E premte, 17 Maj, 2024

NJË EVOLUTË E (PA)MUNDSHME POLITIKE!

Brenda kësaj periudhe të tranzicionit të dhimbshëm qytetarët jo njëherë janë ndjerë të manipuluar në vullnetin e tyre, ndërkohë që politika nuk ka arritur që të transformohet dhe të kapë konceptet moderne të funksionimit që njohin dimensionin e përgjegjësisë, përkundër dimensionit të përhershëm utilitarist. Kjo ka krijuar një hendek të madh mes qytetarëve dhe politikës, një apati që sa vjen dhe zgjerohet në çdo cikël zgjedhor. Pikërisht, kjo shkëputje “elitiste” e politikës ka krijuar një vakum reprezentimi, një zonë apolitike që është mbushur me apati qytetare, me dëshpërim dhe mosbesim.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Lëvizje  e fundit politike duhet t’i shohim si fragmentarizim i plotë politik, apo si emancipim politik. Ky pluralitet i brendshëm politik është zvenitje, stërkeqje politike, apo evoluim dhe shkëputje nga format dogmatike të pozicionimeve. Është fazë kur politika kuptohet vetem si interes apo rirreshtim dhe rikonsolidim që pret një moment shfaqjeje në kualitete të reja. Në esencë politika e kërkon justifikimin qoftë si vizion, qoftë si lëvizje pragmatike. Në këtë botë të abstraktes krijohen orientimet, të cilat më pas do të duhet të konkretizohen në hemisferën e demosit, aty ku jeta demokratike e njeh vullnetin si legjitimitet demokratik dhe politik. Duket se beteja politike në të ardhmen do të zhvillohet në këtë hemisferë abstrakte legjitimiteti që në horizont do të ketë topisin elektoral “Europe”. Gjithë aktorët e kanë të drejtën legjitime që të problematizojnë, të sfidojnë dhe të mobilizojnë rreth koncepteve politike që i afishojnë. Argumentimi politik i një vizioni politik kërkon projeksione, strukturim dhe mbi të gjitha energji politike për ta bërë të pranishëm një opsion në hapësirën politike dhe publike.

Paduskutim, në gjithë gjerësinë e nocionit politikë përbrendësohet edhe një sistem vlerash dhe parimesh, të cilat i japin kuptim hapësirës demokratike, por edhe marrëdhënieve të politikës, gjegjësisht partive politike në raport me elektoratin në gjithë gjerësinë e reprezentimit. Edhe në këtë pikë, interpretimet shfaqen të ndryshme. Në njërën anë kemi pragmatizimin politik që përjashton moralizimet dhe në anën tjetër kemi të kuptuarit e politikës përmes toneve të idealitetit që në sfond ka një iluminim të brendshëm, gjegjësisht një moralitetit funksionimi.

Sigurisht, brenda kësaj periudhe të tranzicionit të dhimbshëm qytetarët jo njëherë janë ndjerë të manipuluar në vullnetin e tyre, ndërkohë që politika nuk ka arritur që të transformohet dhe të kapë konceptet moderne të funksionimit që njohin dimensionin e përgjegjësisë, përkundër dimensionit të përhershëm utilitarist. Kjo ka krijuar një hendek të madh mes qytetarëve dhe politikës, një apati që sa vjen dhe zgjerohet në çdo cikël zgjedhor. Pikërisht, kjo shkëputje “elitiste” e politikës ka krijuar një vakum reprezentimi, një zonë apolitike që është mbushur me apati qytetare, me dëshpërim dhe mosbesim.

Me gjasë ky mosbesim politik do të metastazojë edhe në të ardhmen, ndërkohë që apatia do të gjejë një shtrat të ngrohtë në hapësirën e demosit të dëshpëruar. Janë edhe shumë faktorë tjerë që e bëjnë tepër të komplikuar gjithë këtë suazë përballje mes dy koncepteve politike që në hapësirën ballkanike dhe sidomos në Maqedoninë e Veriut shfaqen  vetëm si parashenja të një normaliteti politik i kuptuar në sensin e koncepteve politike europiane.

Brenda kohës janë shfaqur dilema në opinion që ndërlidhen me dimensionin etik të funksionimit në politikë. Do të ishte perfekte që politika të konceptohej edhe përmes dimensionit etik, por në realitet, nocioni politikë shfaqet më i komplikuar dhe shtrinë praninë në mekanizma tjerë, të cilat determinohen edhe nga koncepti dhe ideja e fuqisë së pushtetit ashtu siç e definon edhe Fuko. Në Ballkan përgjithësisht ky koncept shfaqet më me intensitet, pra politika e kuptuar më tepër si fuqi pushteti. Në Ballkan, pra edhe këtu tek ne, dinamikat politike përcaktohen nga kontekste të caktuara kohore, të cilat bëjnë që partitë politike të jenë shumë më pragmatike në raport me elektoratin që përfaqësojnë. Në kuadër të kësaj paranteze e shoh edhe hyrjen e ASH-së në qeveri si një e drejtë legjitime e një subjekti që nënkupton se paraprakisht i ka bërë përllogaritjet në raport me elektoratin që përfaqëson dhe synon në të ardhmen. Sigurisht se dinamikat dhe kontekstet ndryshojnë dhe arsyetimet e partive politike mbeten të tilla siç i kemi dëgjuar, pra në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese dhe në sinkron me integrimet europiane. Sigurisht, kjo pjesëmarrje do të varet nga rezultatet që do të tregohen në raport me elektoratin që përfaqëson dhe me synimet politike të shpaluara si parti politike. Lëvizjet e partive politike duhet të shihen në këtë sens, në sensin e dinamikave dhe konteksteve të caktuara si dhe në aspektin e rezultateve që prodhojnë në raport me elektoratin që synojnë. Janë zgjedhjet pastaj ato që tregojnë nëse një subjekt politik ka pasur të drejtë ose jo.

Sëkëndejmi, gjithçka kthehet përsëri te legjitimiteti i demosit, te legjitimiteti elektoral që është esenca e jetës demokratike. Sidoqoftë, dilemat gjithnjë mbeten pezull, sepse në rrugë e sipër shumëçka humbet, ndërkohë që mjegulla e diskurseve vazhdon të justifikojë një veprim, një lëvizje një taktizim. Mbase mund të mbetemi të zhgënjyer për sa kohë që kërkojmë më tepër nga politika, por jetojmë në Ballkan dhe evolutat janë të ngadalshme dhe me shumë ngërçe!

 

Të fundit