E shtunë, 27 Korrik, 2024

PAS SILJANOVSKËS, EDHE MICKOSKI PËRDOR EMRIN “MAQEDONI”

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit, e përdori emrin “Maqedoni” në komunikimin me gazetarë, duke e arsyetuar presidenten e sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Dafkova, e cila gjatë inaugurimit të dielën e bëri të njëjtën gjë duke shkaktuar reagime të ashpëra në Greqi, raporton KDP. 

“Mendoj se ishte dinjitoz (betimi). Mund të them se prisja urim nga fqinji ynë jugor, por në vend të asaj morëm, për fat të keq, muskuj politik. Nuk pres që marrëdhëniet midis dy vendet të bazohen mbi muskujt politik. Pres të kemi marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Si VMRO-DPMNE këtu, ashtu edhe qeveria e Nea Demokratia në Athinë kanë një qëndrim ndryshe për Marrëveshjen e Prespës – asnjërës palë nuk u pëlqen ajo marrëveshje. Për dallim nga atje, këtu Marrëveshja e Prespës është pjesë e institucioneve të shtetit, pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve maqedonase. Shumë herë kemi thënë se ky dokument është realitet. Komunikimi midis institucioneve dhe brenda tyre mbeten në batë të ligjeve dhe Kushtetutës, por e drejtë e imja bazike njerëzore është vetë ta vlerësoj se si do ta emërtoj shtetin tim. Andaj, përderisa flas dhe jap deklarata para juve gazetarëve, jo vetëm unë por pres edhe nga presidentja Siljanovska, të përdoren termat “Maqedoni” dhe prapashtesa “maqedonase” sepse në këtë mënyrë, sipas interpretimit tonë të Marrëveshjes së Prespës, nuk kemi shkelje të së njëjtës”, tha Mickovski.

Nga ana tjetër, i ashpër këtyre ditëve ka qenë reagimi i kryeministrit Kirijakos Micotakis, i cili e quajti shkelje të rëndë të Marrëveshjes së Prespës aktin e dhënies së betimit duke përdorur termin “Maqedoni” nga ana e Siljanovskës. Pritet që Mickoski, pasi të votohet në Parlament si kryeministër, të shihet se çfarë termi do të përdorë.

Kolumnisti i njohur grek i Katimerinit, Stavros Tzimos, shkruan se “vendimi i Gordana Siljanovska-Davkova për t’iu referuar vendit të saj si “Maqedoni” në betimin e saj të dielën ka kuptim në disa aspekte. Ajo pasqyron bindjet e politikanes nacionaliste dhe premtimet e saj parazgjedhore, edhe pse ajo shkeli udhëzimet e kryetarit të parlamentit, i cili kërkoi që ajo të bënte betimin e saj duke përdorur “Maqedonia e Veriut” kushtetuese. Aty ku vendimi i saj nuk ka kuptim është se ajo nuk flet më si qytetare e thjeshtë dhe as si kandidate që i drejtohet një mitingu parazgjedhor. Ajo është presidente dhe betimi i saj – të cilin e ka shkelur që në momentin e parë – është të mbrojë kushtetutën e vendit, që zyrtarisht quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.”

“Nëse ata (Qeveria) ndjekin hapat e presidentit, qeveria e re në Shkup do të marrë përgjegjësinë e plotë për prishjen e marrëdhënieve me Greqinë dhe çdo ndikim që kjo mund të ketë në marrëdhëniet e vendit me NATO-n, e cila ka deklaruar se Marrëveshja e Prespës nuk mund të vihet në pikëpyetje”, shkruan Tzimos.

 

Të fundit