E hënë, 13 Maj, 2024

NDIKIM PA GJURMË: KUSH PËRFITON NGA PËRKEQËSIMI I RAPORTEVE SHKUP-SOFJE?

Ky aktivitet intensiv propagandistik ndikon në dy fronte: në thellimin e mosmarrëveshjes Shkup-Sofje dhe në riformësimin e skenës politike të Maqedonisë së Veriut.

Shkruan: Xhelal Neziri

Tridhjetëvjeçari Darko Todorovski nga Maqedonia e Veriut në fillim të këtij viti u gjet në qendër të vëmendjes pasi gazetari hulumtues bullgar, Hristo Grozev, e apostrofoi si përhapës të propagandës ruse në rajon. Ai është me prejardhje nga Dellçeva, një qytet në lindje të Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga viti 2016 deri në vitin 2018 ka qenë në Moskë për studime master. Në tri vitet e fundit Todorovski ka vazhduar të qëndrojë në Rusi për studime doktorale. Ai është aktiv në disa rrjete sociale, ku mbron pikëpamjet pro-ruse. Ka botuar disa tekste dhe analiza ku promovohen narrativat ruse për luftën në Ukrainë dhe qëndrimet e saj për tema të ndryshme rajonale dhe globale. Ndër mediat në gjuhën maqedonase, Todorovski më shumë tekste ka botuar në portalin Antropol.mk, i cili është i afërt me partinë politike “Levica”. Kjo parti politike me dy deputetë në Kuvend është hapur kundër NATO-s dhe kundërshtarët e tyre politikë i akuzojnë se janë afër Rusisë. Sipas të dhënave të Regjistrit Qendror të Maqedonisë së Veriut, botues i portalit është subjekti juridik “Shoqata e Mediave për Informim të Qytetarëve”, ku si themelues janë thuajse të gjithë anëtarët e Presidiumit të “Levica”-s, përveç liderit të saj Dimitar Apasiev.

Gazetari bullgar, Hristo Grozev, që nga janari i këtij viti është shpallur në kërkim nga ana e Rusisë. Nuk i është dhënë asnjë shpjegim zyrtar nga Moska pse kërkohet. Këtë informacion e ka kërkuar zyrtarisht edhe Qeveria e Bullgarisë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare. I vetmi informacion zyrtar që dihet lidhur me këtë vendim të Moskës është lajmi i publikuar në agjencinë shtetërore ruse RIA Novosti, ku thuhet se “Grozev kishte shkelur ligjin për mbulimin e operacioneve ushtarake të Rusisë”. Ky vendim korrespondon me periudhën kur Grozev doli me akuza se tekste me propagandë ruse, të shkruara nga inteligjenca ushtarake ruse, po shpërndahen në mediat bullgare për pagesa në kesh prej 150 deri në 300 euro, përmes maqedonasit Darko Todorovski.

Todorovski, përmes deklaratave në mediat maqedonase, ka mohuar të gjitha akuzat. Ai tashmë ka mbyllur profilet e tij në rrjetet sociale, ndërkohë që ka ndalur edhe botimin e teksteve autoriale në portalin Antropol.mk dhe në Bregalnicki.mk. Ky i fundit, i cili ka qendër në Dellçevën e Todorovskit, botohet nga subjekti “Atanasov Limited Doel”, në pronë të Kirço Atanasov. Muajt e fundit portali nuk është aktiv, ndërkohë sipas raporteve që ka dërguar deri te institucionet financiare të Maqedonisë së Veriut, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021 portali i Atanasovit ka marrë rreth 2500 euro mjete për promovim të fushatës së VMRO-DPMNE-së opozitare.

Todorovski, ndërkaq, nuk është më aq aktiv në mediat e vendit dhe rajonit. Teksti i tij i fundit është botuar në portalin Antropol, dhe mban titullin “Fundi i Evropës – Së bashku me Rusinë në rrugën e multipolaritetit”. Ky, në fakt, është titulli i librit të autorit rus Valerij Korovin, të cilit Todorovski i bën recension.  “Rusia, si civilizim më vete, pasardhëse e Bizantit dhe e Ortodoksisë Bizantine, e cila është baza e shtetësisë ruse, po zhvillohet sipas modelit të saj civilizues, me vlerat dhe traditat e veta. Por Rusia, në të njëjtën kohë, mori më të mirën nga civilizimet lindore dhe perëndimore dhe e përshtati atë me modelin e saj civilizues. Gjatë historisë, Rusia kurrë nuk është përpjekur të imponojë modelin e saj civilizues, vlerat e saj në Evropën Perëndimore dhe nuk ka pretenduar se ato janë universale dhe se ato duhet të përhapen në të gjithë botën, ndryshe nga Perëndimi, i cili ka modelet e tij civilizuese të imponuara me forcë, dhe sot po përpiqet t’i bëjë vlerat neoliberale globale. Rusia ka rrugën e vet historike, dhe Perëndimi ka rrugën e vet historike”, ka shkruar Todorovski.

Në fund të marsit, ai është paraqitur si ekspert në vlogun e Milendko Nedelkovskit, një gazetar kontrovers në Maqedoninë e Veriut, me qëndrime të ashpra anti-perëndimore. Në këtë intervistë, Todorovski thotë se “lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është në fakt një luftë midis Rusisë dhe Perëndimit”, duke theksuar se e njëjta mund të nxisë përdorimin e armëve bërthamore. Ai mbron Iranin dhe i vlerëson sanksionet ndaj këtij shteti si jolegale pasi nuk kanë miratimin e Kombeve të Bashkuara. “I kam vizituar të gjitha vendet e luftës në Ukrainë. Në këto dy vite kam kaluar në të gjitha këto zona…”, thotë ai. Todorovski shihet të raportojë për disa televizione lokale të Maqedonisë së Veriut, duke përhapur kështu propagandën ruse mbi ndodhitë nga zonat e luftës së Ukrainës.

As në Maqedoni të Veriut e as në Bullgari nuk ka transferim mjetesh nëpërmjet sistemeve zyrtare financiare nga Rusia. Në Maqedoni të Veriut madje nuk figuron asnjë medium në pronësi të ndonjë shtetasi apo biznesi rus. Rasti i Todorovskit tregon mënyrën e sofistikuar të ndikimit nëpërmjet ekspertëve dhe analizave të gatshme, të cilat vazhdojnë të shpërndahen nëpër media me qëllim të përhapjes së “të vërtetës ruse” mbi Ukrainën.

Ky aktivitet intensiv propagandistik ndikon në dy fronte: në thellimin e mosmarrëveshjes Shkup-Sofje dhe në riformësimin e skenës politike të Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE dhe Levica janë dy partitë në bllokun etnik maqedonas që shënojnë rritje të vazhdueshme të mbështetjes. Paralelisht me këtë, po rritet apatia e votuesit maqedonas, gjë që forcon edhe më shumë partitë e ekstremit politik. Anketat shfaqin edhe një trend tjetër të rrezikshëm: humbjen e besimit se demokracia mund t’ua zgjidhë problemet. Anketa e fundit e IRI-t thotë se gati gjysma e qytetarëve mendojnë se ka sistem tjetër më të mirë se demokracia. Në pyetjen se “a besoni se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes ose jo”, vetëm 51 për qind janë përgjigjur pozitivisht. Sipas grupmoshave, vetëm 48 për qind e qytetarëve nga 18 deri më 55 vite janë shprehur se demokracia është sistemi më i mirë, ndërsa pjesa tjetër mendon se një formë tjetër e qeverisjes është e njëjtë apo më e mirë se demokracia. Kjo do të thotë se në vend ekziston një tokë e plleshme për fuqizimin e forcave ekstreme politike, ideologjike apo religjioze, të cilat në thelb janë populiste, e që mund të prodhojnë situata të paparashikueshme në vend. Kjo apati, midis tjerash, është rezultat edhe i ndikimit rus, i cili mbështet ato forca politike.

 

 

Të fundit