E hënë, 13 Maj, 2024

TOP 500 SHQIPTARËT HERONJ TË 2022!

Shkruan: Lutfi Dervishi

Çdo fund viti është shndërruar në traditë mediatike renditja e 10 apo 100 njerëzve më të shquar të 12 muajve që po lihen pas. Televizione, gazeta dhe portale, nxitojnë të stampojnë listat e tyre për të nxjerrë sa më shpejt njeriun e vitit në shkencë, art, komunikim, teknologji, novacion, apo sport. Shqipëria njihet si vend që prodhon shkencëtarë novatorë, artistë dhe influencer me rrezatim jo veç në Ballkan, por akoma e më gjerë.

Lista e 500 shqiptarëve më të shquar për vitin 2022 nuk i përket sferës së biznesit ku fare mirë në këtë bashkësi mund të sistemoheshin biznesmenë që kanë “fituar” tendera me 99.99% të fondit limit, mund të spikasnin “investitorë strategjikë” që dalin nga vendimet e zbardhura të qeverisë, madje-madje mund të ishin edhe investitorë të huaj nga ata që kanë 10 vjet që kanë zënë radhën për të investuar në Shqipëri. Por, jo.

Grupi i 500 shqiptarëve të shquar nuk i përket as taksapaguesve dhe bamirësve që ky vend i ka me shumicë. Kjo listë mund të bëhej publike, por “kur jep dora e majtë, e djathta nuk duhet ta dijë”.

Në listën “Top 500” nuk bëjnë pjesë as zjarrfikësit, as mjekët dhe as policët. Jo se nuk e meritojnë, por puna e tyre nuk ka të krahasuar me angazhimin, mundin dhe sakrificën e heronjve të vërtetë të vitit 2022.

Te këta të fundit nuk bëjnë pjesë as ministrat, deputetët apo zyrtarët të cilët për çdo fatkeqësi që kalon vendi janë në këmbë, në ballë të situatës.

Nuk janë as ata që po punojnë nate e ditë dhe as ata që nuk njohin pushimin se #punojnëpapushim për #ShqipërinëQëDuam.

Jo. Heronjtë e vërtetë janë krejt të tjerë.

Madje-madje, nuk bëjnë pjesë as te grupi i atyre që kanë lehtësuar këtë vit kalimin e 12 mijë shqiptarëve në kanalin e La Manshit.

E për të qenë të vërtetë, 500 heronjtë nuk janë të përzgjedhur as mes 12 mijë shqiptarëve që duke parë kushtet e vështira në të cilat ndodhet Anglia pas Brex-it, lanë mëmëdheun, lanë shtëpi e katandi, dhe në traditën më të mirë të solidaritetit, vajtën për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.

500 heronjtë e përzgjedhur mes qindra të tjerëve janë ata që orar e pa orar iu përgjigjen detyrës karshi publikut, njerëz që asnjëherë nuk panë rehatinë e tyre personale, njerëz që nuk dallojnë ditën nga nata, të hënën nga e diela, ja pra këta janë heronjtë që vrapuan gjatë 2022 duke sfiduar herë paragjykimet, herë motin e keq dhe gjithmonë trafikun.

500 shqiptarët që meritojnë nderimin dhe përuljen e të gjithëve janë mes nesh, por si të thuash, jashtë dëshirës së tyre janë “fshehur” në vendin më të dukshëm… në ekranin e TV.

Duam apo nuk duam, heronjtë e vërtetë janë pikërisht të ftuarit nëpër emisionet e panumërta televizive. Për të kuptuar sakrificën sublime të këtyre heronjve mjafton të përllogarisim pa laps e letër faktin se një televizion ka nevojë për 50 të ftuar në ditë. Ndodh që i ftuari të përsëritet disa herë në ditë brenda një televizioni por ai është në kategorinë: Superhero!

15 televizione informative (pa llogaritur televizonet gjeneraliste dhe atë publik), kanë nevojë për minimumi 750 të ftuar në ditë. Pra, janë qindra në mos mijëra që mbajnë gjallë debatin e shëndetshëm publik në Shqipëri, pa të cilin demokracia do të vdiste dhe jeta do të bëhej pa kuptim. Këta 750 të ftuar prodhojnë 1750 tituj për 1750 portale, ose 1751 pasi 1 sapo u hap.

As zjarrfikësit, as mjekët, as policët, madje as patronazhistët nuk mund të krahasohen me ushtrinë e të ftuarve në televizionet tona, të përzgjedhurit mes 2.793.592 banorëve të republikës.

Duke vrapuar nga njëri televizion tek tjetri, duke bërë ecejake nga njëri emision tek tjetri, publiku shqiptar për çdo ditë të 2022 u informua, argëtua, buzëqeshi dhe mbi të gjitha u iluminua jo vetëm për çfarë ka ndodhur dhe ç’do të ndodhë në Shqipëri, por edhe për ngjarjet me rëndësi planetare, si ngrohja globale, terrorizmi, lufta në Ukrainë, konflikti në Jemen, zgjedhjet në Kirgistan dhe protestat në Kazakistan. Pa harruar debatin për abortin në SHBA i cili bashkërenditej në pjesën e dytë të emisioneve për Portin e Durrësit.

Publiku u informua për të gjitha çështjet ndërkombëtare për të cilat patën dilema zërat kopetentë nga Uashingtoni dhe Londra.

Falë analistëve, komentatorëve, editorialistëve, opinionistëve, kolumnistëve, influencarve, moderatorëve, studiuesve, kritikëve, vëzhguesve, juristëve, specialistëve, ekspertëve dhe sidomos historianëve që gjetën rrënjët shqipe të shenjtorëve, Shqipëria po përmbyll një vit suksesi në një kohë që mbetet në pikëpyetje të madhe fakti nëse edhe vendet e tjera do të arrijnë ta mbyllin vitin.

Një dolli me 500 shëndete për heronjtë e vërtetë të 2022! Gëzuar!

 

Të fundit