E martë, 7 Maj, 2024

BESIMI NË GJYQËSOR 1%, BRUKSELI S’E SHEH VETINGUN SI SHPËTIM

Besimi në gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut mbetet në shifrën 1 përqind. Jo njëherë nga përfaqësues të partive politike në vend është theksuar procesi i vetingut si një mundësi për funksionim më efikas të gjyqësorit dhe për rikthim të besimit të qytetarëve. Vetingu ka qenë kryefjalë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale. Sidoqoftë, kthimin e besimit ndaj gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Evropian nuk e sheh përmes vetingut, pavarësisht se partitë politike e sforcojnë si zgjidhje për ta rritur kredibilitetin e gjykatave dhe organeve të hetuesisë. Ndërkohë, anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa ka deklaruar për Eurothink, se nevoja për veting vjen si rezultat i mosfunksionimit efikas dhe në vazhdimësi të institucioneve. Profesori universitar Haris Muminoviç, thotë se pasojat e kryerjes së vetingut mund të jenë të ndryshme në varësi të shumë faktorëve, duke përfshirë kontekstin e vetingut, vetë rezultatin e vetingut dhe mënyrën se si përdoren këto rezultate

Autor: Zenel Miftari

Besimi i qytetarëve në institucionet gjyqësore në Maqedonine e Veriut është 1%. Në bazë të të dhënave nga sondazhi i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), i publikuar në vitin 2023, besimi i qytetarëve ra përtokë brenda 3 vitesh. Respektivisht, sipas IRI-it, 8% e qytetarëve i besonin gjyqësorit dhe prokurorisë në vitin 2021, ndërsa 4% në vitin 2022.  

BE: Vetingu të jetë instrument i fundit 

Kthimin e besimit ndaj gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Evropian nuk e sheh përmes vetingut, pavarësisht se partitë politike e sforcojnë si zgjidhje për ta rritur kredibilitetin e gjykatave dhe organeve të hetuesisë.

Nga zyra Bashkimit Evropian në Shkup deklaruan se BE-ja nuk ka bërë thirrje në të kaluarën për një vetting të përgjithshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre,  vetingu duhet të merret parasysh vetëm pasi mjetet dhe mekanizmat ekzistues të jenë konsumuar siç është përshkruar qartë në rekomandimet Komisionit të Venecias.

“Në praktikë kjo nënkupton zbatimin e plotë të politikave dhe mjeteve të integritetit në të gjitha nivelet në sektorët në fjalë. Komisioni Evropian në raportin e tij të vendit 2023 vuri në dukje shqetësime serioze për ndikimin e jashtëm të panevojshëm mbi punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqësorit në përgjithësi. Raporti rekomandon që Këshilli Gjyqësor duhet të jetë mbrojtësi i integritetit dhe pavarësisë së gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet të refuzojë me vendosmëri çdo ndikim të jashtëm.

Për më tepër, në mesin e dyzet rekomandimeve të Misionit Peer Review në Këshillin Gjyqësor të nxjerra në dhjetor 2023 ka udhëzime të qarta se si të përmirësohet funksionimi i këtij organi. Ndryshimi filloi në mars me anëtarët e Këshillit që miratuan një Plan Veprimi për zbatimin e rekomandimeve të cilat bien në përgjegjësinë e tyre”, shprehen nga zyra e BE-së në Shkup.

Nga atje shtuan se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të vazhdojnë punën për të garantuar respektimin e plotë të parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe rritjen e transparencës, duke siguruar në të njëjtën kohë integritetin e të gjithë bartësve të funksioneve gjyqësore. Sipas tyre, veprime të tilla duhet të ecin paralelisht me reformën e vërtetë dhe të gjerë të gjyqësorit në bazë të zbatimit sistematik të Strategjisë Zhvillimore të miratuar së fundmi për reformën në drejtësi gjatë periudhës 2024-2028.

“Për më tepër, është thelbësore të ndahen burime të mjaftueshme për të mbështetur ato organe përgjegjëse për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit për të siguruar zbatimin e plotë të politikave dhe mjeteve të integritetit në të gjitha nivelet. Akademia për Gjyqtarët dhe Prokurorët duhet të vazhdojë të jetë pika e vetme hyrëse në gjyqësorin dhe prokurorinë, e krijuar për të siguruar që qasja në këto profesione të jetë e drejtë dhe transparente dhe e bazuar në meritokraci.

Programi fillestar i trajnimit në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë përfshin leksione mbi etikën, kulturën e biznesit dhe deontologjinë. Të diplomuarit duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj parimeve të pavarësisë, profesionalizmit dhe kompetencës së shtyllës së gjyqësorit në ndarjen e pushtetit. Kjo është edhe më e rëndësishme në kontekstin e procesit të anëtarësimit në BE dhe rolin e tyre të mundshëm si gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm brenda BE-së”, thanë nga zyra e BE-së.

Delegacioni i BE-së në Shkup shton se Brukseli ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për të avancuar reformat dhe për të dhënë rezultate në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë funksionimin e gjyqësorit. Siç thanë nga atje iu takon autoriteteve shtetërore në të gjitha nivelet dhe në të gjitha institucionet që të shtojnë përpjekjet për të siguruar një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm, profesional dhe efikas.

Vetingu, kryefjalë në fushatën parazgjedhore

Tema e vetingut u aktualizua përsëri gjatë fushatës presidenciale. Pendarovski, Taravari dhe Osmani, ishin kandidatët të cilët para mbështetësve të tyre premtuan që do të realizojnë vetingun në gjyqësorin e vendit.

Pendarovski deklaroi se vetingun e kanë premtuar që nga viti 2016 dhe ende nuk është vonë për ta bërë. “Ne morëm instrukcione nga Brukseli që për shkak të përvojave negative në Shqipërinë fqinje, ku shumë pak gjyqtarë dhe prokurorë e kaluan atë test. Vetingu është një kontroll i gjendjes së pasurisë, i përkthyer në gjuhën popullore, nëse keni jetuar gjatë mandatit vetëm me rrogë apo nëse ke vjedhur edhe nga vende të tjera. Kështu të jem i sinqertë, i dëgjuam dhe arritëm n dy për qind besim në gjyqësor”, tha Pendarovski.

Edhe kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari, premtonte realizimin e vetingut në gjyqësorit duke përshirë edhe politikanët. “Veting edhe për politikanët, gjykatësit edhe prokurorë do ta bëj në Qeverinë e ardhshme me koalicionin VLEN. BDI tash e disa vite premton veting, por nuk e bën dhe nuk do ta ketë mundësi ta bëjë më sepse nuk do jetë pjesë e Qeverisë”, deklaroi Taravari.

Gjithashtu edhe kandidati i Frontit Europian Bujar Osmani, u zotua se nuk do të ketë Qeveri pa marrëveshje të plotë për veting.

“Secili që do të ketë pretendim, të bëhet ministër, drejtor, gjykatës ose prokuror, do të duhet fillimisht te merr certifikatën që jep ShBA, NATO, BE. Vetëm kjo do të pastron skenën tonë nga ndikimi rus dhe korrupsioni”, deklaroi Osmani.

Vetingu, me ndihmën e faktorit ndëkombëtar 

Nga Ministria e Drejtësisë për Eurothink, kanë deklaruar se procesi i vetingut duhet të marrë konsensus nga të gjitha partitë politike dhe e gjithë procedura duhet të kalojë në Kuvend ashtu siç kërkohet nga të gjitha partitë politike, ndërsa Ministria e Drejtësisë do të kontribuojë me të gjitha kapacitetet që ka.

“Ai proces duhet të marrë pëlqimin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë mënyrë do të marrim garanci dhe besueshmëri për zbatimin e tij që të mos ketë të njëjtin fat si lustracioni dhe Prokuroria Speciale Publike (PSP)”, kanë shtuar nga Ministria e Drejtësisë.

Të mësojmë nga përvoja e Shqipërisë 

Nga ana tjetër, anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa ka deklaruar për Eurothink, se nevoja për veting vjen si rezultat i mosfunksionimit efikas dhe në vazhdimësi të institucioneve.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, siç tha ai, përvoja e Shqipërisë ishte vendimtare për vendin tonë që mos të shkohet me një formë të tillë të vetingut pasi se me procesin e vetingut atje, për gati se një dekadë komplet sistemi gjyqësor në një farë mënyre u paralizua.

“Të shtyrë nga përvoja e tillë, kryesisht nga rekomandimet e faktorit ndërkombëtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut me ndryshimet ligjore të vitit 2019 në Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin për Këshillin gjyqësor, por edhe në ligjet tjera të gjyqësorit në përgjithësi  u la një hapësirë për një formë më të butë të vetingut, për një kontroll konstant të origjinës së pasurisë, bile edhe u parapanë edhe mundësi largimi nga detyra për gjykatësit dhe kryetarët e gjykatave që nuk e paraqesin pronën e tyre.

Mirëpo, fatkeqësisht edhe këto ndryshime nuk dhanë efektet e duhura dhe kjo na shtynë të mendojmë se duhet të intervenohet pikërisht në këtë pjesë. Pra, përcjellja e origjinës së pasurisë të jetë më efikase kryesisht në drejtim të bashkëpunimit mes organeve të gjyqësorit dhe institucioneve për luftë kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave”, theksoi Mustafa.

Ai shtoi se vendi ynë ka nevojë të intensifikojë dhe sa më tepër ta ngritë nivelin e përdorimit të teknologjisë informative në gjyqësor, por edhe në gjitha institucionet e tjera të vendit kryesisht përmes sistemit të interoperabilitetit. Mustafa, shtoi se në këtë proces duhet të përfshihen pa dyshim të gjithë bartësit e funksioneve publike pa dallim se a i takojnë pushtetit gjyqësor, ekzekutiv apo atij legjislativ.

Vetingu, një hap për përmirësimin e situatës 

Profesori universitar Haris Muminoviç,  për Eurothink, ka deklaruar se pasojat e kryerjes së vetingut mund të jenë të ndryshme në varësi të shumë faktorëve, duke përfshirë kontekstin e vetingut, vetë rezultatin e vetingut dhe mënyrën se si përdoren këto rezultate. Domethënë, mund të ketë pasoja pozitive, pasoja negative dhe pasoja etike.

Ai shtoi se pasojat pozitive të kryerjes së vetingut janë identifikimi i kandidatëve të kualifikuar, ulja e rrezikut dhe rritja e besueshmërisë në institucionet e vendit.

Derisa nga ana tjetër, ai përmendi edhe pasojat negative të kryerjes së vetingut siç janë diskriminimi, humbja e besimit dhe humbja e mundësive.

“Pasojat etike të zhvillimit të vetingut janë cenimi i privatësisë dhe refuzimi i padrejtë. Për të reduktuar pasojat negative të vetingut dhe për të përmirësuar pasojat pozitive, është e rëndësishme të sigurohet që i njëjti proces të kryhet në mënyrë profesionale, etike dhe në përputhje me rregulloret dhe standardet ndërkombëtare, vlerëson Muminoviç.

Raporti i Progresit përsërit vërejtjet 

Ndryshe, në Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut, thuhet se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme.

“Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti të rishikojë kuadrin legjislativ dhe funksionimin e përgjithshëm të Këshillit Gjyqësor për të rritur transparencën dhe pavarësinë e tij dhe për të rritur zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë. Këshilli i Prokurorëve Publikë përmirësoi transparencën e saj duke i vënë seancat në dispozicion në platformat e mediave sociale, por ende ka nevojë për të dhënë sqarime për vendimet e saj”, thekson Raporti i Progresit.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

 

Të fundit