E premte, 17 Maj, 2024

AMNISTIA QË VULOSI PAZARIN

Nga Desada Metaj

Rikthimit në normalitet i punimeve të kuvendit të Shqipërisë i parapriu një marrveshje që PS dhe Rithemelimi u përpoqën ta mbajnë të fshehtë dhe ta bëjnë të duket një dakordësi mes dy forcave politike. Në fakt, ky do kishte qenë dhe akti më normal mes dy faktorëve politikë që kanë kundërshti por duan më të mirën për vendin dhe qytetarët që përfaqësojnë. Por nuk është ky rasti. Sepse qeverisja e 11 viteve ështe në degradim e sipër dhe pjesa opozitare e Sali Berishës ka për qëllim veç ta mbajë këtë të fundit gjallë politikisht. Jo më kot vitet e fundit dozat për “bashkëpunim me regjimin” dhe tradhtarët që Berisha zbulon janë të gjitha në funksion të halleve të Foltores së tij. Kështu ndodhi dhe me rikthimin në parlament të normalitetit,çmimi i të cilit ishte një tjetër copë rrënimi nga morali i opozitës së përfaqësuar nga Sali Berisha.

Le ti marrim me radhë.

Një nga kushtet e marrveshjes ishte krijimi i komisioneve hetimore parlamentare. Dy të tillë u krijuan sa hap e mbyll sytë por pas dy muajsh, i vetmi produkt i tyre kanë qenë lajmet për sherre dhe batuta bajate mes deputetëve. Pa harruar që me vetëdije të plotë, Albana Vokshi si kryetare e komisionit hetimor për koncencionet në shëndetësi hoqi nga objekti i hetimit 2 koncencionet e Spitalit Amerikan. Amnistimi i Klodian Allajbeut u erdhi për mbarë dhe socialistëve e ndërkohë, objekt i këtij komisioni ka degraduar në sherrin banal mes deputetëve. Asnjë fakt, asnjë dokument dhe asnjë dëshmi nuk është publikuar ende pas dy muajsh kur ndërkohë milionat e abuzimit janë të dukshme dhe me sy të lirë. I ngjashëm duket dhe fati i komisionit hetimor për sistemin Tims. Ku objekti dhe serioziteti i hetimit nuk varet nga hetimi i hryje daljeve në Tims por nga hyrje daljet e Salianjit në sallën e Gjykatës së Apelit ku pritet të jepet vendimi për të.

Një tjetër pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores ishte dhe amnistia. Ajo u paketua shpejt e shpejt nga Gaz Bardhi dhe Ulsi Manja që të cilët nxituan të deklaronin se nga amnistia do të përjashtoheshin zyrtarët e korruptuar me vendim nga Gjykata e Posaçme. Por vetëm pak ditë më vonë rrjeti i gazetarëve INA në një shkrim të publikuar konfirmoi zyrtarisht nga Spak se janë me dhjetra ish zyrtarë të dënuar për korrupsion që kanë përfituar nga amnistia. Dhe jo më larg se dje i pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi. Ajo që do mbahet mend nga amnistia Bardhi- Manja do jetë lirimi i një banditi dhe ndalimi i tij të nesërmen me urgjencë si “gabim” mes rreshtave.

E fundit pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores dhe që ktheu normalitetin në kuvend ishte ajo për komisionin e reformës zgjedhore. Por për këtë as ja vlen të zgjatesh sepse 1 vit para procesit elektoral edhe me naivi e kupton që nuk mund të ndërrohen rregullat e lojës. Për më tepër që Ramës, ky kod dhe këto rregulla i vijnë për shtat sepse i ka bërë siç i duhen. E vetmja arritje e kësaj pike të marrveshjes ishte që Oerd Bylykbashit iu gjet hapësirë për të folur në media meqë protagonizmi i Gaz Bardhit e kishte lënë në hije.

Pra në fund, ajo që duket është se marrveshja e rikthimit në normalitet të parlamentit në të gjithë pikat e saj e ka dëshmuar se ishte thjesht një pazar i lyer me ngjyra revolucioni, boja e të cikit zgjati vetëm pak javë. Ajo tregoi dhe njëherë se morali i munguar i opozitës është forca që e kalon Ramën gjithmonë në avantazh. Sepse problemi nuk qëndron tek marrveshja por tek baza mbi të cilat ajo ndërtohet, pritshmëritë dhe projektimi për të ardhmen. E nëse marrveshjet bëhen për të krijuar një mur të ri mbrojtës për ca të korruptuar të tjerë (ndoshta më të vegjël) apo për lojra meskine të politikës së ditës rezultati do të jetë ky që kemi sot. Shumë zhurmë, pak revolucion dhe aspak opozitë cilësore!

Të fundit