E premte, 19 Prill, 2024

ABDIJI: GJITHÇKA MË ÇON TEK LIBRAT

Genta Abdiji është studente e Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore. Ajo sapo ka botuar romanin e parë të titulluar “Ti je dritë“.  Abdiji thotë se procesi i shkrimit të romanit ka kaluar nëpër shumë sfida, por gjithnjë ka qenë i pranishëm edhe një entuziazëm për t’i dhënë jetë rrëfimit.  Në një intervistë për KDP, ajo thekson se romani “Ti je dritë” flet për një histori krejtësisht imagjinare, që në vete ngërthen dashurinë, besimin dhe dhimbjen, si tre elementet më kryesore. Vetë titulli i romanit, thotë Abdiji, kapet fort me njerëz, të cilët në jetë kanë një rol tejet të rëndësishëm dhe që mund të përshkruhen vetëm me termin “dritë”. Ajo thotë se të gjitha rrugët e çojnë te librat. Vetëm LIBRAT, – ngaqë gjithçka më çon tek to: puna, pasioni, profesioni. Por veç tyre më pëlqen tej mase shahu dhe natyra, e këto janë pjesëza që më përmbushin si person”, thotë Abdiji.

Intervistoi: Enis Shaqiri

KDP: Kush është Genta Abdiji, një biografi e shkurtër?

Genta Abdiji: Jam studente e Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore dhe vij nga fshati Bogovinë. Përndryshe, jam autore e përmbledhjes “Vajza e Vargjeve” dhe botimit tim më të ri “Ti je dritë”.
Vullnetare, aktiviste si dhe pjesë e bordit udhëheqës të Këshillit Rinor të Komunës së Bogovinës.

KDP: Së fundmi keni botuar romanin tuaj të titulluar “Ti je dritë“. Ky është romani juaj i parë, na thoni çfarë përfshihet brenda faqeve të romanit?

Genta Abdiji:  “Ti je dritë” siç edhe e përmendët është romani im i parë, i shtrirë në një proces sa sfidues po aq edhe entuziast.
Është një histori krejtësisht imagjinare në rrjedhën e saj por që ngërthen dashurinë, besimin dhe dhimbjen, si tre elemente që realisht na ndërtojnë neve si njerëz.
Kjo histori flet për onkologun Igor Hana, një person që kishte gjithçka para njëzet vitesh përveç mirëqenies të të birit, i cili brehej nga njëfarë hije trishtimi. Tani doktori nuk ka më asgjë dhe jeton krejtësisht vetëm pikërisht pasi jeta e tij mori një frymë komplet tjetër kur mikja e tij e çmuar dhe pacientja e tij e preferuar, Anja, u shpall e shëruar nga kanceri, duke ndryshuar jetët e tyre krejtësisht.
E pse doktorin e mbyt faji edhe tani? Çfarë ka që nuk shkon tek kjo?

KDP: Thuhet zakonisht se titulli i një romani gjithmonë është një metaforë. Pse pikërisht keni vendosur që romanin tuaj të parë ta titulloni “Ti je dritë”?

Genta Abdiji: Rrjedha e realizimit të këtij libri kapet fort me disa njerëz të cilët në jetën time personale, sigurisht edhe duke pasur impakt vërtet të madh në jetën profesionale, luajnë një rol tejet të rëndësishëm që nuk i përshkruan asgjë veç termit “dritë”. “Ti je dritë” është për dhe vjen nga njerëzit që unë quaj familje. Njerëzit e mi të duhur.

KDP: Cila pjesë e romanit tuaj ju ka krijuar më shumë emocion gjatë procesit të shkrimit?

Genta Abdiji: Pjesa që nuk e ka shokun në emocione sa në të lexuar, po ashtu edhe në procesin e shkrimit është padyshim “vrasja” (jo aq mizore sa tingëllon) e njërit prej personazheve kryesor. Ka kuptimin e saj.

KDP: Kur keni filluar që të merreni me shkrime, dhe si lindi në ju pasioni për të shkruar? A ju kujtohet historia e parë që keni shkruar?

Genta Abdiji: Me shkrime kam nisur të merrem që në klasë të tretë dhe lidhja ime me librat e të shkruarin ka qenë me mua që prej kur mundem të mbaj mend. Nuk ekziston një start përballë fuqisë së tyre që tërhiqte fuqishëm zemrën time.
Dhe po, më kujtohet, por me nostalgji do doja të theksoja poezinë e parë që kam botuar kur isha vetëm dhjetë vjeçe e titulluar “Shkolla ime”.

KDP: Cili është vendi dhe koha e juaj ideale për të shkruar një libër?

Genta Abdiji: Vendi im ideal për të shkruar një libër është dhoma ime e punës si dhe biblioteka ku punoj. Megjithëkëtë, koha ideale për të shkruarin tek unë është në orët e hershme të mëngjesit teksa i shpalos idetë dhe energjinë mbi faqen e bardhë në pragun e një dite të re. Metodë e frytshme.

KDP: Mund të na thoni se cili ka qenë ndër librat parë që e keni lexuar dhe që mund ta veçoni?

Genta Abdiji: Libri i parë që kam lexuar në jetën time është “Kënga e shkronjave” nga Fejzi Bojku. Një kujtim sa i ëmbël po aq edhe i vyer.

KDP: Cilët janë tre librat dhe autorët tuaj të preferuar?

Genta Abdiji: Është pyetje e vështirë të kufizosh tre libra të preferuar kur në anën tjetër është një listë stërmadhe me libra të shkëlqyer, por librat në Top 3 nuk do zëvendësohen kurrë nga të tjerë për mua:  “Muzgu”, “Sepse të dua” dhe  “Tri bijat e Evës”.
Kurse autori im i preferuar është Guillaume Musso, si mjeshtër i suspensës e krimit, gjersa pasohet nga Agatha Christie, Elif Şafak dhe Stephenie Meyer.
Sugjerim leximi: “Xhejn Er” dhe “Të vrasësh zogun përqeshës”.

KDP: Cilin personazh të një libri do të donit ta takonit?

Genta Abdiji:  Do doja të takoja shumë, profesor Azurin nga romani “Tri bijat e Evës” si dhe Konnor Mekkoin nga “Sepse të dua”.
Janë karaktere brilante.

KDP: Ku mund ta gjejnë librin tuaj lexuesit?

Genta Abdiji:  Momentalisht nuk është spostuar ende nëpër librari, por do të vendoset së shpejti për shitje, e për çdo rast mund të më drejtohen mua personalisht.

Të fundit