E enjte, 16 Maj, 2024

NË KËTË MOMENT VENDI ËSHTË ME QEVERI, POR PA QEVERISJE

Qeverisja në Maqedoninë e Veriut për një kohë të gjatë nuk ka arritur të mbrojë dy nga tre të drejtat natyrore të njerëzve të saj: lirinë dhe jetën. Me veprimet e saja ka rrezikuar që virusi të marrë më shumë jetë njerëzish sesa në çdo vend tjetër të rajonit, ndërkohë që me masat e stërzgjatura të karantinës ka kufizuar lirinë e lëvizjes së secilit. Në këtë rast, sipas Locke, qytetarët kanë të drejtë ta rrëzojnë nëpërmjet revolucionit. E ky revolucion pse të mos jenë zgjedhjet, që sipas të gjitha gjasave do të mbahen më 5 ose 12 korrik.

Autor: Xhelal NEZIRI

Maqedonia e Veriut gati një muaj është pothuajse pa qeveri. Ka një qeveri teknike ku të gjithë janë brenda, por asnjëri nuk mban përgjegjësi. Kjo qeveri teknike, që u formua në janar të zbatojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit, përdoret nga aktorët vetëm për promovime të figurave që do të jenë shtylla të fushatës zgjedhore. Zgjedhjet u prolonguan shkaku i pandemisë, ndërkohë që betejat brenda kësaj qeverie filluan të bëhen të pa kompromis dhe pa limite. Kjo lloj qeverisje ka inkorporuar brenda saj të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të ASH-së, por ka përjashtuar përgjegjësitë konkrete të çdonjërës veç e veç. Kur bëhet fjalë për ndonjë sukses në menaxhimin e situatës, mediat pro-qeveritare të njërës apo tjetrës palë turravrap i paraqesin me pompozitet. E për dështimet, fajtor është tjetri, apo asnjëri. Në rastin e rikthimit të koronavirusit – fajtor është shoqëria e pandërgjegjshme dhe e papërgjegjshme që nuk mban maska, nuk respekton masat dhe mbi të gjitha nuk beson se ky virus ekziston.

Deri në fillim të majit kjo qeveri teknike u tregua në nivel të detyrës, derisa nuk u përmendën zgjedhjet që u kërkua të mbahen në fillim të qershorit. Nga ky moment filloi edhe përhapja dhe rikthimi i virusit. Në Strugë për Shën Gjergj, në mënyrë jolegale, u mbajt një ritual i Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) ku morën pjesë dhjetëra besimtarë. Nga ana tjetër, në rrjetet sociale u bënë thirrje për hapje edhe të xhamive. Paralelisht me këtë, fushata dezinformuese bëheshin në rrethe te zgjedhura, te të cilët arritën ta ndërtojnë narrativin se “virusi nuk ekziston”, “nëse shkon në spital të vrasin” apo “nuk duhet të tregosh kontaktet nëse zbulohesh se ke virusin COVID-19” e kështu me radhë.

Sot kemi numra të frikshëm të rasteve të reja si rezultat i të gjithë kësaj anarkie. Vetëm në Tetovë gjatë javës së fundit kemi katër viktima të moshës 40-49 vjeçare. Brenda një jave, në vend që të ulet, numri i rasteve aktive u rrit për afër 100 të infektuar. Komisioni i Sëmundjeve Infektive doli me thirrje emotive kur rekomandoi lehtësim të masave, i cili mund të përkthehet edhe si “paçi veten në qafë”.

Pra kemi një qeveri ku të gjithë janë brenda për lëvdata, por për përgjegjësi të gjithë janë në opozitë. Ajo që mund të konstatohet në këtë moment është se vendi është me qeveri, por pa qeverisje. Filozofi Thomas Hobbes thotë se një shoqëri pa qeverisje është në gjendje të natyrës. Në atë gjendje të gjithë janë kundër të gjithëve, kurse individët janë të vetmuar, të varfër, të këqij, të vrazhdë dhe të vegjël. Hobbes, si ithtar i absolutizmit, thotë se pa një sundimtar të fuqishëm të gjithë ne do të vrisnim njëri-tjetrin. Ideja e tij është se çdo shoqërie i nevojitet një sundimtar absolut, të cilit do t’i bindet çdokush pasi do të ishte i pamposhtur dhe asnjëri nuk do të guxonte të kthejë prapa rregullat që ai do t’i vendoste. Qëllimi i këtij sundimtari të madh, sipas Hobbes, do të ishte të parandalojë njerëzit të shkatërrojnë njëri-tjetrin. Ai nuk ka një qasje optimiste për njeriun në gjendje të natyrës. Këto pikëpamje i ka shkruar në veprën Leviathan menjëherë pas luftës civile në Angli në shekullin e shtatëmbëdhjetë, trazira që kanë formësuar idetë e tij për një qeverisje të fuqishme që do të parandalonte vetshkatërrimin e shoqërisë.

Nga ana tjetër, kemi filozofin John Locke (Xhon Loku), një konstitucionalist që kundërshton absolutizmin e Hobbes dhe kërkon kufizimin e fuqisë së qeverisjes me ligje dhe kushtetutë. Ai thotë se njeriu ka të drejta që dhëna nga natyra, pra nga Zoti e që janë të pacenueshme, si: liria, jeta dhe prona. Aty ku pajtohet Locke me Hobbes është se këto tre të drejta natyrore të njeriut është shumë rëndë të mbrohen në një gjendje të natyrës, pa qeverisje. Pra, dikush që është më i fortë mund të ta kufizojë lirinë, të të marrë pronën, e madje edhe jetën. Për të garantuar këto të drejta natyrore, Locke thotë se duhet të hartohet një marrëveshje shoqërore të cilën do ta aprovonin dhe respektonin të gjithë, e që sot njihet si Kushtetutë. Qeverisja, sipas Locke, ka për detyrë që të zbatojë këtë marrëveshje shoqërore dhe të mbrojë lirinë, jetën dhe pronën e çdo individi. Nëse këtë nuk arrin ta bëjë, atëherë qytetarët kanë të drejtë ta rrëzojnë atë pushtet nëpërmjet revolucionit. Në këtë rast, shoqëria sërish kthehet në gjendjen e natyrës dhe nga fillimi ndërton një qeverisje të re, të aftë të mbrojë të drejtat bazike.

Natyrisht se neve na duhet një qeveri sipas vizionit të Locke, detyra dhe fuqia e së cilës do të përcaktohen dhe kufizohen nga kushtetuta dhe ligjet, si marrëveshje shoqërore, e që do të jetë në detyrë përderisa garanton të drejtat bazike njerëzore. Qeverisja në Maqedoninë e Veriut për një kohë të gjatë nuk ka arritur të mbrojë dy nga tre të drejtat natyrore të njerëzve të saj: lirinë dhe jetën. Me veprimet e saja ka rrezikuar që virusi të marrë më shumë jetë njerëzish sesa në çdo vend tjetër të rajonit, ndërkohë që me masat e stërzgjatura të karantinës ka kufizuar lirinë e lëvizjes së secilit. Në këtë rast, sipas Locke, qytetarët kanë të drejtë ta rrëzojnë nëpërmjet revolucionit. E ky revolucion pse të mos jenë zgjedhjet, që sipas të gjitha gjasave do të mbahen më 5 ose 12 korrik.

Të fundit