Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) më 24 dhe 25 gusht do të jetë për vizitë në Shkup dhe do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, konfirmoi zyra e shefit të shtetit. Është planifikuar të ketë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, si dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, raporton KDP.mk.
Diplomati i lartë amerikan është për vizitë në vend, një javë pasi në Parlament filloi procedura për ndryshime kushtetuese, me të cilat, ndër të tjera, bullgarët do të duhet të përfshihen në Kushtetutë.
Ndryshimet janë të nevojshme për të vazhduar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Në seancën e së premtes u debatua për iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës, por pas debatit nuk u votua, lihet kur të sigurohet shumica e dy të tretave. Për të miratuar nevojën për ndryshime në Kushtetutë, duhet të votojnë 80 deputetë, pra dy të tretat e gjithsej 120 deputetëve.
Qeveria pretendon se ka mbështetjen e 72 deputetëve dhe se i duhen tetë të tjerë për një shumicë prej dy të tretash. Por në votimin e datës 18 gusht për përcaktimin e rendit të ditës së seancës votuan 70 deputetë. Më pas kryeministri shpjegoi se një prej deputetëve mungonte dhe njëri kishte probleme me “butonin” e votimit.
Në korrik, Escobar tha në një debat për Ballkanin Perëndimor para Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan se SHBA-të mbështesin procesin për ndryshime kushtetuese që do të lejonin Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në BE. Ai tha se janë të angazhuar edhe me Qeverinë e re të Bullgarisë që të mos bëjë kërkesa të reja.
POROSIA E AGELER-IT
Ditë më parë, Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Ageler, tha se prosperiteti dhe siguria e këtij vendi qëndron në anëtarësimin dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian (BE) dhe shprehu shpresën se politikanët nga të gjitha partitë politike në vend do të punojnë drejt arritjes së këtij objektivi.
“Vërtet mendoj se nuk më takon mua të flas se si po shkon procesi i ndryshimeve kushtetuese. Unë jam ambasadori i Shteteve të Bashkuara. Ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian, por kur shoh kufirin dhe numrin e madh të automjeteve që hyjnë e dalin, besoj se prosperiteti dhe siguria e këtij vendi qëndron në pranimin dhe integrimin e tij në Evropë dhe shpresoj shumë që politikanët nga të gjitha partitë politike në vend do të punojnë për realizimin e saj. Kufiri me Greqinë na kujton vendimet e vështira që ka marrë tashmë ky vend dhe e di që është gjithashtu e vështirë, por inkurajoj qytetarët që t’i bëjnë të ditur politikanët e tyre se duan të jenë pjesë e BE-së”, tha Ageler.
QASJA E QEVERISË
Nga ana tjetër, duket se Qeveria nuk do të presë bindjen e VMRO-DPMNE-së që të votojë ndryshimet.
“Po flasim me çdo deputet sepse tani përgjegjësia është e deputetëve”, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. “Izolimi i shtetit, veçanërisht izolimi që vjen nga brenda, është i papranueshëm. Ne flasim me çdo deputet sepse tani përgjegjësinë e kanë deputetët, ata që përfaqësojnë qytetarët. Mendoj se askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng perspektivën e qytetarëve të Maqedonisë”.
Ai theksoi se në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë të kërkojnë rrugën përmes dialogut për të arritur ndryshimet kushtetuese që janë të nevojshme që vendi të vazhdojë procesin e integrimit evropian.
Spasovski thotë se është e rëndësishme që politikanët të jenë të arsyeshëm, të mos kërkojnë interesin e tyre personal nga sot në nesër, por të shikojnë me vizion që vendi sa më shpejt të bëhet pjesë e familjes evropiane.
PRITJET E MICKOVSKIT
Pas publikimit të informacionit se Escobar po vjen në vend, kreu i VMRO-DPMNE-së sot në Veles u tregua më i kujdesshëm se dje në Kërçovë ku tha se “Evropa dhe bota po bëjnë strategji për ta thyer VMRO-DPMNE-në dhe tinëzisht të kalojë në parlament amendamentet kushtetuese të bëra sipas diktatit bullgar”.
“Vizitën e zotit Escobar e vlerësoj si çdo vizitë tjetër. Në periudhën e kaluar kemi pasur shumë vizita nga përfaqësues të lartë të huaj. Ne do t’i dëgjojmë argumentet nga ajo anë, do të themi argumentet tona…kështu që çdo bashkëbisedues qëllimmirë është i mirëpritur, kushdo që dëshiron të dëgjojë argumentet e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe populli. Fakti që qeveria tani po përpiqet ta paraqesë vizitën e Escobar-it, me kusht, si një buldozer diplomatik që u thirr këtu nga qeveria për të ushtruar tortura dhe presion, është tashmë një dobësi e këtyre kriminelëve në qeveri. Askush nuk bën tortura dhe presione në shekullin e 21-të, por edhe nëse e kanë bërë, kanë zgjedhur bashkëbisedues të gabuar”, tha Mickoski.
PROPOZIMI I BEXHETIT
Ndërkohë, Akademik Abdylmenaf Bexheti ka dalë me një propozim deri te partitë shqiptare, me qëllim që t’i pamundësohet VMRO-DPMNE-së të bëjë politikë ditore duke bllokuar perspektivën evropiane të vendit.
Në një kolumnë për KDP.mk, Bexheti shkruan: Mbase një “unifikim përbetues”, i bllokut shqiptar karshi opozitës maqedonase, se asnjëra prej tyre s’do të bashkëqeverisë me një subjekt që në këto momente gjeostrategjike bllokon proceset integruese, mund të ndihmonte për vetëdijësimin dhe rrezikun politik që ndërmerr ajo! E kaluara na ka mësuar se po ata bllokues, sapo të vijnë në pushtet, do përpiqen të përmirësojnë gabimin, ama “treni do ketë ikur”, e nuk do bëj punë fare bileta e pashfrytëzuar! Me paralajmërimin e betonimit për mosqeverisje me ata që sot çojnë ujin në mullirin e Lindjes, më saktë të Kremlinit, do të reduktohen pritshmëritë për fitore të garantuar elektorale të bazuar në këtë “bllokadë”! Kjo ngaqë pritshmëritë janë faktor i rëndësishëm i epilogut elektoral.”
Sipas tij, vendi kurrë nuk ka qenë më i çintegruar. “‘Çuditërisht edhe më shumë se për çështjet për të cilat realizuam kryengritjen shqiptare në vitin 2001. Kur dezintegrimit etnik t’i shtohet edhe ai politik, çështja bëhet edhe më komplekse. Bile edhe disa fraksione politike shqiptare, tani më edhe me subjekte të ndryshme politike, me apo pa vetëdije, po i hudhin zjarrit benzinë për motive ditore politike. Pothuaj se të gjitha këto, jo më larg se tre vitet e fundit, ishin pjesë edhe “bashkëqeverisje”!”
Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, – vazhdon më tej Bexheti, – “ne shqiptarët, jo që nuk mund të ndihmojmë këtu, por mjerisht dhe padrejtësisht dukshëm po pengojmë! Prandaj jemi edhe të kufizuar në afirmimin e përfitimeve nga procesi i integrimit evropian! Sa më shumë që ne, me argumente të pakontestueshme, promovojmë përfitimet nga procesi i integrimit, aq më tepër shtohet disponimi refuzues te të tjerët! Frustracionet e krijuara mbi këto të pavërteta, na bëjnë të pamundshme të jemi “erë pas shpine”, në këtë proces.”