E enjte, 25 Prill, 2024

Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk zbatohet mjaftueshëm, inspektorët tani marrin licencat dhe dalin në terren

Autor: Fisnik Xhelili

 

Mos zbatimi i plotë në praktikë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve vazhdon të mbetet problem për qytetarët shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sidomos për ato të cilët nuk e kuptojnë gjuhën maqedonase. Edhe pse kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i cili sipas Nenit 23 obligon të gjitha institucionet t’i miratojnë aktet nënligjore të po këtij Ligji, por në praktikë ka shumë lëshime si në institucionet qendrore po ashtu edhe ato lokale. Ligji nuk zbatohet me korrektësi nëpër dokumente zyrtare, po ashtu edhe në faqen zyrtare të Qeverisë.

Agjencia për punësim (Vetëm në maqedonisht)

Mungesat e zbatimit të këtij ligji vërehen në forma të ndryshme, duke filluar nga informacionet më të thjeshta deri te komunikimi me institucionet më të larta. Kjo mungesë vërehet edhe në ueb-faqet e institucioneve.

Formular në Ministrinë e Ekonomisë (vetëm në maqedonisht)

Qytetarët me pasojat e mos-zbatimit të këtij ligji përballen që në një pagesë shumë të thjeshtë të cilën e bëjnë në postë apo bankë, ku shkresat, formularët, fletëpagesat dhe informacionet janë vetëm në gjuhën maqedonase.

Ministria e Punëve të Brendshme (vetëm në maqedonisht)

Ministria e Shoqërisë Informatike (vetëm në maqedonisht)

Ministria e Kulturës (vetëm në maqedonisht)

Për më tepër edhe në aspektin e shëndetësisë e cila është një nga fushat më të rëndësishme për përditshmërinë e qytetarit, shumica e dokumenteve dhe informacioneve janë në gjuhën maqedonase.

Udhëzim mjekësor (vetëm në maqedonisht)

Certifikatë vaksinimi (vetëm në maqedonisht)

Ka disa institucione të cilat kanë shërbime dhe dokumente në të dyja gjuhët, shqip dhe maqedonisht, por, për kaq kohë që kur ligji ka hyrë në fuqi nuk është bërë mjaftueshëm në zbatimin e tij nga të gjitha organet. Ligji nuk ka dhënë efektin e pritur.

Ministria e Punëve të Jashtme (vetëm në maqedonisht)

Qeveria e RMV-së (nuk) e respekton sa duhet Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve

Ligji nuk respektohet mjaftueshëm në Ekzekutiv, gjegjësisht në ueb-faqen e Qeverisë, qytetarët shqiptar nuk kanë qasje të njëjtë në informacion si qytetarët maqedonas, pasi informacionet në shqip janë të vakëta dhe jo të plota, ndërsa e kundërta është në gjuhën maqedonase. Madje shumë të dhëna në gjuhën shqipe nuk figurojnë aspak. Në versionin në gjuhën shqipe ka më pak kategori informimi, si shembull konkret mund të merren shpalljet publike që janë vetëm në maqedonisht.

Ministria e Drejtësisë (vetëm në maqedonisht)

Nga Qeveria e RMV-së thonë të kundërtën, sipas tyre Ligji për Përdorimin e Gjuhëve respektohet plotësisht nga kjo e fundit.

“Gjatë organizimit të ngjarjeve dhe konferencave për shtyp në Qeveri ose nën patronimin e Qeverisë, ofrohet përkthimi në gjuhën shqipe. Për më tepër të gjitha njoftimet nga seancat e qeverisë janë të përkthyera dhe mund të shihen në faqen e internetit të Qeverisë. Në rast se ka material më të gjerë, siç janë ligjet, projektligjet, duhet më shumë kohë për përkthim dhe kur të përfundojë, ai është gjithashtu i disponueshëm në gjuhën e duhur”, thanë nga Qeveria.

Për gazetarin Ardit Ramadani, ligji nuk zbatohet mjaftueshëm në praktikë nga ana e institucioneve. Siç thotë ai, gazetarëve shqiptar në RMV duhet t’u jepet edhe një pagë shtesë për punën që e bëjnë si përkthyes për shkak se shpesh herë përkthejnë dokumente të gjata, deklarata të cilat gjenden vetëm në gjuhën maqedonase.

“Përveç kësaj edhe në deklaratat me shkrim të cilat i kërkojmë nga institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përkundër obligimit që ata të na përgjigjen edhe në gjuhën shqipe në qoftë se ne e kërkojmë atë, kjo nuk ndodh, shpesh zëdhënësit janë të etnisë maqedonase edhe përgjigjet na dërgojnë vetëm në gjuhën maqedonase, përkundër faktit se në deklaratat publike deklarohet se ligji për gjuhën shqipe ka ardhur edhe respektohet e kështu me radhë, në praktikë mund të thuhet se qëndrojmë në zero”, tha Ardit Ramadani, gazetar.

Në të njëjtën vijë mendimi është edhe profesori universitar dhe analisti politik, Sefer Tahiri. Sipas vlerësimit të tij të përgjithshëm mbi zbatimin e këtij ligji, gjuha shqipe has në rezistencë të pashpjegueshme nga disa drejtues të institucioneve të cilët edhe pse janë të detyruar ta zbatojnë ligjin, megjithatë e bëjnë të kundërtën.

“Kjo është si pasojë më tepër e faktit që te ne nuk është kultivuar praktika e zbatimit të ligjeve pavarësisht vullnetit politik që kanë drejtuesit e institucioneve dhe nga ana tjetër është çështja e zbatimit të gjuhës shqipe si gjuhë në përdorim zyrtar edhe e cila si duket disa drejtuesve të institucioneve shtetërore, organeve të ndryshme u shkakton një lloj shqetësimi të pashpjegueshëm sepse si duket një pjesë e politikbërësve dhe ata që udhëheqin institucionet vazhdojnë të mendojnë se vetëm maqedonishtja duhet të jetë gjuhë zyrtare“, tha Sefer Tahiri, profesor universitar dhe analist politik.

Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve: Ka lëshime por ka edhe progres

raportin e vitit 2020 të  Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve theksohet mos interesimi i institucioneve qendrore dhe atyre lokale mbi zbatimin e Ligjit për Zbatimin e Gjuhëve.

Në vitin 2020, Agjencia dorëzoi 428 pyetësorë anketues në institucione qendrore dhe lokale, ndërkaq vetëm 119 institucione u përgjigjën.

Nga këto 119 përgjigje të institucioneve rezultatet janë si vijon:

  • 70 institucione i kanë plotësuar detyrimet e nenit 23 të Ligjit ndërsa 40 institucione pjesërisht.
  • 28 institucione kanë paraparë formë organizative për përkthim dhe lekturim në dhe nga gjuha shqipe, ndërsa 88 institucione tjera nuk kanë paraparë asnjë formë organizative.
  • 75 institucione nuk kanë asnjë përkthyes dhe lektorë ndërsa 28 institucione kanë vetëm nga 1 përkthyes dhe lektor
  • 63 Institucione nuk kanë paraparë mjete financiare për përkthyes dhe lektor për vitin 2021
  • 79 institucione në anketë janë përgjigjur vetëm në gjuhën maqedonase, 36 në dy gjuhë dhe 4 institucione janë përgjigjur vetëm në shqip.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela tha se mbikëqyrjen për zbatimin e këtij ligji në terren e ka inspektorati, ndërkaq theksoi se ata bashkëpunojnë me qeverinë dhe me inspektoratin dhe për çdo gjë që u nevojitet.

“Ka institucione të cilat kërkojnë mbështetjen e agjencisë, ky numër po rritet dita ditës dhe ne u japim mbështetje dhe normalisht që u bëjmë thirrje të gjithë institucioneve  të cilët kanë nevojë për mbështetjen e agjencisë, ne ju qëndrojmë në dispozicion”, tha Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, i cili shtoi se institucionet të cilat kërkojnë mbështetje nga Agjencia zakonisht janë ato qendrore.

Inspektorati për përdorimin e gjuhëve ka qenë joefektiv

Në rast kur ky Ligji nuk zbatohet parashihen gjoba materiale si për institucionet ashtu edhe për personat fizikë. Bazuar në Nenin 22 të këtij Ligji, gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji. Ndërsa, gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Për profesorin Sefer Tahiri, çështja e zbatimit të këtij ligji pavarësisht vullnetit politik është edhe praktike.

Sefer Tahiri

“Kur kemi një ligj aty kemi të drejta dhe natyrisht kemi edhe detyrime dhe mos zbatimi i këtyre detyrimeve nënkupton sanksione. Ne kemi një institucion të tillë që është Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve i cili de fakto nuk e kryen punën e vetë dhe është i formuar si i tillë, por nuk është i ekipuar, nuk është deri në fund i sistematizuar në sistemin juridik të vendit dhe si rezultat i kësaj ne kemi një mos zbatim të madh të gjuhës shqipe në nivel qendror”, tha Sefer Tahiri, profesor universitar dhe analist politik.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve si organ në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë, ka kompetencë për mbikëqyrje ndaj zbatimit të plotë dhe të përpiktë të dispozitave të Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve.

Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni tha se institucionet duhet të dinë se prej momentit kur ka hyrë ligji në fuqi, ato duhet ta respektojnë.

“Sa i përket kompetencave të inspektoratit, inspektorët tani janë licencuar dhe do të dalin në terren do të bëjnë mbikëqyrjen inspektuese, për arsye se marrja e licencave në bazë të ligjit për mbikëqyrje inspektuese neni 42 dhe 43 çdo inspektor ndjek trajnime tre mujore dhe nëntë mujore. Tre mujore është pjesa e përgjithshme, nëntë mujore është pjesa me mentor të cilët dalin në terren me mentorin dhe përgatitet për mbikëqyrje inspektuese. Të gjitha institucionet të cilat nuk e respektojnë ligjin për përdorimin e gjuhëve do kenë vërejtje si pika e parë në fillim pastaj normalisht edhe me procedurat tjera. Njëherë ligji e parasheh me vërejtje pastaj në afat brenda ditëve sa është paraparë me ligj a do duhet të anashkalohen ato mosrespektime të ligjit, pastaj me procedurat tjera”, tha Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.

Deri më tani institucionet nuk janë dënuar për moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pasi siç tha Iseni, mbikëqyrja inspektuese është dashur të bëhet nga inspektorë të licencuar.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua me 11 janar 2018 Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Me këtë ligj avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ndërkaq në njësitë e vetëqeverisjes lokale, për përdorimin e gjuhëve dhe alfabeteve në të cilat flasin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësive të vetëqeverisjes lokale.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Të fundit