E premte, 3 Maj, 2024

KËTË MUAJ BE DHE SHBA MIRATOJNË VAKSINAT, TË PARËT QË DO TË VAKSINOHEN – PUNONJËSIT SHËNDETËSOR

Komisioni Evropian ka të ngjarë të japë autorizimin përfundimtar për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-s disa ditë pasi enti rregullator i BE-së përgjegjës për vlerësimin dhe mbikëqyrjen e produkteve mjekësore, të japë miratimin e tij, tha të martën një zëdhënës i BE-së, njofton VOA, përcjell KDP.

Më herët gjatë ditës së martë Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) njoftoi se kishte në plan të vendoste mbi miratimin e vaksinës që po prodhohej nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech më 29 dhjetor dhe më 12 janar mbi vaksinën që po prodhohet nga Moderna.

Do të jetë me siguri çështje ditësh. Qëllimi është që ta marrim vendim sa më shpejt“, tha zëdhënësi i BE-së në një konferencë shtypi, duke shtuar se data e saktë varej nga autorizimi i mundshëm dhënë nga EMA.

Sipas rregulloreve të BE-së, Agjencia Evropiane e Barnave rekomandon dhënien e autorizimit për përdorimin e një ilaçi apo vaksine dhe Komisioni Evropian jep autorizimin për to bazuar në këshillat shkencore të EMA-s, pas konsultimit me 27 vendet anëtare të BE-së.

Në SHBA FDA-ja po shqyrton një kërkesë të kompanisë Pfizer për dhënien e autorizimit për përdorimin e vaksinës së saj kundër COVID-19. Kompania tjetër amerikane Moderna njoftoi të hënën se ka aplikuar gjithashtu për të marrë një autorizim për përdorimin e vaksinës së saj.

CDC-ja kishte rekomanduar më parë që punonjësit e shëndetësisë, që punojnë në vijën e parë të frontit dhe personeli i tyre ndihmës të marrin dozat e para të vaksinave. CDC-ja gjithashtu tha se banorët e shtëpive të të moshuarve dhe institucioneve të tjera të kujdesit afatgjatë duhet të jenë ndër të parët që të vaksinohen.

Disa orë pas njoftimit të kompanisë Moderna, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha se agjencia do të njoftojë vendimin rreth një javë pas vendimit lidhur me aplikimin e Pfizer-it.

Dr. Larry Corey i universitetit të Uashingtonit, i cili udhëheq provat klinike mbi vaksinat në SHBA, ka thënë se pasi të miratohen vaksinat e kompanive Pfizer e Moderna, ato mund të prodhojnë 50 milionë doza në janar.

Të fundit