E premte, 3 Maj, 2024

XHEZAIRI: VENDIMI I BDI-SË ISHTE GODITËS, VMRO-DPMNE I BËN HESAPET PA HANXHINË

“Një vendim jo i papritur, po të kihet parasysh kredoja politike e kreut të integristëve, Ali Ahmeti. BDI-ja e shfrytëzoi këtë momentum për të konfirmuar përcaktimet e veta programore për ta bërë vendin anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Evropian dhe duke lënë të kuptohet se për të parësore është shteti (me hisen shqiptare në të) e jo mbajtja me çdo kusht e pushtetit”.

Kështu e komenton gazetari Seladin Xhezairi nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) gatishmërinë e BDI-së që të largohet nga pushteti me qëllim që të arrihet kompromis politik që vendi të realizojë ëndrrën e shumë gjeneratave dhe synimin strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Deklarata se ‘BDI është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie. E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para’- nuk më duket boshe. Tjetër është diskursi mbizotërues tek shumica e partive politike maqedonase, të cilat bien e zgjohen nga gjumi me ëndrrat për ta çuar partinë e Ahmetit në opozitë! Them që të gjitha forcat politike, maqedonase e shqiptare, pozitare e opozitare, të cilat kanë pak hapësirë manovrimi për të anashkaluar reformat, e pse jo edhe parakushtet për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të vendit. Deklarata e numrit një të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për gatishmërinë e kësaj partie për të ndryshuar Kushtetutën, përkundër kushtëzimeve të tij, provon se e djathta maqedonase po esëllohet dita-ditës, në kuptimin e veprimit me këmbë në tokë, ama si duket e ka vështirë të heqë dorë nga retorika me ngjyrime antishqiptare! Fundja, do të ishte mirë që VMRO-DPMNE-ja të presë rezultatin e zgjedhjeve e pastaj të mbajë qëndrim pro- kësaj apo contra – asaj partie politike shqiptare! Tash si po pozicionohet i bie se hesapet i bën pa hanxhinë! Ndaj them se reagimi i BDI-së ishte politikisht e partiakisht – goditës!”, deklaroi Xhezairi për Indeks.mk

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në takimin e të mërkurës kanë biseduar për ndryshimet kushtetuese, por nuk është arritur marrëveshje konkrete.

Sipas kreut të VMRO-DPMNE-së, kryeministri propozoi një qeveri të gjerë me pesë ministra të opozitës, ndërsa Mickoski kërkon një qeveri në të cilën BDI nuk do të marrë pjesë. Ai kërkon garanci nga BE për ndryshimet kushtetuese, të cilat sipas tij duhet të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit në BE.

Në takim, kryeministri Dimitar Kovaçevski i propozoi opozitës që të votojnë së bashku ndryshimet kushtetuese, pasi mendon se kjo është zgjidhja reale që qytetarët presin prej tyre.

Të fundit