E shtunë, 12 Tetor, 2024

FOREIGN AFFAIRS: RUSIA PO LUAN ME ZJARR NË BALLKAN

Ashtu si lufta civile shpërtheu nga tensionet midis grupeve të ndryshme fetare dhe etnike në fillim të viteve 1990, Kremlini tani po përdor Kishën Ortodokse për të destabilizuar vendin dhe rajonin më të gjerë. Kisha Ortodokse Ruse po përshkallëzon sërish mosmarrëveshjet për objektet fetare dhe kohë më parë shprehu shqetësimin për “fatin e faltoreve kristiane në Kosovë” pas përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

SHKRUAN: IVANA STRADNER

Sivjet mbushen 30 vjet nga fillimi i luftërave jugosllave, konfliktit më të përgjakshëm evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse shtetet ballkanike nisën rrugën e qeverisjes demokratike dhe integrimit me NATO-n dhe Bashkimin Evropian menjëherë pas luftërave, neglizhenca e vazhdueshme nga Perëndimi ka kontribuar në prapambetjen dramatik gjatë këtyre disa viteve të fundit. Tani presidenti rus Vladimir Putin po i shfrytëzon edhe ish shtetet jugosllave si fushëbetejë të radhës për të dobësin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Përpjekjet e Putinit për ta shtyrë Ballkanin buzë greminës janë pjesë e misionit të tij për të rivendosur Rusinë si një fuqi globale. Ngjashëm me strategjinë e Kremlinit në Kaukaz, objektiv  i Rusisë në Ballkan është të rrisë tensionet në mënyrë që të mund të pozicionohet si ndërmjetësi dhe garantues i vetëm rajonal i sigurisë. Njëkohësisht ai ka për qëllim të provojë se as NATO, as BE dhe as anëtarët e tyre nuk janë partnerë të besueshëm për asnjërin nga vendet ballkanike. Ndërsa Moska gjithashtu vazhdon forcimin e saj ushtarak pranë kufirit ukrainas, fushata e saj e ndikimit në Ballkan shërben si një arenë tjetër për të sfiduar Perëndimin.

Ballkanin nuk duhet përjashtuar me lehtësi. Rusia e sheh rajonin si një ind të butë të Evropës: ndikimi i saj në rritje atje kërcënon që t’i mundësojë vendosjen e mjeteve strategjike ushtarake në afërsi të bazës së madhe amerikane dhe i premton asaj dalje në Adriatik. Qëllimi më i madh i Putinit është të ndryshojë raportin e forcave në Evropë në favor të Moskës dhe Ballkani është pjesë e kësaj strategjie. Moska ka nisur operacione informative për të përshkallëzuar tensionet etnike dhe për të nxitur protesta, ka çimentuar punët me armë, është infiltruar në infrastrukturën kritike të energjisë dhe ka shfrytëzuar në favor të saj  lidhjet shumëvjeçare fetare dhe kulturore midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Ortodokse Serbe në rajon.

Përpjekjet e Rusisë u ndihmuan pa masë nga përgjigja e dobët i BE-së. Pavarësisht shumë viteve dhe miliarda eurove të shpenzuara për përgatitjen e Ballkanit për integrimin në BE, përpjekjet kanë ngecur. BE-ja nuk është zgjeruar që nga pranimi i Kroacisë në vitin 2013, dhe pavarësisht premtimeve për anëtarësim të “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” – Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – negociatat janë ngrirë. I ngadalësuar nga sfida të tilla si Brexit, pandemia e virusit COVID-19, ngritja e grupeve të ekstremit të djathtë dhe kriza e migrantëve, duket se ekspansioni u ndërpre për një kohë të pacaktuar. Ky mosukses e ka bërë Ballkanin një objektiv të dukshëm për Putinin.

Gjatë krizës së fundit ballkanike në vitet 1990, Rusia ishte shumë e dobët për të ndërhyrë ushtarakisht. Në vend të kësaj, ajo u kufizua në misionin paqeruajtës pas luftës së vitit 1999 në Kosovë, nga i cili vendosi të tërhiqej në vitin 2003. Por nuk duhet dyshuar se madje edhe atëherë, qeveria ruse e përjetonte zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore si një kërcënim të dukshëm për sigurinë e saj kombëtare. Tani, me një ekonomi dhe ushtri relativisht më të fortë ruse, Kremlini sheh një mundësi për të ndalur përparimin e NATO-s duke synuar shtetet ish-jugosllave. Evropën Perëndimore e kishte zënë gjumi pas timonit kur për herë të fundit shpërtheu lufta në Ballkan – aksionet janë shumë të larta për të injoruar rajonin edhe këtë herë.

Korrupsioni i lartë në vendet ballkanike zbuloi çarjet të cilat Moska i shfrytëzoi për të realizuar qëllimet e veta. Ndërsa shtetet ish-jugosllave kaluan nga socializmi në një ekonomi të tregut të lirë pas viteve 1990, lulëzuan kleptokracia dhe privatizimi i jashtëligjshëm. Sipas Freedom House, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po kthehen në “pjesërisht të lira”. Putin po përdor korrupsionin për të futur pyka ekonomike, etnike dhe fetare në shoqëritë ballkanike duke kooptuar liderë në rajon.

Serbia po sillet si një lojtar kyç në përpjekjet e Kremlinit në Ballkan. Edhe qeveria, edhe kisha po tregojnë besnikëri ndaj Moskës, mbështetur në lidhjet e përbashkëta fetare dhe kulturore shekullore – si dhe në izolimin e ndërsjellë të Serbisë dhe Rusisë nga fuqitë e sotme perëndimore. Qeveria serbe ka bërë thirrje për krijimin e një “bote serbe” – një paralele ballkanike me “botën ruse” të Putinit – e paramenduar për të bashkuar të gjithë serbët nën një kornizë të përbashkët kulturore. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka interesa më të drejtpërdrejta strategjike në ndërhyrjen e Rusisë, për më tepër pasi kaosi në rajon do t’i mundësojë atij të prezantohet si një forcë stabiliteti në prag të fushatës së tij të rizgjedhjes më 2022. Për të siguruar që zgjedhjet të jenë në favor të tyre, Serbia dhe Rusia kohë më parë premtuan se do të punojnë së bashku për të luftuar protestat masive dhe “revolucionet me ngjyra” që vijnë nga Perëndimi.

Rusia i përgjigjet me mbështetjen zemërgjerë të ushtrisë serbe. Që nga viti 2018, buxheti për mbrojtjen e Serbisë është pothuajse dyfishuar dhe është më i larti në raport me të gjitha shtetet ballkanike. Pavarësisht kërcënimeve për sanksione amerikane kundër Serbisë, në vitin 2019, Moska i dërgoi Serbisë sistemin raketor S-400 në stërvitje ushtarake. Kremlini rriti më tej aksionet e tij këtë vit kur i lejoi Serbisë sigurimin e sistemit të mbrojtjes ajrore Pancir-S1M. Serbia gjithashtu është nikoqire e “qendrës humanitare” të drejtuar nga Rusia e që shërben si  institucion për grumbullimin e të dhënave të inteligjencës, në afërsi të kampit Bondsteel, bazës primare të NATO-s në Kosovë.

Moska ka kërcënuar hapur vendet ballkanike që janë përpjekur të forcojnë lidhjet e tyre të sigurisë me Perëndimin. Ajo u përpoq të prishte referendumin e anëtarësimit në NATO të vitit 2018 në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ambasadori i saj e shpalli kët vend një “cak legjitim” nëse tensionet midis NATO-s dhe Rusisë rriten (vendi u bë vend anëtar në 2020). Në fqinjësi,  në Mali të Zi, Moska mbështeti grushtshtetin direkt , më 2016,  pak para kandidaturës së suksesshme për t’ju bashkuar NATO-s.

Rusia e di mirë se feja në Ballkan ka qenë gjithmonë instrumentale për nxitjen e konflikteve. Në Mal të Zi, Kremlini promovon politikën pro-ruse përmes Kishës Ortodokse Serbe, e cila damkosi konceptin e identiteteve të ndryshme kombëtare malazeze dhe serbe dhe ndërhyri në politikë në emër të Moskës. Duke punuar përmes kishës, Rusia ndërmori protestat masive vitin e kaluar dhe zëvendësoi qeverinë jo-bashkëpunuese me një udhëheqje pro-ruse.

Poçet më shpërthyese në Ballkan janë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina. Edhe pse popullsia e Kosovës është më se 90 për qind shqiptarë etnikë, serbët e shohin vendin si një atdhe të lashtë që ka disa nga vendet më të shenjta të Kishës Ortodokse Serbe. Ashtu siç shpërthe  lufta civile  nga tensionet midis grupeve të ndryshme fetare dhe etnike në fillim të viteve 1990, Kremlini tani po përdor Kishën Ortodokse për të destabilizuar vendin dhe rajonin më të gjerë. Kisha Ortodokse Ruse po përshkallëzon sërish kontestet për objektet fetare dhe së fundmi shprehu shqetësimin për “fatin e faltoreve të kristiane në Kosovë” pas përshkallëzimit të tensioneve ndërmet Kosovës dhe Serbisë.

Moska gjithashtu e ka bërë të qartë se njohja diplomatike  e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nga ana e Kombeve të Bashkuara do të jetë e pamundur pa miratimin e Rusisë. Putin shpesh e përdor Kosovën për të justifikuar aneksimin rus të Krimesë, duke pohuar se njohja nga vendet perendimore e shkëputjes së vendit nga Serbia ka krijuar një precedent që legjitimon shpalljen e njëanshme të pavarësisë të territoreve të tjera.

Brukseli nuk ia doli të shënojë përparim drejt njohjes së Kosovës nga Serbia, ashtu si “Marrëveshja e Uashingtonit” e vitit 2020 e presidentit amerikan Donald Trump nuk solli ndonjë përparim thelbësor në çështjet kyçe të kontestit. KFOR-i, forca paqeruajtëse e NATO-s e vendosur në Kosovë, po përpiqet në mënyrë të ngjashme për të ruajtur stabilitetin. Në muajin shtator, në kufirin e kontestuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shpërthyer protesta për shkak të ndalimit të hyrjes së automjeteve me targa serbe në Kosovë. Kjo rezultoi me bllokadë dhe demonstratimin e forcave ajrore serbe dhe dislokimin e Forcës Policore të Kosovës. Siç pritej, Rusia e ndoqi ngjarjen duke u tallur me KFOR-in dhe duke apostrofuar BE-në për ndërmjetësim joadekuat në tensionet vijuese midis dy vendeve.

Në Bosnje dhe Hercegovinë,  është në krizë Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila i dha fund luftës së vitit 1995. Vendi vazhdon të jetë i ndarë midis komunitetit boshnjak, serb dhe kroat kurse Rusia i ka përdorur këto ndarsi për leverdi të saj. Rusia  gjatë muajit mars u kërcënua se do të hakmerret nëse BeH hy në NATO. Ndërkohë, anëtari serb i presidencës tre anëtarësh të Be, Milorad Dodik, ka kërcënuar se Republika Srpska, një nga dy entitetet që e përbëjnë vendin,  do të shkëputet nga Bosnja. Në dhjetor, Kuvendi Popullor i Republika Srpskas votoi për të nisur një procedurë për tërheqjen e serbëve të Bosnjës nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë ushtrinë boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemin e taksave dhe gjyqësorin. Përveç Republika Srpskas, Kremlini ka mbështetur nacionalistët nga radhët e kroatëve të Bosnjës që të angazhohen për krijimin e entitetit të tretë brenda Bosnjë e Hercegovinës. Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, ngriti alarmin në nëntor kur tha se “gjasat për ndarje dhe konflikte të mëtejshme janë tepër reale”.

Është koha e fundit që fuqitë perëndimore të zgjohen karshi kërcënimit që ndërhyrja ruse në Ballkan paraqet për interesat e tyre. Këtu, një uncë parandalimi është paras me funtë ilaç. Dhe kanë disa opsione në dispozicion.

NATO duhet sërish të përqëndrohet në rajon dhe t’i japë përparësi de-eskalimit të tensioneve. Duhet të dërgojnë në Ballkan Counter Hybrid Support Teamin e vet, sikurse u bë kjo në Mal të Zi në vitin 2019, për të luftuar fushatat ruse të dezinformimit dhe operacionet e tjera informative. Anëtarët e NATO-s duhet të organizojnë gjithashtu “koalicionin e të  vullnetëshmëve” për t’ju kundërvënë ndërhyrjes ruse në Bosnje, duke dislokuar misione paqeruajtëse nëpër zonat strategjike, siç është distrikti verilindor i Bërçkos, për të parandaluar që zonat e rrezikshme të dalin jashtë kontrollit. Këto forca mund të plotësojnë forcën paqeruajtëse të udhëhequr nga BE-ja (EUFOR), e cila ka për detyrë ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Bosnjë – por mandati i së cilës duhet të vazhdohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos. Presidenti i SHBA, Joe Biden, në qershor nënshkroi gjithashtu një urdhër ekzekutiv për sanksiononimin e atyre të cilët kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor; BE-ja duhet t’ju bashkohet këtyre përpjekjeve.

Nuk mund të pritet që të gjithë anëtarët e NATO-s do ta mbështesin Ballkanin, sepse Hungaria dhe disa vende të tjera evropiane të NATO-s shërbejnë si përfaqësues të Rusisë në këtë organizatë. Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar duket se po e kupton seriozitetin e krizës. Mbretëria e Bashkuar premton të ruajë “stabilitetin në Ballkanin Perëndimor” dhe paralajmëron Rusinë të mos bëjë “gabim strategjik” në rajon. Londra duhet të punojë për t’i shndërruar këto fjalë në vepra, duke i prirë koalicionit të të vullnetshmëve  që të luftojë kundër  ndërhyrjes ruse në rajon.

Para së gjithash, NATO-ja duhet të përshpejtojë aderimin e Bosnjës dhe Kosovës në NATO. Kjo do të rriste shpenzimet e Kremlinit për operacionet e tij në Ballkan. Rusia e ka kundërshtuar fuqishëm zgjerimin e NATO-s dhe tani, ndërsa kriza ukrainase vazhdon, ajo iu referua garancisë  juridikisht të detyrueshme se NATO-ja  do të ndërpresë aktivitetin ushtarak në Evropën Lindore. Integrimi i Bosnjës dhe Kosovës do të dërgonte mesazhin se Ballkani nuk do të jetë vet kundër Moskës dhe se Putini nuk do të përcaktojë të ardhmen e NATO-s.

Siç ishte rasti në fillim të luftërave jugosllave ose në prag të Luftës së Parë Botërore, mund të jetë e vështirë të bindet bota për rëndësinë e Ballkanit. Gjatë viteve 1990, vendet evropiane nuk arritën t’i përgjigjen mjaft shpejt krizës dhe Shtetet e Bashkuara u detyruan të ndërhynin. Këtë herë, megjithatë, Shtetet e Bashkuara po merren me punët e brendshme dhe nuk ka gjasa të ndërhyjnë. Pra, barra ka të ngjarë të bie mbi BE-në. Asgjë më pak se stabiliteti i Evropës, fjala është edhe për vitalitetin e vazhdueshëm të BE-së dhe NATO-s.

(Ivana Stradner është studiuese pranë ‘American Enterprise Institute’. Teksti u botua fillimisht në revistën Foreign Affairs)

Të fundit