E enjte, 2 Maj, 2024

ALTERNATIVA JASHTË QEVERISË, VEPRIM I IMPONUAR

Naser Pajaziti: “Largimi i Alternativës ishte një veprim i imponuar nga qasja mashtruese e LSDM-së, e cila u pa se për të ruajtur pushtetin është në gjendje të bëj gjithçka. Në këtë skemë sigurisht është e përfshirë edhe BDI, e cila po zhveshë dhe po defaktorizon subjektet politike oponente”.

Orhan Murtezani: “Ne kemi vendosur që Alternativa bashkë me tre deputetët dhe të gjitha strukturat tona  sot e tutje do të jetë parti opozitare. Megjithatë, ne mbetemi të përkushtuar në rrugën europiane, të përcaktimeve tona ideologjike, të programit tonë politik dhe të virtyteve në të cilat ne besojmë.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Braktisja e pushtetit nga ana e partisë Alternativa, sipas analistëve ishte veprim i imponuar. Sipas tyre, partia më e madhe në pushtet LSDM nuk e kishte respektuar marrëveshjen me Alternativën të arritur një vit më parë.

Analisti politik Naser Pajaziti vlerëson se tani kjo parti do të pozicionohet tek hapësira opozitare dhe do të shqyrtojë mundësi për koalicione dhe aleanca të reja.

“Largimi i Alternativës ishte një veprim i imponuar nga qasja mashtruese e LSDM-së, e cila u pa se për të ruajtur pushtetin është në gjendje të bëj gjithçka.  Në këtë skemë sigurisht është e përfshirë edhe BDI, e cila po zhveshë dhe po defaktorizon subjektet politike oponente, ‘duke i joshur në pushtet’ dhe më pas duke i flakur në rrugë. Po, sigurisht se do ketë reperkusione, sepse në situatën e krijuar humbet fuqia dhe protagonizmi i saj, që edhe me pushtet ishte tej mase i zbehur. Tani ky subjekt sigurisht se do shikojë ripozicionimin tek hapësira opozitare,  duke tentuar koalicione dhe aleanca të reja politike. Vetëm ky opsion ngelet shpëtim për këtë subjekt politik”, thotë analisti Pajaziti.

Ndërkaq, zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani, për KDP.MK ka theksuar se  nga sot e tutje partia e tij do kalojë në opozitë, por pavarësisht se do jenë në opozitë do e mbështesin rrugën euro-integruese të vendit.

“Ne kemi vendosur që Alternativa bashkë me tre deputetët dhe të gjitha strukturat tona  sot e tutje do të jetë parti opozitare.

Megjithatë, ne mbetemi të përkushtuar në rrugën europiane, të përcaktimeve tona ideologjike, të programit tonë politik dhe të virtyteve në të cilat ne besojmë. Do të vazhdojmë të angazhohemi për të mirën e qytetarëve, për t’i mbajtur të rinjtë këtu, për të krijuar standard më të mirë jetësor dhe për luftë kundër korrupsionit”, deklaroi zëdhënësi Murtezani.

Një ditë më parë, kryesia qendrore e Alternativës vendosi të kalojë në opozitë pasi që sipas tyre LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Historiku i hyrjeve dhe daljeve të Alternativës fillon në vitin 2017, kur kjo parti si fraksion i Lëvizjes Besa e plotësoi mungesën e ASH-së duke e mbajtur stabile garniturë qeveritare.

Më pas, nuk kaloi dy vite, partia e Gashit e lëshoi qeverinë, për t’u rikthyer në vitin 2021 sërish nëqeveri. Në vitin 2022, partia e Afrim Gashit erdhi me synimin ta shpëtojë qeverinë europiane, pasi pas iniciativës për rrëzimin e Qeveris, AAA-ja me deputetët e saj krijoi shumicën qeveritare. Kurse, pas një viti qeverisje, vendosi të dalë nga qeveria me arsyetimin për shkelje të marrëveshjes nga partnerët e koalicionit.

Të fundit