E premte, 17 Maj, 2024

NJË VËSHTRIM NË KOHË – INTEGRIMI QË ÇINTEGRON!

Një “unifikim përbetues” i bllokut shqiptar karshi opozitës maqedonase se s’do të bashkëqeverisë me një subjekt që në këto momente gjeostrategjike bllokon proceset integruese, mund të ndihmojë për vetëdijësimin dhe rrezikun politik nga teket e saj! E kaluara na ka mësuar se po ata bllokues, sapo të vijnë në pushtet, do përpiqen të përmirësojnë gabimin, ama “treni do ketë ikur”, e nuk do bëjë punë fare bileta e pashfrytëzuar! 

Shkruan: Akademik Abdylmenaf Bexheti

Dikur, para më shumë se 20 vitesh, kur Maqedonia, në proceset integruese evropiane ishte shumë më përpara vendeve të tjera të Ballkanit të sotëm Perëndimor, pata bërë një analizë të procesit dhe dinamikës integruese duke u bazuar në kriteret ekonomike të Kopenhagës dhe Mastrihtit. Një analizë të ngjajshme disa vite më parë, për Kroacinë e kishte bë ekonomisti i mirënjohur kroat, profesori Branko Horvat. Sipas këtyre kritereve (parametrat bazë të konvergjencës ekonomike – niveli i BPV-së, norma e inflacionit, deficiti buxhetor, borxhi publik,…etj), më rezultoi që në skenarin më optimist, Maqedonia mund të anëtarësohet në BE në vitin 2020 kurse në atë më pesimist, në vitin 2025! Nga shumë analistë dhe gazetarë të asaj kohe u cilësova si “euroskeptik”! Do kisha dashur që kritikët të kishin të drejtë dhe koha të më përgënjeshtrojë, por ja që sot, edhe pas më shumë se dy dekadave, me këto parametra pothuaj qëndrojmë në të njëjtën pozitë! Asokohe, fqinji ynë lindor, Bullgaria, qëndronte ngjashëm si ne, kurse për nga disa parametra të tjerë, madje edhe më keq! Kjo e fundit, së bashku me Rumaninë, u anëtarësuan në familjen evropiane në vitin 2007, kuptohet jo në bazë të meritave dhe kritereve ekonomike, por me vendim politik të BE-së dhe ja – ku janë sot të dyja këto shtete e ku jemi ne!?

Padyshim, baza materiale përcakton në masë të madhe edhe superstrukturën!

Sot kur vështrojmë rrethanat tona, gjendja është trishtuese, pavarësisht se paga mesatare, statistikisht pothuajse është trefishuar! Ajo që është më alarmuese është emigrimi i të rinjve në “vendet e premtimit”, për t’u integruar atje në kushte të çintegrimit në vend.

Deri tani ka pasur edhe shpresë. A nuk e thotë populli se ajo vdes e fundit?!

Mirëpo, sikurse qëndrojnë punët tani, duket se me këtë “ideologji politike”, edhe shpresa po vdes! Më e keqja, këtë disponim çintegrues po e mbështet shumica e bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Dhe, kjo krejt në emër të “shpëtimit të identitetit”, një tezë kjo absolutisht e paqëndrueshme dhe bile e rrezikshme për vetë ata! S’ka identitet pa shtet dhe anasjelltas. Shteti mbron identitetin dhe përmbyllja e kapitullit të shtetit sforcohet edhe më shumë brenda BE-së sesa jashtë saj.

Në këtë rrafsh, të gjithë skeptikëve ju sugjeroj të lexojnë librin e z.Triçkovski “Çlirimi nga Maqedonia” ose edhe analizat e prof. Maleskit. Triçkovski angazhohet për një identitet të “ri, të bazuar në drejtësi dhe jo në heronjtë që ngriten nga varrezat”. Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, ne shqiptarët, jo që nuk mund të ndihmojmë këtu, por mjerisht dhe padrejtësisht dukshëm po pengojmë! Prandaj jemi edhe të kufizuar në afirmimin e përfitimeve nga procesi i integrimit evropian! Sa më shumë që ne, me argumente të pakontestueshme, promovojmë përfitimet nga procesi i integrimit, aq më tepër shtohet disponimi refuzues te të tjerët! Frustracionet e krijuara mbi këto të pavërteta, na bëjnë të pamundshme të jemi “erë pas shpine”, në këtë proces. Kjo është për ta studiuar në aspektin socio- psikologjik. Mbase një “unifikim përbetues”, i bllokut shqiptar karshi opozitës maqedonase, se asnjëra prej tyre s’do të bashkëqeverisë me një subjekt që në këto momente gjeostrategjike bllokon proceset integruese, mund të ndihmonte për vetëdijësimin dhe rrezikun politik që ndërmerr ajo! E kaluara na ka mësuar se po ata bllokues, sapo të vijnë në pushtet, do përpiqen të përmirësojnë gabimin, ama “treni do ketë ikur”, e nuk do bëj punë fare bileta e pashfrytëzuar!

Me paralajmërimin e betonimit për mosqeverisje me ata që sot çojnë ujin në mullirin e Lindjes, më saktë të Kremlinit, do të reduktohen pritshmëritë për fitore të garantuar elektorale të bazuar në këtë “bllokadë”! Kjo ngaqë pritshmëritë janë faktor i rëndësishëm i epilogut elektoral.

Kurrë më të çintegruar s’kemi qenë në këto pikëpamje, çuditërisht edhe më shumë se për çështjet për të cilat realizuam kryengritjen shqiptare në vitin 2001. Kur dezintegrimit etnik t’i shtohet edhe ai politik, çështja bëhet edhe më komplekse. Bile edhe disa fraksione politike shqiptare, tani më edhe me subjekte të ndryshme politike, me apo pa vetëdije, po i hudhin zjarrit benzinë për motive ditore politike. Pothuaj se të gjitha këto, jo më larg se tre vitet e fundit, ishin pjesë edhe “bashkëqeverisje”!

I kuptojmë, por nuk mund t’i arsyetojmë inatet dhe interesat ditore politike që të përcaktojnë procese kaq strategjike dhe vendimtare në kohë dhe hapësirë njëkohësisht. E tërë qeverisja dhe institucionet të fokusuara në këtë çështje kanë bllokuar gjitha proceset tjera duke bërë që shteti të jetë thuajse jofunksional. Këtë nuk është se nuk e ndjejnë qytetarët në të gjitha aspektet, prandaj çdo vit rreth 90 mijë qytetarë e lëshojnë vendin, ndërsa shumë pak prej tyre vendosin të kthehen!

Pse?

Jam i bindur se për përgjigja nënkuptohet!

Të fundit