E diel, 19 Maj, 2024

SKENARËT E FORMIMIT TË QEVERISË: KABINET KRIZE APO EVROPE?

Edhe pse dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE e ka shpallur veten si fituese të këtyre zgjedhjeve, madje ka përcaktuar edhe partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re. Analistët politikë sugjerojnë se struktura e qeverisë së ardhshme, pas 8 majit do të jetë e varur nga numri i deputetëve në Kuvend, veçanërisht nga numri i deputetëve që do të përfaqësojnë koalicionet politike në të dyja kampet, atë maqedonas dhe shqiptar.  Sipas tyre, pas 8 majit mund të shënohet fillimi i një krize të re politike, e cila do të hapë sërish rrugën për rritjen e ndikimeve malinje nga Rusia, Kina apo edhe vendeve të tjera të Lindjes. Megjithatë, çfarë do të sjellë rezultati final i këtyre zgjedhjeve, dhe çfarë do të ndodhë më pas?

Shkruan: ENIS SHAQIRI

Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski ka thënë se partia që ai drejton do të jetë fituese e dyfishtë e zgjedhjeve më 8 maj. Ky parashikim i Mickoskit mbështetet mbi suksesin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, ku kandidatja, Gordana Silanovska-Davkova, e mbështetur nga VMRO-DPMNE doli si fituese absolute.

Mickoski thuajse në të gjitha tubimet partiake dhe në paraqitjet para mediave, ka thënë se qeveria e re do të formohet nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski

Për VMRO-DPMNE-në qëndrimet janë shumë të qarta. Nuk dua të flas me emisarët që BDI i dërgon çdo ditë për koalicion me VMRO-DPMNE-në. BDI-ja për mua është kapitull i përfunduar dhe do të shkojë në opozitë”, ka deklaruar Mickoski.

Në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit koalicioni opozitar shqiptar me 83.000 votat e fituara është radhitur pas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që mori 121.000 vota. Diferenca mes Frontit dhe Vlen-it ishte 37.695 vota, por pavarësisht kësaj, Mickoski ka thënë se BDI-ja do të kalojë në opozitë.

Në anën tjetër, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se qytetarët do të vendosin se kush do të jetë pjesë e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti, ditë më parë nga Dibra i kujtoj VMRO-DPMNE-së, gabimin e vitit 2006 kur në qeveri hyri partia e dytë e shqiptarëve dhe jo partia fituese.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti

Opozita nuk duhet të bëjë gabimet që i ka bërë ish-kolegu im në vitin 2006 – partia e atëhershme e ka bërë këtë gabim dhe e ka paguar çmimin e lartë”, ka thënë Ahmeti.

Ne shqiptarët nuk jemi përfaqësues të një pakice, ne jemi përfaqësues legjitimë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe tani Fronti përfshin komunitetin rom, turk dhe boshnjak. Populli vendos”, ka deklaruar Ali Ahmeti nga Dibra.

Në vitin 2006, VMRO-DPMNE formoi qeveri me PDSH-në, një parti që atëherë fitoi më pak mandate se BDI.

Ndërkohë, tezën e Mickoskit e kanë konfirmuar edhe përfaqësues të koalicionit VLEN. Ata kanë thënë se do të jenë pjesë e Qeverisë së re dhe, madje, kanë dalë edhe me pozitat që do t’i kenë.

Drejtuesit e koalicionit VLEN

Duke qenë garuesit e vetëm në kampin politik shqiptar dhe, natyrisht, fitues të këtij blloku, ne jemi edhe përfaqësuesit e vetëm dhe legjitimë të shqiptarëve në këto zgjedhje. Rrjedhimisht, kjo na obligon që t’i përfaqësojmë shqiptarët edhe në qeverinë e ardhshme, ku – pos tjerash – do të drejtojmë institucione të rëndësishme të Punëve të Brendshme, që janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit, për ta luftuar kështu fuqishëm dhe drejtpërdrejt krimin dhe korrupsionin shumëvjeçar”, ka deklaruar Afrim Gashi, një nga drejtuesit e koalicionit VLEN.

Çfarë pritet të ndodhë pas 8 majit?

Analisti politik, Sefer Tahiri thotë për KDP.MK se qeveria e ardhshme, pas tetë majit do të varet shumë nga numrat e deputetëve në Kuvend, përkatësisht nga numrat e deputetëve që do të marrin kolacionet politike, në të dyja kampet, në atë maqedonas dhe shqiptarë.

Sefer Tahiri, analist politik

Konsideroj që për shkak të asaj që përflitet në opinion, nëse dallimi mes kolalicioneve shqiptare nuk do të jetë mbi tre deputet , qeverine e ardhshme do ta përbëjnë VMRO-DPMNE dhe kolacioni VLEN. Kjo do të jetë rezultat i pragmatizimit politik, dhe justifikim i kolacionit VLEN se është koalicion shqiptar, ndërsa Fronti Evropian, kolaicion multi-etnik, shumë partiak”, thotë Tahiri.

Tahiri thotë se: “Në rast se dallimi i numrave do të jetë më i madh se tre, atëherë mendoj se do të ketë krizë sa i përket formimit të qeverisë, përkatësishtë do të ketë ngërç në formimin e kolaicionit qeveritar, për shkak se VMRO-DPMNE-ja e ka ndarë mendjen që asesi të mos formoj qeveri me BDI-në”.

Në Maqedoninë e Veriut nga viti 2007 deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, “marrëveshja e majit” – ku qeveritë të formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.

Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur Qeveria u formua nga LSDM-ja edhe pse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

Ajo arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-së që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Pas kësaj, VMRO DPMNE-ja disa herë ka bërë të ditur se rregulli “fituesi me fituesin” më nuk do të vlejë.

Kurse për analistin Xhelal Neziri, pas datës 8 maj mund të shënohet edhe fillimi i një krize të re politike, e cila do të krijonte sërish hapësirë për rritjen e ndikimeve malinje nga Rusia, Kina dhe vende tjera të Lindjes.

Xhelal Neziri, analist politik

Një krizë e ngjashme me atë të vitit 2015-16, kur vendi ishte penguar që të zgjidhë problemin e emrit me Greqinë që të bëhet anëtar i NATO-s. Në një kohë kur integrimi në BE po shndërrohet në urgjencë gjeostrategjike, këto ndikime kërkojnë gjithnjë e më shumë terren të përshtatshëm për të pamundësuar rrumbullakimin e Unionit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Neziri.

Sipas Nezirit, rezultati i zgjedhjeve parlamentare, më 8 maj poashtu pritet të vendosë edhe dinamikën e ndryshimeve kushtetuese që burojnë nga Propozimi Francez, e që janë kusht i Brukselit për të vazhduar bisedimet me Shkupin për anëtarësim në BE.

Ky dokument, që hoqi veton bullgare, mund të jetë edhe parakusht i partive shqiptare për t’u bërë pjesë e qeverisë. Refuzimi i VMRO-DPMNE-së që të mbështesë këto ndryshime ka rezultuar me disa akuza në adresë të saj se në këtë mënyrë kjo parti tërthorazi punon për Rusinë. Vonesa e nisjes së negociatave, e përcjellë edhe me tonet e etno-nacionalizmit që kjo parti përdor në fjalorin e saj publik, ka rezultuar me një përkrahje historikisht më të ulët të procesit të integrimit në BE. Madje, në disa anketa rezulton se gati gjysma e maqedonasve etnikë mendojnë se është koha që të kërkohet alternativë për integrimin evropian”.

Kujtojmë se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues janë kusht për nisjen e bisedimeve ndërmjet Shkupit dhe Brukselit për anëtarësim në BE, ndërsa bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut me fqinjin e saj lindor, Bullgarinë.

Për shkak të mosmarrëveshjeve me Sofjen, përkatësisht detyrimit për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë si popull shtetformues, Maqedonia e Veriut ende nuk ka nisur bisedimet me BE-në për kapitujt.

Shkupi, më 19 korrik 2022, mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, por ajo u vlerësua si politike pasi bisedimet për kapitujt nuk mund të nisin pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

 

 

Të fundit