E shtunë, 27 Prill, 2024

MJEKËT: PASOJAT POST-KOVID DUHET TË TRAJTOHEN

Shkruan: Arta Sefadini

 

Problemet me zemrën, diabeti, shëndeti mental dhe nevoja për trajtim fizikal dhe rehabilitues si pasoja afatgjata post-kovid vërtetojnë se ajo është një sëmundje serioze që ndikon shumë në cilësinë e jetës dhe se mbijetesa nuk do të thotë shërim i plotë. Doktorët me të cilën komunikuam pranuan se jo të gjithë pacientët janë të vetëdijshëm për pasojat dhe ata nuk drejtohen përsëri në spital për ndihmë pasi të kenë kaluar infektimin. Megjithatë, sipas mjekëve, institucionet shëndetësore publike posedojnë kapacitete dhe protokolle për trajtimin e simptomave post-kovid.

Që nga fillimi i pandemisë ka pasur disa fushata për sensibilizimin e njerëzve për rrezikun nga infektimi i mundshëm ose serioziteti i sëmundjes, por ka shumë pak ose aspak fushata ose informacione për rëndësinë e trajtimit të pasojave post-kovid.

 

KOVID 19 DHE NEVOJA PËR REHABILITIM

 

Qëndrimi i gjatë në spitale, pasiviteti dhe sulmimi i shumë sistemeve në organizëm në shumë raste pengon rikthimin e këtyre personave në aktivitet e përditshme dhe angazhimet profesionale, ashtu si para infektimit. Klinikat ku shtrohen pacientët e infektuar mund të zbrazen pas çdo vale të virusit, por fluksi i pacientëve rritet në klinikat për rehabilitim.

Pacientët e hospitalizuar me një pasqyrë klinike të mesme apo të rëndë, ndodh shpesh që edhe pas shërimit nga sëmundja të rikthehen për trajtim mjekësor rehabilitues. Drejtorja e Repartit për mjekësi fizikale dhe rehabilitim, Maja Manoleva, tregon që nevoja për trajtim rehabilitues vërteton edhe njëherë dëmet shëndetësore që Kovid shkakton, sidomos në mushkëri.

 “Qëllimet e rehabilitimit për këta pacientë janë mobilizimi dhe rilëvizja e hershme, përmirësimi dhe normalizimi i funksionit të frymëmarrjes duke përmirësuar ritmin e frymëmarrjes dhe përmirësimin e rrugëve të frymëmarrjes, rikthimin në aktivitetet e jetës së përditshme, menaxhimin e humbjes së frymëmarrjes dhe përballimin e lodhjes, gjetjen e një ekuilibri, ndërmjet aktivitetit dhe nevojës për pushim” – thotë doktoresha Maja Manoleva.

Për këtë qëllim, Klinika Universitare për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë para 1 viti ka përgatitur një departament të dedikuar për pacientët që kanë nevojë për rehabilitim pas shërimit me Kovid-19.

Rehabilitimi i pacientëve kryhet nga një ekip i përbërë nga një mjek specialist fiziatër, specialist internist dhe fizioterapist me përvojë shumëvjeçare, infermierë dhe ndihmës mjekë, të cilët i qasen çdo pacienti individualisht sipas nevojave shëndetësore të pacientëve. – sqaron dr. Manoleva.

Personat që kanë nevojë për rehabilitim ndjekin programe të veçanta të cilat mund të zgjasin nga 2 deri në 4 javë, varësisht prej pasojave që ka lënë sëmundja tek këto pacientë.

 

KOVID 19 DHE SËMUNDJET KARDIOVASKULARE 

 

Edhe pse disa njerëz mund ta kalojnë lehtë Kovid-19 si një ftohje sezonale, shumë pacientë tjerë po përballen me pasoja afatgjate që lenë ky virus në organizëm. I ashtuquajturi “Kovidi i gjatë” po paraqet nevoja shëndetësore shtesë tek të mbijetuarit.

“Shumë pacientë pas shërimit nga Kovid kontrollohen për probleme shëndetësore për shkak të simptomave që ndjejnë, por ka edhe pacientë që i nënshtrohen ekzaminimeve kardiake parandaluese për t’u siguruar që infeksioni COVID nuk ka lënë pasoja në shëndetin e tyre, duke mos pasur asnjë problem apo simptoma”, thotë dr. Vladimir Ristovski, mjek kardiolog.

Kovid 19 shkakton komplikime kardiake të cilat mjekët kardiolog i ndajnë në manifestime të lehta dhe më serioze.

“Komplikimet pas KOVID mund të ndahen në të vogla; me manifestime të lehta klinike si palpitacione, gulçim të herëpashershëm, lodhje, variacione në shtypjen e gjakut, plogështi) dhe të mëdha ose me pamje klinike më të rënda si infarkt miokardi, miokarditi, tromboza pulmonare. tromboza akute e gjymtyrëve, goditje në tru, etj.”, thekson dr. Ristovski.

 

KOVID 19 DHE DIABETI TIP-2

 

Gjithnjë e më shumë njerëz po zbulojnë simptoma të reja tek vetja edhe javë ose muaj pasi janë shëruar nga kovid – 19.  Studiuesit dhe doktorët ende nuk kanë të dhëna të sakta për ndikimin e Kovid në sisteme të ndryshme në organizëm. Por sipas dëshmive deri më tani ato zbulojnë ndikimin e Kovid edhe në paraqitjen e diabetit tip-2.

“Edhe pse nuk kemi te dhëna. Ka dëshmi qe virusi sars cov 2, përmes ACE receptorëve dëmton edhe qelizat BETA dhe rrit rrezikun për diabet. Nga ana tjetër, në raste të infeksionit të rëndë, përdorimi i terapisë me glukokortikoide rrit rrezikun për manifestim të diabetit.” – thekson dr. Irfan Ahmeti, endokrinolog.

Virusi SARS – COV -2 përveç mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes prek rëndë edhe organet tjera, sidomos tek personat që kanë qenë të hospitalizuar ose me një pasqyrë të rëndë klinike. Trajtimi i personave të cilët vuajnë nga diabeti pas infektimit me kovid, duhet të bëhet me kontrolle të rregullta për të rregulluar edhe nivelet e sheqerit në gjak, të cilat pësojnë ndryshime për shkak të terapisë ndaj Kovid-19.“Nga përvoja ime, disa persona që kanë marrë insulinë kur kanë qenë të shtruar në spital, nëse janë  diagnostikuar si pasojë e kovid, shpesh më pas kalojnë në terapi me tableta”, shton. dr. Irfan Ahmeti..

 

KOVID 19 DHE SHËNDETI MENTAL 

 

Pandemia solli në vëmendje edhe rëndësinë e shëndetit mental. Pas Kovid 19 po shihet një virus i ri në horizont që mjekët e përkufizojnë si “Virusi i çrregullimeve mendore”.

“Mutacionet gjithnjë e më të shpeshta të virusit mbajnë stresin në nivele të larta, shtojnë pasigurinë ndaj rrethanave mbi të cilat ne si njerëz kemi pak ose aspak kontroll. E gjithë kjo kontribuon në vazhdimësinë e kësaj pandemie dytësore të ndryshimeve globale të shëndetit mendor, e cila ka të ngjarë të zgjasë shumë pas përfundimit të virusit.”  shprehet dr. Vaska Damjanovska Mitova, mjeke psikiatre.

“Njerëzit që janë tashmë të predispozuar, apo të rrezikuar për t’u prekur nga ndonjë problem mendor, të cilët ndoshta edhe më parë kanë luftuar me ndonjë sëmundje mendore, përballen me sfida shtesë”, shton ajo.

Një studim i gjerë i publikuar disa muaj më parë në “The Lancet Psychiatry” tregon se gjashtë muaj pas sëmundjes, pothuajse 34% e pacientëve u diagnostikuan me anomali të caktuara neuropsikiatrike, nga të cilat rreth 13% u diagnostikuan për herë të parë. Megjithatë, tek ata pacientë që ishin në terapi intensive për shkak të një pasqyre klinike më të rëndë, shfaqja e komplikimeve neuropsikiatrike arrinte edhe deri në 46%.

Megjithatë në këto dy vite përballje me kovid, tek personat që kanë qenë të infektuar me virusin, cilat janë problemet më të shpeshta mendore që mund të shkaktojë një virus si kovid?

“Disa nga çrregullimet psikiatrike më të zakonshme që pacientët përjetojnë janë ankthi, simptomat depresive, pagjumësia, çrregullimi i stresit post-traumatik, dëmtimi kognjitiv dhe ndjenja e “mjegullës në kokë”, si dhe simptoma më pak të zakonshme si; çrregullimi obsesiv kompulsiv, si dhe dekompensimet psikotike”, shprehet dr. Mitova.

Ky virus dhe sëmundja që shkakton ai akoma konsiderohen si fenomene të reja dhe pasojat studiohen akoma çdo ditë nga shkencëtarët.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

 

Të fundit