E mërkurë, 15 Maj, 2024

SKENARET 2023

VMRO-DPMNE e ka LEVICA-n aleatin e vetëm për zgjedhje të parakohshme. Kjo aleancë është sfida e tretë për Mickovskin, që është një lloj sublimimi i dy të parëve. Koalicioni me LEVICA-n sjell njëkohësisht probleme edhe me partitë e shqiptarëve etnikë, edhe me faktorin ndërkombëtar.

Shkruan: Xhelal Neziri

Partia më e madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE, ka kohë që kërkon zgjedhje të parakohshme. E udhëhequr nga sondazhet e fundit, kjo parti është e bindur se në ato zgjedhje të mundshme parlamentare, që do të mbaheshin në vitin 2023, do të korrte një fitore që do të çonte në marrjen e pushtetit. Në këtë mënyrë, partia do të rikthehej në pushtet pas gati gjashtë vitesh veprim si opozitë.

VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga ish-presidenti i saj Nikolla Gruevski, ishte në pushtet nga viti 2006 deri në vitin 2016. Në këtë dekadë sundimi, partia ishte në garë të përhershme për të fituar më shumë pushtet, duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme politike. Si rezultat i kësaj politike të së djathtës maqedonase, e cila bazohej në disponimin e votuesve i matur përmes anketave të rregullta, gjatë kësaj periudhe vendi mbajti madje katër cikle zgjedhjesh të parakohshme parlamentare. Qytetarët i zgjidhnin deputetët çdo dy vjet e gjysmë. Pas çdo cikël zgjedhor, VMRO-DPMNE fitonte më shumë pushtet, me përjashtim të atyre të mbajtura në dhjetor 2016. Në zgjedhjet e vitit 2014, VMRO-DPMNE fitoi madje 61 deputetë, një shumicë parlamentare që i mundësonte asaj të formojë qeveri pa bërë koalicion me një parti tjetër. Gruevski, megjithatë, vendosi të bëjë koalicion me BDI-në, e cila fitoi 19 vende në Parlament. Por shifra prej 61 deputetësh i dha atij një pozicion të fortë negociator.

Që nga dhjetori i vitit 2017, VMRO-DPMNE ka lider të ri – profesorin universitar Hristijan Mickovski. Ai mori stafetën e lidershipit në parti pas debaklit elektoral në zgjedhjet lokale në tetor 2017, kur partia fitoi vetëm në pesë komuna. Në maj të të njëjtit vit, VMRO-DPMNE nuk arriti të formojë qeveri edhe pse në zgjedhjet parlamentare fitoi me dy deputetë dallim në krahasim me LSDM-në. Arsyeja ishte kapaciteti i dobët i koalicionit me partitë e shqiptarëve etnikë, por edhe marrëdhëniet e këqija me faktorin ndërkombëtar që Mickovski i trashëgoi nga paraardhësi i tij.

Mickovski në daljet e fundit publike kërkon edhe 61 deputetë. Qëndrimi i tij ndaj Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, pra ndaj emrit të ri kushtetues të shtetit, dhe ndaj Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, mbetet pothuajse i njëjtë me paraardhësin e tij. Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Aleancën për Shqiptarët, Mickovski ballafaqohet edhe me mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme koalicionuese.

Realiteti i skenës politike në Maqedoninë e Veriut është i tillë që çdo parti, e cila synon të jetë pjesë e qeverisë, duhet të ndërtojë një kapacitet koalicioni në raport me partitë e bllokut tjetër etnik. Kjo do të thotë se duhet të ketë një program tërheqës, partneritete reale dhe sigurisht një diskurs publik korrekt për temat kyçe. VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët u përpoqën të krijojnë një bashkëpunim të natyrshëm ideologjik, i cili do të jetë gjithëpërfshirës në raport me të gjithë votuesit me botëkuptim të djathtë, pavarësisht nëse janë maqedonas apo shqiptarë etnikë. Por ata nuk arritën të krijonin një ide të përbashkët mobilizuese që do t’i bashkonte në partneritetin e tyre. Bashkëpunimet që bazohen vetëm në aspektin pragmatik, pa asnjë ide apo ideal, janë jetëshkurtër dhe përfundojnë me shpalljen e rezultateve zgjedhore. Aleanca më në fund e kuptoi se nuk mund të presë një shekull që VMRO-DPMNE të reformohet, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me temat kryesore, siç janë marrëdhëniet me Bullgarinë dhe Greqinë, nga të cilat varet integrimi evropian. Në anën tjetër, BESA si parti politike, tash për tash, nuk ka kapacitete të mbulojë tërë fushën opozitare.

Përveç raportit me partitë e shqiptarëve, në vitin 2023 VMRO-DPMNE do të ketë edhe sfidën e dytë, më të madhe: marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar në rast se do të mbetet në qëndrimet e saj për Propozimin Francez. Domethënë, nëse VMRO-DPMNE i pengon ndryshimet kushtetuese për të përfshirë edhe bullgarët etnikë, atëherë do të kemi dy opsione: ose një qeveri të unitetit kombëtar, ose zgjedhje të parakohshme së bashku me zgjedhjet presidenciale. Opsioni i zgjedhjeve të parakohshme do të ishte fitore për VMRO-DPMNE-në, e cila i kërkon me këmbëngulje prej më shumë se një viti, por do të nënkuptonte ngrirje të negociatave me BE-në dhe humbje të paktën një viti në procesin e anëtarësimit.

Mbi të gjitha, zgjedhjet e parakohshme aktualisht nuk po shkojnë në favor të asnjë partie politike që është pjesë e qeverisë. Nuk i do LSDM-ja sepse sipas sondazheve nuk ka mbështetjen në elektorat që mund t’i sjellë fitore zgjedhore. BDI-ja e Ali Ahmetit ka një rejting të mirë, por asaj i përshtatet pozita e “king-maker”-it apo vendimmarrësit për shumicën parlamentare. Aleancës për Shqiptarët i duhet më shumë kohë për t’u konsoliduar me Taravarin në krye. E njëjta gjë vlen edhe për BESA-n.

VMRO-DPMNE e ka LEVICA-n aleatin e vetëm për zgjedhje të parakohshme. Kjo aleancë është sfida e tretë për Mickovskin, që është një lloj sublimimi i dy të parëve. Koalicioni me LEVICA-n sjell njëkohësisht probleme edhe me partitë e shqiptarëve etnikë, edhe me faktorin ndërkombëtar. Me një orientim të tillë gjeostrategjik, LEVICA vështirë se mund të jetë pjesë e ndonjë qeverie. Nëse formimi i qeverisë së ardhshme do të varet nga LEVICA, ajo qeveri nuk do të formohet kurrë. Nëse ndonjë nga partitë e shqiptarëve etnikë tenton të hyjë në çfarëdo lloj bashkëpunimi me LEVICA-n, atëherë do të duhet të përgatitet për të paguar një faturë të rëndë politike.

LEVICA është një parti e së majtës ekstreme, e cila përdor mjete populiste për të marrë sa më shumë mbështetje. Ajo thotë atë që mendon se shumica e popullit dëshiron të dëgjojë nga politikanët. Në veprimtarinë e këtyre partive politike nuk ka racionalitet, vizion, largpamësi apo shtetndërtim. Rritja e tyre, megjithatë, ka një prag. Dhe këto lloj partish janë test për kapacitetin demokratik të shoqërisë. Megjithëse demokracia po përballet me një lloj krize, ajo mbetet mirë e imunizuar për t’u mbrojtur nga sulme të tilla. Në Maqedoninë e Veriut ka mjaftueshëm pjekuri demokratike për të mbajtur margjinale fenomene të tilla të ekstremit politik.

Të fundit