E martë, 7 Maj, 2024

VAZHDOJNË ALERMET E RREME, SULMET HIBRIDE VËSHTIRË IDENTIFIKOHEN

Në Maqedoninë e Veriut, në një hark kohor prej pesë muajsh janë shënuar dhjetëra paralajmërime për bomba në lokacione të ndryshme. Përfaqësues të institucioneve theksojnë se paralajmërimet çojnë në IP adresat elektronike që vijnë nga Irani dhe Rusia, por se mbetet shumë e vështirë për t’u identifikuar për shkak se pagesa bëhet nëpërmjet kriptovalutave . Ekspertët theksojnë se nevojitet një bashkëpunim ndërkombëtar për t’i luftuar sulmet hibride, që sjellin frikë dhe pasiguri.

Shkruan: Enis Shaqiri

Në Maqedoninë e Veriut, në një hark kohor prej 5 muajsh, janë regjistruar qindra kërcënime me bomba, që kanë përfshirë lokacione të ndryshme, si shkolla, qendra tregtare, aeroportin e Shkupit, institucione tjera shtetërore, si edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, dhe rezidencën e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Deri më tani nuk dihet se kush janë autorët e kërcënimeve për bomba. Ndërkaq sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, alarmet e rreme për bomba kanë treguar se IP adresat çojnë në Iran dhe Rusi.

Spasovski në një prononcim për Televizionin 24 tha se kërcënimet që vijnë nga adresat elektronike për bomba, janë adresa elektronike nga Irani dhe Rusia, kurse pagesat e shërbimeve VPN janë me kriptovaluta që vështirësojnë gjetjen e autorëve.

Në përgjithësi, për disa alarme të fundit, mund të konstatoj se e-mailet e dërguara çojnë në IP adresa nga Irani dhe Rusia, si dhe adresa VPN provajderët e të cilëve gjithashtu janë nga këto dy shtete. Është interesante se pagesat për shërbimet VPN janë kryer me kriptovaluta, që vështirëson zbulimin e autorëve,” u shpreh ai.

Spasovski mes tjerash informoi se për këtë problem, punohet ngushtë me Interpolin, Evropolin, NATO-n dhe vendet tjera anëtare të BE-së. Ai mes tjerash tha se sulmet hibride ushqehen nga gjithçka që po ndodh në botë, nga migrimi, te luftërat dhe krizat siç është ajo ekonomike.

Ky është një sulm hibrid intensiv që po na ndodh në të gjithë vendin, gjatë të cilit janë prekur rreth 120 objekte, jo vetëm shkolla. Shërbimet e sigurisë ishin duke punuar në mënyrë aktive, siguria nuk ishte e kërcënuar por duhej vepruar sipas udhëzimeve. Ne kemi krijuar një ekip operacional të institucioneve të ndryshme pjesëmarrëse me ekspertët e tyre dhe po kërkojmë zgjidhje të përshtatshme për të gjetur një qasje të ndryshme ndaj kërcënimeve elektronike. Si ministër kam sjellë udhëzime të reja për veprim dhe nga e premtja shkollat ​​funksionojnë sipas atyre udhëzimeve”, informoi Spasovski.

Ndryshe RMV, për herë të parë me këto lloje sulmesh kibernetike është ballafaquar më 19 tetor 2022.

Ministria e Punëve të Brendshme, në një prononcim për kdp.mk, muaj më parë, njoftoi se me kërcënime bombash është ballafaquar më 19 tetor të vitit të kaluar, ku përmes postës elektronike, MPB ka pranuar mesazh-kërcënues për vendosjen e një bombe në një nga autobusët e transportit publik të Shkupit.

Ndërkaq nga 19 tetori e deri më sot llogaritet të jenë përfshirë në alarme të rreme më shumë se 520 objekte.

Kërcënimet e këtij lloji për mjete shpërthyese të vendosura me intensitet të lartë, të cilat u përcillen nga adresa të ndryshme emaili në institucione të caktuara, kemi hasur për herë të parë më 19 tetor 2022, kur është dërguar kërcënimi për vendosjen e bombës në një nga autobusët e JSP-së. Po ashtu, në periudhën në vijim dhe deri më sot (13.12.2022) më shumë mesazhe të tilla kërcënuese janë dërguar në shkollat ​​e mesme në Shkup, shkollat ​​fillore në Shkup, Kavadar dhe Kriva Pallankë, Banka Popullore e RMV-së, Ministria e Punëve të Jashtme, GTC, Kompleksi Cevahir Sky City Holding. Kështu, në harkun kohor prej gati dy muajsh kemi të bëjmë me 14 kërcënime që i referohen më shumë se 130 lokacioneve ku operon ministria”, thonë nga MPB.

Sipas kësaj ministrie, me këto lloje sulmesh nuk përballet vetëm Maqedonia e Veriut, por edhe vendet e tjera të rajonit, të cilat janë rritur ndjeshëm në periudhën pas fillimit të Agresioni rus në Ukrainë.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se ky është një lloj sulmi hibrid ndaj vendit tonë. Në atë drejtim MPB-ja ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për të mbrojtur sigurinë dhe lirinë e qytetarëve, por në atë drejtim sigurisht që duhet një front më i gjerë në të cilin do të përfshihen të gjithë qytetarët e shtetit, veçanërisht në bashkëpunimin dhe mbështetjen e aktiviteteve që ndërmerren nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ky lloj i kërcënimeve nuk është dukuri që është shfaqur vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vende të tjera të rajonit, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe vende të tjera të Evropës, përfshirë SHBA-në dhe Kanadanë, janë gjithashtu të ndjeshme ndaj këtij lloji të sulmeve, të cilat janë rritur ndjeshëm në periudhën pas fillimit të Agresioni rus në Ukrainë”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në suaza të sulmeve apo alarmeve të këtilla për bomba, eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani thotë se organet e sigurisë në RMV me patjetër duhet të kërkojnë ndihmë dhe bashkëveprim ndërkombëtar, pasi që këto veprime siç thotë ai shkaktojnë, pasiguri, frikë, dhe mosbesim në organet e sigurisë në RMV.

“Organet e sigurisë së RMV-së duhet të kërkojnë bashkëveprim dhe ndihmë ndërkombëtare, për të parandaluar dhe penguar veprimet e këtilla kibernetike, propaganda, dezinformatat të cilat si pasojë shkaktojnë, pasiguri, frikë, dhe mosbesim në organet e sigurisë për të vënë autorët para drejtësisë. Derisa nuk gjenden autorët dhe nuk merren masa kundërzbuluese dhe sanksione penale, qoftë ndaj grupeve ose individëve kjo do të jetë në rritje, sepse shumë grupacione dhe shtete i shfrytëzojnë këto raste”, thotë Selmani.

Kujtojmë se pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, vendet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi, janë vënë në shënjestër të paralajmërimeve për vendosje bombash, si në shkolla, aeroporte, apo edhe institucione të tjera

Të fundit