E diel, 19 Maj, 2024

MUNGESA E CILËSISË, SFIDA E VËSHTIRË E ARSIMIT SHQIP

Arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut po kalon nëpër sfida shumë të vështira. Ekspertë të kësaj fushe theksojnë se ka një ngecje në rritjen e cilësisë në arsim, që vjen për shkak të mungesës së kushteve, politizimit të arsimit dhe mungesës së kreativitete në mësimdhënie. Arsimtar shumëvjeçar Satki Ismaili thotë se aktivitetet që zhvillohen nëpër shkolla në masë të ulët zhvillojnë të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve dhe kjo vështirëson kërkesat e tregut të punës. Sipas tij,  kualiteti i vlerësimit në arsim në të gjitha nivelet është në masë të madhe jo objektiv dhe në vazhdimësi rritet mesatarja numerike ndërsa në anën tjetër rritet analfabetizmi funksional.

 Shkruan: Enis Shaqiri

Sot mbushen plot 136 vite që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap mësonjëtorja e parë Shqipe. 7 marsi, dita e mësuesit është një festë e cila shënohet në mbarë trevat shqiptare. Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore dhe historike për shqiptarët, pasi ishte hera e parë që u krijua institucioni shkollë në gjuhën shqipe.

Ndërkaq, sot, pas 136 viteve, që nga dita kur u hap mësonjëtorja e parë shqipe, lind pyetja se cila është gjendja e arsimit tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe mes tjerash, cilat janë problemet dhe sfidat në arsim që kërkojnë shqyrtim dhe zgjidhje?

Në një prononcim për kdp.mk, Satki Ismaili, arsimtar shumëvjeçar në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”, thekson se sot kur festojmë 136 vjetorin e formimit të shkollës së parë shqipe, arsimi shqip në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), rezulton të jetë shumë larg kualitetit që e posedon një numër më i madh i shteteve evropiane. Sipas tij, edhe pse po punohet në kërkim të rrugës së cilësisë, duke realizuar kështu reforma të ndryshme siç janë, programet mësimore, ndryshimi i librave si dhe qasja ndaj procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies, sërish gjatë hulumtimeve ndërkombëtare, rezulton se sistemi arsimor mbetet larg cilësisë dhe angazhimit për përmirësimin e saj.

Ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në ngecjen e kualitetit të arsimit në RMV duke u nisur nga infrastruktura shkollore, ku mungojnë mjedise stimulative për punë kreative siç janë kabinetet dhe hapësirat tjera për realizimin e aktiviteteve, sallat sportive, laboratorët, burimet e ndryshme teknologjike bashkëkohore, etj. Mbingarkesa e nxënësve me numër të madh të lëndëve mësimore kur kemi parasysh se në RMV pak shkolla kanë qëndrim ditor dhe efekti është shumë i vogël. Mungesa e librave mësimor në kontinuitet është një nga vështirësitë me të cilat ballafaqohen nxënësit dhe prindërit ku në periudha bile edhe më të gjata kohore mungojnë numër i konsideruar i librave. Mungesa e kreativitetit te një pjesë e konsideruar e mësimdhënësve për shkak të mos përcjelljes së zhvillimit profesional ndikon në mësimin jo kreativ dhe tërheqjes, ku hulumtimet tregojnë se nxënësit nuk kanë kënaqësinë e duhur nga prezenca në shkollë”, thekson Ismaili.

Rezultatet arsimore të nxënësve dhe studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut varen nga shumë faktorë, përfshirë mungesën e teksteve shkollore, burimet, programet dhe politikat arsimore.

Ndërkaq, sipas Ismailit, për tu tejkaluar të gjitha këto barriera ekzistuese, duhet krijuar një qasje më serioze ndaj ndryshimeve, si dhe një strategjitë e mirëfillt e arsimit në RMV, ku siç thotë ai duhet të përpilohen dhe realizohen ekipe profesionale pa qëllime dhe strategji politike të njëanshme dhe me përgjegjësi konkrete për dështimet eventuale.

Kur të gjitha këtyre faktorëve iu shtohen edhe dëshmitë që kanë të bëjnë me politizimin e arsimit në të gjitha nivelet duke u nisur nga pozitat udhëheqëse dhe deri te punësimet në baza partiake, lind një skepticizëm kolektiv shoqëror për ardhmërinë cilësore të arsimit në RMV me theks të veçantë të arsimit shqip ku të dhënat flasin se në testimet ndërkombëtare ngecje vërehet edhe në krahasim në mësimin në gjuhën maqedone”, thotë Ismaili.

Ismaili për më tepër thekson se “aktivitetet që zhvillohen nëpër shkolla në masë të ulët zhvillojnë të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve dhe kjo vështirëson kërkesat e tregut të punës. Kualiteti i vlerësimit në arsim në të gjitha nivelet është në masë të madhe jo objektiv dhe në vazhdimësi rritet mesatarja numerike ndërsa në anën tjetër rritet analfabetizmi funksional si pasojë e gjithë faktorëve të lartëpërmendur.”

Sipas raporteve të Komisionit për Edukim dhe Shkencë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkalla e shkollimit të nxënësve shqiptarë është ndjeshëm më e ulët në krahasim me shkollimin e nxënësve maqedonas.

Një arsye mund të jetë fakti që shumica e shkollave në zonat me popullsi shqiptare janë shkolla me mungesë të resurseve të nevojshme për të ofruar një arsim cilësor. Në shtojcë, gjithashtu theksohet se nxënësit shqiptarë përballen edhe me vështirësi në përdorimin e gjuhës maqedonase, që është gjuha zyrtare në Maqedoninë e Veriut, gjë që mund të ndikojë në arritjen e tyre akademike.

Historik i shkurtër i shkollës së parë shqipe

E para shkollë fillore kombëtare, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe, e themeluar në kushte të vështira të pushtimit osman në Korçë, më 7 Mars 1887, me iniciativën e një grupi rilindësish dhe përkrahjen e masave patriotike kombëtare dhe atyre të mërgimit u bë hapja e shkollës shqipe. Hapja e Mësonjtores së parë shqipe, shënon një datë të rëndësishme në historinë e arsimit tonë dhe në lëvizjen kombëtare në përgjithësi. Mësonjëtorja e parë shqipe, është një institucion kombëtar si nga përmbajtja ashtu edhe nga forma. Ajo është shkolla jonë e parë laike, për nxënës të të gjitha besimeve, dhe shtresave popullore demokratike, ku mësimi jepej falas. Këtu dominonte parimi i kombësisë mbi ndasitë fetare. Si e tillë ajo u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare. Nga ana e përmbajtjes, strukturës dhe planit mësimor Mësonjëtorja e parë shqipe kishte fizionominë e një shkolle të përparuar. Pra, ajo shërbeu si model për gati të gjitha shkollat e ngritura më vonë. Aty mësoheshin lëndët shkrim- këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre etj. E tërë përmbajtja e kësaj shkolle përshkohej nga fryma patriotike e mbajtur nga lëvizja që kishte ngjallur Rilindja jonë Kombëtare. Drejtuesit e saj qenë personalitete të shquara të arsimit dhe kulturës tonë të asaj kohe si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj. Si tekste të para shkollore u përdorën ato të Naim Frashërit, të Sami Frashërit dhe Jani Vretos si dhe shënime të përgatitura nga vet mësuesit. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë u bënë një repart pararojë për çuarjen përpara të arsimit kombëtar dhe edukimin e ndjenjës patriotike në masat e gjëra popullore.

Të fundit