E enjte, 2 Maj, 2024

RADA TRAJKOVIQ: INTEGRIMIN E SERBËVE NË KOSOVË E BËN MAFIA SERBE

Rada Trajkoviq, politikania serbe nga Kosova dhe së fundmi këshilltare e Qeverisë në Prishtinë, ka akuzuar regjimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për atë që ajo e ka quajtur mbështetje të „elementëve kriminogjenë“. Ajo në një intervistë për seksionin serb të Deutsche Welles, sikurse transmeton kdp.mk, ka thënë se serbët në veri janë në frikë nga “elementë kriminogjenë” nën kontrollin e Beogradit, ndërsa ata nën lumin Ibër – të „shqiptarëve ekstremistë“.

“Qeveria e Serbisë dhe zoti Vuçiq, për mendimin tim, janë financuesit kryesorë të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, të cilët përndryshe janë në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-së si kriminelë apo mafiozë transnacionalë dhe janë të dyshuar për krimin ndaj Oliver Ivanoviqit. Përkundër gjithë kësaj, ata edhe sot marrin projektet më fitimprurëse nga qeveria e Serbisë dhe Ana Bërnabiq”, – pohon Trajkoviq.

Sipas saj, bashkësia ndërkombëtare dhe Vuçiqi gabuan rëndë kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit: “Ata lejuan që integrimin e serbëve ta bëj mafia”. Dhe, kur integrimin e bën mafia, “rezultat duhet të jetë profiti”.

“Në momentin kur e panë se iu rrezikua profiti” ata “shkuan në incidente, destabilizimin e Veriut të Kosovës dhe të vetë Kosovës”, – thotë Trajkoviq.

Serbët që braktisën institucionet kosovare marrin mundësinë e “kompensimit” nga Beogradi. Ky është një “shantazh financiar” dhe “kontroll” i serbëve që nënshkruajnë kontratë me punëdhënësin – Qeverinë e Serbisë. Në këtë mënyrë, qeveria serbe “obligon njerëzit të jenë loajalë”. “Ata për aktivitetet e ardhshme, ri-rekrutojnë popullatën në kuptim të kontrollit të tyre”,- ka thënë Rada Trajkoviq duke bërë të ditur se kur është në Beograd ndjehet si në “arrest shtëpiak” dhe jeton me “shumë pak liri”. Gazetarëve të radios gjermane u ka thënë se në Kosovë “ndjehet më e relaksuar”, ndonëse edhe atje dikur ka qenë nën mbrojtjen e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare.

Duke folur për zhvillimet e fundit Kosovë-Serbi, Rada Trajkoviq thotë se nuk beson se do të ketë një “zgjidhje finale” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por se mund të ulen tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve, me kusht që Serbia të jetë në anën e Evropës, Amerikës dhe të NATO-s, “në këtë kohë kur duhet të thuhet qartë se mbështesim Ukrainën”.

 

Të fundit