E premte, 26 Prill, 2024

FJALËT E URTA POPULLORE QË KALITIN KAÇAKËT MODERN

Përmes këtyre perlave popullore pushtetarët kanë krijuar ambientin e duhur për filozofinë e tyre të veprimit se ‘’nëse nuk vjedh të quajnë të paaftë’’ e nëse të zënë me presh në duar ‘’nuk është fundi i botës, të gjithë e bëjnë’’. Ky normalizim perfid na bën bashkëfajtorë të gjithëve sepse jo vetëm që hajdutët i kemi ngritur në piedestalin e shoqërisë duke ua lënë në duar fatin tonë e të fëmijëve tanë por shpesh herë i kemi kthyer edhe në modele suksesi, në simbol të arritjes shoqërore dhe shembull që duhet ndjekur. Dhe tani, normal që as syri nuk iu bën pët e as nuk skuqen kur me gojën plot na thonë që ‘’prioritet i qeverisë është lufta kundër korrupsionit’’ sepse ironia e tyre është rezultat i specave të mbushur, i mjaltës, standardit dhe pritshmërisë tonë për ata që na shërbejnë

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Politika në demokracitë në zhvillim ose në ato të brishta shpesh herë funksionon më shumë si perceptim se sa si veprim konkret, i koordinuar dhe me strategji të bazuara në politika të mirëmenduara dhe me indikatorë të qartë për matjen e suksesit në jetën reale për qytetarët. Kështu, politikanët e këtyre shteteve, ku mes tjerash bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, veprimin politik e bazojnë kryesisht mbi retorikën politike dhe demagogjinë partiake, të kamufluar për t’i shërbyer tendencës së pritshmërisë së qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë duke pasur për qëllim që të ndikojë dhe të krijojë perceptimin që gjërat po ecin drejt asaj pritshmërie.

Tash e sa vite në Maqedoninë e Veriut mes shumë problemeve, dështimeve sistemore dhe sistematike në aparatin shtetëror për dhënien e shërbimeve publike, me mjaftë turbulenca në përcaktimet strategjike të orientimit gjeo-politik dhe me mjaft sfida social-ekonomike fajtori kryesor nga burojnë të gjitha këto është përcaktuar korrupsioni i shpërndarë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe thuajse në çdo pore të shoqërisë. Një pjesë e këtij korrupsioni është bërë modus-operandi dhe thuajse askush më nuk e sheh si diçka të jashtëligjshme apo kriminale, madje  as që perceptohet si e tillë. Në biseda shpesh herë e has si pikën më të lartë të dëshpërimit të përmbledhur në togfjalëshin: ‘’le të vjedhin por të paktën le të punojnë’’, e në debat e sipër me përdoruesit e këtij togfjalëshi përherë më kujtohet një batutë ‘’unë i them se gruaja të tradhton, ai më thotë: po, ama ti nuk e din sa dollmat (speca të mbushura) e mira i bën’’.

Për këtë mentalitet është investuar me vite nga të gjitha qeveritë, e një pjesë besa është trashëguar nga sistemi i kaluar dhe është perfeksionuar nga ky i sotmi jo vetëm nga politika dhe qeveritarët por edhe nga vetë qytetarët. Edhe këtu ‘’fjalët e urta popullore’’ hapin rrugën për normalizimin e hajdutëve dhe vjedhjes përmes shprehjes ‘’të jesh afër mjaltës dhe mos ngjyesh gishtat është budallallëk’’ duke u kthyer në automazohist që harrojnë se mjalti vjen nga kosherja e tyre. Dhe kështu, ndër gjenerata shërbimi publik funksionon me mantrën ‘’Kap çka t’kapish’’, e nuk ka rëndësi nëse je i aftë për pozicionin që të besohet, nuk të duhet kualifikimi adekuat dhe as përvoja, por sa më i madh buxheti aq më i mirë pozicioni.

Natyrisht, përmes këtyre perlave popullore pushtetarët kanë krijuar ambientin e duhur për filozofinë e tyre të veprimit se ‘’nëse nuk vjedh të quajnë të paaftë’’ e nëse të zënë me presh në duar ‘’nuk është fundi i botës, të gjithë e bëjnë’’. Ky normalizim perfid na bën bashkëfajtorë të gjithëve sepse jo vetëm që hajdutët i kemi ngritur në piedestalin e shoqërisë duke ua lënë në duar fatin tonë e të fëmijëve tanë por shpesh herë i kemi kthyer edhe në modele suksesi, në simbol të arritjes shoqërore dhe shembull që duhet ndjekur. Dhe tani, normal që as syri nuk iu bën pët e as nuk skuqen kur me gojën plot na thonë që ‘’prioritet i qeverisë është lufta kundër korrupsionit’’ sepse ironia e tyre është rezultat i specave të mbushur, i mjaltës, standardit dhe pritshmërisë tonë për ata që na shërbejnë.

Në Maqedoninë e Veriut, si në vendet tjera përreth, pushtetarët do të vazhdojnë edhe gjatë kohë ‘’ta luftojnë korrupsionin’’ duke i dhënë kuptim tregimit kur hajduti ka thirrur i pari e më zëshëm nga të gjithë ‘’kapeni hajdutin’’ për sa kohë që ne si qytetarë do t’i mbajmë për zemër e do t’i trashëgojmë ndër breza ‘’fjalët e urta popullore’’ që kalisin kaçakët modern.

Të fundit