize politike, Maqedonia duhet të zgjedhë president të shtetit dhe për këtë thërras për dalje sa më masive, edhe për zgjedhjet presidenciale edhe për ato parlamentare”, theksoi Maksim Dimitrievski nga ZNAM.

Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike Emin Azemi, nëpërmjet një statusi në profilin  e tij në facebook ka bërë thirrje deri tek votuesit shqiptarë që ti bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Sipas Azemit, arsyeja se pse shqiptarët  nuk duhet ta marin në dorë fletvotimin për zgjedhjet presidenciale është:

Sipas raportit të tanishëm të forcave, shqiptarët nuk mund ta parandalojnë triumfin e nacionalizmit maqedonas, por nuk mund ta ndihmojnë as Stevo Pendarovskin. Opsioni i vetëm mbetet bojkotimi i zgjedhjeve, në mënyrë që ta pamundësojnë zgjedhjen e Gordana Siljanovskës për Presidente. Nëse marrin pjesë në zgjedhje (mbi 200 mijë vota), shqiptarët do ta rrisin cenzusin e daljes dhe kështu i ndihmojnë Silojanovskës të fitojë”, shkruan Azemi.

Kujtojmë se Siljanovska si dhe partia që e mbështet atë njihen publikisht për qëndrimet nacionaliste dhe komentet koservative kur bëhet fjalë për rrugën drejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Poashtu shqiptarët, si komuniteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut, nuk janë përmendur fare në programin presidencial të kandidates së VMRO-DPMNE-së, Siljanovska – Davkova, i cili është titulluar “Maqedonia Përsëri Krenare”. Fjala e vetme që përdoret është “minoritetet”, e cila përdoret dy herë në kontekstin e të drejtave të njeriut, dhe një herë si një urë për bashkëpunim kulturor. Sa i përket komuniteteve të tjera që  jetojnë në RMV, vetëm romët janë përmendur.

Azemi tutje ka shkruar: “me një kryeministër (jo)teknik, (deri në zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm në Parlament) dhe me një konsolidim dhe bashkërendim të dy opcioneve politke, shqiptarët kanë mundësi ta faktorizojnë fuqinë e ndikimit politik, duke marrë pjesë në pushtet jo si dekor, por si vendimarrës të njëmendët që do të avanconin statusin shtetfromues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, pasnesër ( 8 Maj) votuesit shqiptarë, nuk duhet ta marrin fare në dorë fletvotimin për President. Ata duhet të votojnë vetëm të preferuarit e tyre për deputet”.

Statusi i tij i plotë:

Kujtojmë se nëse zgjedhjet dështojnë, atëherë mandati partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare do t’ia ndajë kryetari në detyrë i Kuvendit, Jovan Mitrevski, dhe më pas të nisin procedurat për zgjedhje të reja presidenciale.

Kushtetuta e RMV-së, neni 81 thotë:

• Presidenti i shtetit në rast të pamundësisë që ta ushtrojë funksionin, Presidentin e Republikës e zëvendëson Kryetari i Kuvendit.

• Në qoftë se në rrethin e dytë të votimit asnjëri nga kandidatët nuk e ka fituar shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore.

• Në rast të vdekjes, dorëheqjes, pamundësisë së përhershme që ta ushtrojë funksionin ose pushimit të mandatit sipas fuqisë së Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, funksionin e Presidentit të Republikës e ushtron Kryetari i Kuvendit.

Por, që zgjedhjet të mos dështojnë, nevojitet që në zgjedhje të dalin edhe anëtarët e katër kandidatëve të tjerë, në veçanti të Maksim Dimitrievskit, i cili arriti të fitojë rreth 84.000 vota.

Të fundit