E mërkurë, 1 Maj, 2024

REZOLUTA PËR SREBRENICËN DUHET PARË SI AKT PËRGJEGJSHMËRIE E REFLEKTIMI

Qëllimi i Rezolutës për deklarimin e 11 Korrikut Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995 nuk është të damkosë dhe stigmatizojë popullin serb në Bosnjë apo Serbi, por të hedhë dritë mbi një të keqe që nuk mund dhe nuk duhet të mohoet në mënyrë që të mos përsëritet më. Të gjithë duhet të reflektojmë e të mësojmë nga kjo e kaluar e errët dhe të gjithë bashkë duhet të ndërtojmë imunitetin shoqëror që promovon bashkëjetesën dhe i ve fre gjuhës së urrejtjes dhe dhunës mbi baze etnike, kombëetare, apo fetare. 

Nergut për KDP-në nga SHBA: Adrian Shtuni

Fakti që përpilimi i një rezolute për deklarimin e 11 Korrikut si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të kryer në Srebrenicë më 1995 është iniciativë e një numri në shtim vendesh anëtare të OKB-së, që nga Kili në SHBA, Ruanda e deri në Zelandën e Re, është një tregues i qartë se kjo çështje ka mbeshtetje të gjerë nga të katër anët e globit. Padyshim, qëndrimi i përgjegjshëm i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si bashkësponsorizues të draft rezolutës është për t’u përshëndetur dhe të mos keqinterpretohet si një veprim për dëmtimin e Serbisë apo të popullit serb.

Kjo rezolutë, si edhe rezoluta të tjera të ngjashme të OKB-së, nuk duhet të shihet si akt hakmarrjeje apo turpërimi, por si një akt përgjegjshmërie dhe reflektimi kolektiv. Qëllimi i kesaj rezolute, sipas meje, nuk është të damkosë dhe stigmatizojë popullin serb në Bosnjë apo në Serbi, por të hedhë dritë mbi një të keqe që nuk mund dhe nuk duhet të mohohet në mënyrë që të mos përsëritet më. Të gjithë duhet të reflektojmë e të mësojmë nga kjo e kaluar e errët dhe të gjithë bashkë duhet të ndërtojmë imunitetin shoqëror që promovon bashkëjetesën dhe i ve fre gjuhës së urrejtjes dhe dhunës mbi baze etnike, kombëtare, apo fetare.

Fatkeqesisht, po të shohësh glorifikimin që iu bëhet nëpër murale dhe banderola nëpër stadiume kriminelëve të dënuar për gjenocid si Mladiç dhe Karaxhiç është vështirë të mendosh se në Ballkan historia e errët e mizorive të viteve 90-të është tejkaluar. Grafitet që thërrasin për vrasje mbi baza kombëtare apo fetare nëpër disa qytete kryesore të rajonit, thirrjet, po ashtu, për shfarosje etnike nëpër stadiume, dhe gjuha e urrejtjes e ekstremizmit të dhunshëm në mediat sociale, janë përkujtim i përditshëm sesa shumë më tepër duhet bërë. Pikërisht për këto të këqia duhet të reflektojmë!

Toleranca nuk duhet të mbesë në kuadrin e sloganeve nëpër konferenca apo televizione, por duhet të ushqehet sistematikisht nëpër shkolla, nëpër shtepi, e kudo në shoqëri, me sinqeritet dhe me dedikim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë e për të parandaluar përsëritjen e mizorive, të spatrimit etnik dhe gjenocidit në Ballkan. Kjo duhet të jetë një detyrë e përditshme e të gjithëve, pa dallim etnie, kombi dhe feje.

 

Të fundit