Nën organizimin e Qendrës së Karrierës, Universiteti Evropës Juglindore, të martën mbajti eventin e Panairit të Karrierës, ku morrën pjesë më shumë se 50 kompani, studentë dhe mysafirë, transmeton KDP.MK
Panairi i Karrierës mbahet për të gjashtëmbëdhjetën herë dhe iu mundëson studentëve të takohen me një numër të konsiderueshëm të punëdhënësve potencial, të zgjerojnë rrjetin e tyre dhe të rrisin mundësitë për angazhim potencial në punë praktike.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij të hapjes i falënderoi në veçanti kompanitë pjesëmarrëse dhe tha se ky interes e ndihmon dhe korrigjon Universitetin në kërkesat dhe nevojat e tyre për kuadër të kualifikuar dhe të përshtatur me tendencat e tregut.
“Prania juaj së pari na ndihmon, por edhe na korrigjon për kërkesat tuaja, si nevojë e komunitetit të biznesit. Qendra jonë e karrierës po bën përpjekje që ta mbaj gjithnjë e më aktiv këtë trekëndësh, që tashmë e kultivojmë brenda mundësive tona, gjithnjë në kooperim të ngushtë me kompanitë, së pari për të parë nevojat e tyre, për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe së treti për të kontaktuar studentët tonë potencial, të punësuarit tuaj jo vetëm për punësim, por njëkohësisht edhe për punë praktike”, tha Rektori Bexheti.
Ky aktivitet u ndihmua dhe u mbështet edhe nga Parlamenti dhe Asociacioni Studentor i Universitetit.