E enjte, 2 Maj, 2024

NATO: MINISTRAT E MBROJTJES DISKUTOJNË NDIHMAT PËR UKRAINËN

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s  fillojnë sot në Bruksel takimin dy-ditor në të cilin do të diskutohet edhe kërkesa e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për avionë luftarakë dhe raketa me rreze të largët veprimi. Konferenca e ashtuquajtur e Ramsteinit ku me ftesë të SHBA marrin pjesë rreth 50 shtete në Bruksel do të konsultohet për ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën, por nuk priten vendime. Sikurse transmeton kdp.mk, në takim merr pjesë edhe ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov.

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg , duke komentuar zhvillimet e fundit citohet të ketë vlerësuar se lufta ka ndryshuar, edhe mbështetja për Ukrainën po ashtu – nga tanket, artileria dhe mbrojtja ajrore dhe deri tek tanket luftarake. Në vend që të diskutojnë për sisteme të reja armësh, aleatët duhet të bëjnë të mundur që “ushtria ukrainase t’i ketë në dispozicion e t’i përdorë armët e furnizuara dhe të ketë municion të mjaftueshëm, karburant dhe pjesë këmbimi në dispozicion, para se Rusia të marrë iniciativën në fushën e betejës,”- ka thënë Jens Stoltenberg.

Grupi Ramstein pritet të diskutojë për ndihmën e mundshme të mëtejshme ushtarake, pasi Ukraina u ka bërë thirrje aleatëve të saj të ofrojnë avionë luftarakë dhe raketa me rreze të largët veprimi.

Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg, të hënën tha se aleanca ushtarake perëndimore nuk parë “asnjë shenjë” se presidenti rus Vladimir Putin do paqe.

“Çfarë po shohim është se presidenti Putin dhe Rusia ende dëshirojnë të kontrollojnë Ukrainën…Ne shohim se si ata po dërgojnë më shumë trupa, më shumë armë, më shumë aftësi”, – tha Stoltenberg, duke paralajmëruar se NATO do të rrisë objektivat për grumbullimin e municioneve për Ukrainën.

Nga ana tjetër, Kievi ka paralajmëruar se pret një ofensivë edhe më të gjerë ruse që mund të ketë në shënjestër jo vetëm rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, por edhe Harkivin dhe rajonin e Zaporizhjës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha në fjalimin e tij të mbrëmjes më 13 shkurt, pas takimit komandantët ushtarakë, se forcat e tij janë të përgatitura për përballje me armikun:

“Vëmendje e vazhdueshme i kushtohet furnizimit me armë, municione dhe gjithçka që rrit kapacitetin dhe stabilitetin për ushtarët tanë”,- tha ai.

Valeriy Zaluzhniy, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, tha kishte zhvilluar një telefonatë me Komandantin Suprem të NATO-s në Evropë, Christopher Cavoli, në prag të takimit.

“Ne diskutuam çështjen e furnizimit me ndihmë ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën dhe trajnimin e njësive tona në territorin e vendeve partnere”, – tha Zaluzhniy. Shtetet perëndimore tashmë janë pajtuar që t’i japin Ukrainës tanke moderne, përfshirë tanket gjermane Leopard 2, por edhe artileri, makina luftarake dhe armë të tjera dhe municione.

Më herët, Rusia tërhoqi vërejtjen se nëse Kievi merr avionë luftarakë nga Perëndimi, atëherë shtetet e NATO-s do të ishin palë të përfshira “direkt” në konflikt”. Ndërkaq, në kuadrin e samitit në Bruksel, pritet që të mblidhet edhe Grupi i Kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës.

Të fundit